Drejtor i “Portokallisë” në dy qeveri, si sillesha në kohën e Berishës dhe tani me Ramën

Mar 14, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Është pagëzuar “drejtori i Portokallisë” që nga viti 2013, pasi sipas Erdit Asllanajt jetojmë në kohën e drejtorëve, të cilët janë trendy i momentit në Shqipëri. Si aktor, ai thotë se sjell në ekran herë drejtorin e viteve kur qeveriste Sali Berisha, dhe herë drejtorin e ditëve sot, ndërsa qeveris Edi Rama.portokalli

27- vjeçari nga Gjirokastra tregon për karrieristin në administratë, dhe cila është puna e një drejtori të emëruar në bazë të bindjeve politike. Në këtë intervistë për “Panoramën” përgjigjet si zëdhënësi i drejtorëve, duke na zbuluar stilin e tyre të jetës..

Je rikthyer sërish si drejtor në sezonin e ri “Portokalli”. Çfarë stereotipi drejtorësh përfaqëson në qeverinë që kryesohet nga Edi Rama?

Sezoni i ri nisi me një detyrë të re, vizion të ri, përgjegjshmëri të plotë, që drejtori të përfaqësojë denjësisht të gjithë kolegët e tij. Sjell modelin e ditëve të sotme, pasi jetojmë në kohën e drejtorëve, ata janë trendi i kohës. Step by step, pra hap pas hapi do ta shihni çdo të diel në “Portokalli”, në orën 20:45, vizionin tim të ri.

Ku ndryshon një drejtor i qeverisë Rama, nga drejtorët e qeverisë së drejtuar nga Sali Berisha?

Ju lutem shumë, unë jam drejtor që u bëra i tillë me forcat e mia. Pastaj, të gjithë drejtorët një surrat kanë.

Je i stresuar apo i lumtur këtë vit, kur të gjithë ankohen nga mungesa e parave?

Më mirë të them në bashkëjetesë me të dyja, jetojmë të lumtur të tre. Në rangun që je, çfarë mendon për Edi Ramën, Erion Veliajn dhe drejtoreshën e Tatimeve, Briseida Shehajn? Nuk janë korrektë në orarin e kalçetos.

Ti je drejtor që nga i majtë mund të kalosh pa problem djathtas, apo je militant partiak?

Unë jam drejtor apolitik, pavarësisht se në punë kam hyrë me mik.

Kush është idhulli yt?

Si Erdit, nuk mundem të kem idhull në politikë. Më dalin idhujt në art (qesh).

Zakonisht drejtorët punojnë shumë, aq sa s’kanë mjaftueshëm kohë për jetë private. Ti sa orë kalon në zyrë dhe sa kohë të ngelet për të shijuar jetën, apo për të bërë dashuri?

Si drejtor, dashuria është punë e lodhshme, po është punë që duhet bërë përditë, në mënyrë që në fund të muajit të jenë arritur objektivat e punës.

Bën shumë aventura, apo jeta jote është e mërzitshme?

Më mirë të them që vetëm aventura bëj.

Të ndodh të bësh seks në zyrë?

Zyra vetëm për punë, hëpërhë.

Kur del për të pirë diçka, kush paguan për ty?

Unë pi birra dhe faturën ia lë shokut…

Cila është loja e preferuar e drejtorëve të rangut tuaj?

Të luajmë me cica. (qesh)

Sekretarja jote është femër e bukur?

Po. Do vini t’jua prezantoj sekretaren time?

Konsumon ndonjë drogë për të qenë sa më në formë gjatë ditës?

Me sa di unë, jo.

Ku i kalon pushimet?

Në Gjirokastër, se harxhoj pak lekë.

Libri i fundit që ke lexuar?

Si drejtor “Manual i ndihmës së parë mjekësore”. Ndërsa si Erdit, Stefan Zweing “Bota e djeshme”.

Po 8 marsin si dhe ku e kalove, apo bëre striptistin me vartëset e tua?

Me sa di unë, nuk e festoj 8 Marsin. Por do ta mendoj për 8 marsin tjetër këtë opsionin e striptistit.

Në fund të fundit po mendon dhe ti të largohesh nga Shqipëria?

Unë jam një drejtor që do ta bëjë Shqipërinë lule, kështu që s’kam pse të largohem.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura