Drejtoresha e “Qemal Stafa”: Medikamenti u mor në shkollë, masat janë edukative

Feb 23, 2015 | 11:00
SHPËRNDAJE

Drejtoresha e shkollës së mesme “Qemal Stafa” në kryeqytet, Nina Guga, i cilëson edukative masat disiplinore për tetë nxënësit, të cilët konsumuan medikamentin titus. Në një intervistë dhënë për gazetën, Guga tregon se si rrodhi ngjarja. Sipas saj, një pjesë e adoleshentëve ishin problematikë dhe për secilin prej tyre është marrë masa disiplinore bazuar në peshën e fajit të gjithsecilit. 

Shkolla e mesme Qemal Stafa

Drejtoresha hedh poshtë edhe pretendimin e një prej prindërve, se vajza e cila dyshohet se ka shpërndarë medikamentin është përjashtuar. E pyetur për ngjarjen, Guga shprehet se nxënësit e kanë planifikuar konsumimin e medikamentit një ditë më parë, pra më datë 3 shkurt. 

Pasditen e datës 4 shkurt, tetë nxënës të gjimnazit “Qemal Stafa” përfunduan të shtruar në pavijonin e toksikologjisë në QSUT. Problemet shëndetësore erdhën për shkak të konsumimit të një lloj medikamenti të njohur me emrin titus. Në dijeninë tonë, Komisioni i Disiplinës ka marrë masë disiplinore për secilin prej nxënësve. Cilat janë këto masa?
Shkolla funksionon me të gjitha organizmat e saj, të ngritur, të cilët janë komisione të posaçme, që e bazojnë veprimtarinë e tyre në dispozitat normative dhe sipas neneve e akteve nënligjore në fuqi, mbi të cilat bazohet ngritja e këtyre komisioneve dhe zhvillimi i gjithë veprimtarisë së tyre. Ditën kur u konstatua veprimi i këtyre nxënësve, shqetësimi ishte i madh, janë marrë të gjitha masat e duhura. Në radhë të parë për sigurinë e shëndetit të nxënësve, sepse kjo është më e rëndë- sishme se çdo gjë tjetër. Me urgjencë janë dërguar në QSUT, ku kanë marrë mjekimin e nevojshëm dhe u janë nënshtruar të gjitha analizave. Nga informacioni i mjekëve, titus ishte një medikament qetësues, por i përdorur në doza më të mëdha mund të shkaktonte edhe probleme të rënda te nxënësit. Kjo pjesë u menaxhua shumë mirë nga shkolla, nga mësuesja kujdestare dhe pjesa e stafit që ishte atë ditë në shkollë. Pas kësaj, drejtoria e shkollës dhe këshilli i disiplinës bëri një mbledhje me të gjithë prindërit, së bashku pastaj me secilin nga prindërit një e nga një, me të cilët u analizua situata e kësaj ndodhie. Në gjykimin tonë dhe të këshillit të disiplinës së shkollës, rasti është një shkelje e disiplinës së shkollës. D.m.th., në bazë të dispozitave normative të nenit 107, parashikohen masa të përshkallëzuara në varësi të peshës së fajit të gjithsecilit. Bazuar në këto masa dhe pasi mblodhëm të gjitha mendimet, arritëm në përfundimin e ndërmarrjes së masave. Duhet thënë që këto masa janë të një karakteri edukativ. Dhe kjo është bërë për të parandaluar raste të tjera të këtyre dukurive, e para që cenojnë sigurinë e nxënësve në shkollë dhe e dyta që në kushte të tjera mund të organizohen dhe të marrë përmasa të tjera. Të gjendur përballë kësaj situate, Këshilli i Disiplinës vendosi të marrë disa masa, të cilat janë të karakterit edukativ, ato nuk prekin fare interesin e nxënësve. Përkundrazi, nxënësit vazhdojnë procesin mësimor. Masat janë gjithashtu me karakter shlyerjeje 4-mujore.

 Që do të thotë…
Do të thotë se në gjithë këtë periudhë survejimi të këtyre nxënësve, ata, pa pritur katër muaj, por edhe më parw me sjelljen e tyre shumë të mirë mund ta shlyejnë masën.

Çfarë vendimesh janë marrë? Është përjashtuar vajza që dyshohet se shpërndau medikamentin?
Jo, nuk është përjashtuar. Ne në masat që kemi marrë, nuk kemi masë përjashtuese. Masat e ndërmarra janë të përshkallëzuara, nga ulje e notës në sjellje, paralajmërim për ulje të notës në sjellje dhe vërejtje.

Si ndodhi ngjarja? Cili është versioni juaj?
Mësuesja kujdestare e asaj klase konstatoi se tetë prej nxënësve kishin probleme shëndetësore. Ngjarja ndodhi në shkollë, u konstatua në shkollë. Dhe, sipas vetë nxënësve, konsumimi i medikamentit ishte i planifikuar qysh një ditë më parë. Nxënësve u ishte thënë se do të marrim një medikament që është qetësues por çudibërës, ti do të fantazosh e kështu me radhë. Këto janë gjëra që adoleshentët priren për t’i bërë për t’iu shmangur mësimit apo ngarkesës së një ore mësimore. Por qëndron fakti që ata e dinin se do ta merrnin një medikament të tillë dhe për më tepër në mjediset e shkollës që është e ndaluar, gjithashtu e dinin. Sepse s’mundesh të biesh në një gjendje të tillë dhe të fantazosh gjatë kohës së mësimit.

Nuk do të kishte qenë më mirë, sipas prindërve, që të ndërmerreshin masa më të zbutura, duke pasur parasysh që janë adoleshentë?
Pra, ata të zhvillonin konsulta me psikologen, që të mbaheshin në vëzhgim etj. Prindërit e njërës prej nxënësve thonë se kjo është reflektuar edhe në qëndrimin që mbajnë mësuesit dhe bashkëmoshatarët e tjerë, duke përdorur etiketime për vajzën. Absolutisht. Nuk besoj se ata do ta ndiejnë këtë. Pasi që në momentin e parë atyre u është gjendur ky staf mësimor, psikologia e shkollës, e cila i ka shoqëruar ata kudo ata shkuan atë ditë. Patjetër që në shkollën tonë është bërë sensibilizimi se çfarë duhet të bëjnë dhe nuk duhet të bëjnë nxënësit në mjediset e shkollës. Këto masa që ne kemi ndërmarrë, nuk janë masa ndëshkuese, që unë po i nxjerr në rrugë nxënësit dhe nuk po kujdesemi për ta. Përkundrazi, po mbahen dhe po marrin një masë disiplinore edukative, por edhe parandaluese për raste të tjera.

Ishin problematikë më parë këta nxënës?
Disa prej tyre po, me raste të përsëritura të shkeljes së disiplinës. Prandaj edhe masat janë marrë të përshkallëzuara. Nuk janë masa që vijnë në mënyrë drastike. Pra disa prej nxënësve kanë shfaqur problematika edhe më përpara.

Prindërit e njërës prej vajzave kanë ngritur shqetësimin në të cilin përcaktohet se vajza ka marrë masën disiplinore paralajmërim për ulje të notës në sjellje. Prindërit këtë e konsiderojnë të paarsyetuar në kushtet, kur sipas tyre vajza ishte “viktimë”, për rrjedhojë do ta dërgojë çështjen në Gjykatë.
Sigurisht ka të drejtën e tij. Për mua është e rëndësishme gjithë procedura që sanksionohet në ligj. Unë jam brenda të gjitha rregullave edhe hapave që duhet të ndjek sa kohë në shkollë ka thyerje të disiplinës. Dhe këtë do ta bëj jo vetëm për këtë rast, por për çdo rast tjetër ku do të konstatohet thyerje e disiplinës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura