“Drejtorët që ikën si minjtë pas pushtetit”, Luan Rama me LRI: Është përgjegjësia juaj të rrëzoni kastën e…

Aug 23, 2018 | 16:27
SHPËRNDAJE

Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, ka folur dje para Kampit Rinor në Jalë për debatin e ndryshimit të kufijve me Kosovën. Luan Rama është treguar i ashpër në fjalën e tij për diskutimin e zyrtarëve të lartë të Kosovës për të biseduar rreth rishikimit të kufijve. Zëvendëskryetari i LSI-së ka thënë se kufijtë nuk mund të jenë çështje negociatash, pasi ato janë vulosur me gjak dhe janë kufij zemrash. Sipas numrit dy të LSI-së, asnjë politikan nuk mund t’i nxjerrë këto kufij në tregun politik.

39891706_2137093949637185_9131270079554519040_n

“Kufijtë e Kosovës nuk janë çështje negociatash individuale dhe as çështje negociatash bilaterale, pra, dypalëshe midis Serbisë dhe Kosovës, apo Kosovës dhe Serbisë, sepse për Kosovën, ashtu siç për të gjithë hapësirën shqiptare, është luftuar, është derdhur gjak dhe ato kufij janë kufij gjaku, kufij zemrash dhe ato kufij nuk mund t’i nxjerrë askush në tregun politik, cilido qoftë ai”, ka thënë Luan Rama para të rinjve. Luan Rama ka vijuar fjalën e tij me tone të forta, teksa ka thënë se për të ruajtur kufijtë ekzistues të Kosovës, shqiptarët ndër shekuj kanë bërë sakrifica pa fund.

Prandaj, sipas deputetit të LSI-së, askush s’mund të tjetërsojë apo trafikojë këto kufij. “Kufijtë e Kosovës në të gjithë hapësirën e saj janë kufij të ngritur, të vulosur dhe të formësuar me sakrificat shekullore të luftës së shqiptarëve në të gjithë hapësirën e tyre për trojet e tyre. Prandaj, askush nuk mund të tjetërsojë, të ndryshojë, të trafikojë, apo të bëjë çfarë t’i teket me kufijtë e Kosovës, me lirinë e Kosovës, me hapësirën shqiptare në Kosovë dhe me trojet etnike shqiptare, që janë të pandryshueshme”, ka thënë Luan Rama.

39955904_2137975236215723_6915771741771923456_n

NDRYSHIMI

Numri dy i LSI-së ka folur në Jalë edhe për rolin e të rinjve, që, sipas tij, ata kanë detyrë që të shpëtojnë Shqipërinë nga udhëkryqi, në të cilin ndodhet Shqipëria. “Rinia shqiptare e ka bërë dy herë detyrën e saj ndaj atdheut dhe ndaj së ardhmes së tij. Një herë me brezin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare që i bënë nderin Shqipërisë, duke e bashkuar atë me koalicionin e madh antifashist botëror dhe në herën e dytë me ndryshimin e sistemeve duke përmbysur një kastë që ishte bërë pengesë, për t’i hapur rrugën demokracisë dhe pluralizmit politik në Shqipëri.

39628879_2137976392882274_6012051536828432384_n

Mirëpo, Shqipëria, për fat të keq, vazhdon të jetë në udhëkryq, në udhëkryqin e fateve të veta. Prandaj, është detyra juaj, misioni juaj, përgjegjësia juaj të bëni atë që di të bëjë rinia; të rrëzoni kastën e së keqes dhe të ndërtoni shoqërinë e vlerave, të lirisë, barazisë, drejtësisë dhe dinjitetit”, ka thënë Luan Rama. Ai nuk ka lënë pa sulmuar dhe zyrtarët që i kanë kthyer shpinën LSI-së, për të cilët tha se janë drejtorë kokëboshë dhe zullumqarë. “Është hera e parë që këtu nuk ka më servilë, nuk ka më hipokritë, nuk ka më prej atyre drejtorëve zullumqarë e kokëboshë, sepse ata, si minjtë, kanë mbetur pas kusisë së pushtetit, janë shitur pas thërrimeve të pushtetit!

Ndaj, ju jemi këtu për të dëshmuar që kjo rini është e vendosur të marrë përpara cilindo që bëhet pengesë. Prandaj, është detyra, është misioni juaj të bëheni pjesëmarrës, të bëheni mbrojtës dhe zëdhënës të interesit të brezit tuaj, të brezit që duhet të kapërcejë epoka, të brezit që duhet të bëhet forca e ndryshimit”, ka thënë deputeti i LSI.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura