Drejtësia si kurban

Jan 15, 2021 | 9:40
SHPËRNDAJE

ERVIN METALLANGA ERVIN METALLA*

Disa pyetje që natyrshëm nxit intervista e ambasadorit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, dhënë për “Zërin e Amerikës” ditën e martë, me datë 12.01.2021: “Ata që e përgatitën Reformën në Drejtësi në Shqipëri dhe komuniteti ndërkombëtar, nuk prisnin largimin e një numri kaq të lartë gjyqtarësh, më shumë se 60%”, thotë ai, duke vijuar:

“Por është e rëndësishme që ne të gjithë së bashku t’i mbrojmë institucionet e vetingut, që po bëjnë një punë shumë të mirë për të dhënë drejtësi, ajo që duan shqiptarët”. Nëse puna e këtyre institucioneve qenka kaq e mirë dhe e paqortueshme, vlerësim që deduktohet lehtësisht se buron nga numri shumë i lartë i shkarkimeve, atëherë si mund të thuhet që ky masivitet shkarkimesh nuk përmbush edhe pritshmëritë e projektuara nga faktori ndërkombëtar?!

“Mendoj,- vijon më tej në intervistën e tij ambasadori Soreca, -se duhet të kemi besim te procesi i vetingut. Ne kemi besim te ky proces dhe së bashku me partnerët tanë i mbështesim plotësisht komisionerët, anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Ata duhet të punojnë fort, ata duhen mbrojtur nga opinioni publik, nga klasa politike, për të bërë punën e tyre. Ata nuk duhen frikësuar dhe frikësimi duhet të marrë fund aty ku ndodh”. Të njëjtën qasje nuk humb rastin të shfaqë edhe ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, madje më shpesh dhe më me forcë.

Mos vallë shoqëria duhet të ketë besim te procesi i vetingut dhe se partnerët ndërkombëtarë duhet të ofrojnë një mbështetje të pakushtëzuar për komisionerët, anëtarët e KPK-së dhe gjyqtarët e KPA-së, duke u bazuar pikërisht te numri i lartë i shkarkimeve, që jo vetëm na paska tejkaluar edhe pritshmëritë e projektuara nga ata që përgatitën Reformën në Drejtësi në Shqipëri dhe komuniteti ndërkombëtar, por edhe ka dekurajuar konkurrimet cilësore për në gjykatat më të larta të vendit dhe ato për të punuar si inspektorë pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë?!

Mos vallë kjo mbështetje për njerëzit që po kryejnë vetingun legjitimohet nga integriteti i tyre i padiskutueshëm, kualifikimi i lartë profesional, zgjedhja e tyre në përputhje të plotë me ligjin dhe Kushtetutën etj., apo për shkak se faktori ndërkombëtar ndihet përgjegjës që një pjesë e konsiderueshme e tyre janë zgjedhur në kundërshtim flagrant me ligjin, në mospërmbushje thelbësore të kushteve dhe kritereve përkatëse dhe kjo ka ndodhur edhe me bekimin e tyre?!

Anëtarët e institucioneve të vetingut janë sot ndër funksionarët më të paguar dhe më të mbrojtur në Shqipëri. Atëherë nga kush duhet t’i mbrojmë ata: nga gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar që nuk kanë më asnjë pushtet apo nga procedimi penal që po zhvillon SPAK për disa prej tyre, për faktin se kanë gënjyer, duke mohuar të kenë qenë të shkarkuar nga detyra, pikërisht për t’u zgjedhur në këto institucione etj.?!

Si mund të mbrohen anëtarët e institucioneve të rivlerësimit nga opinioni publik, kur ata, si funksionarë tejet të rëndësishëm publikë, duhet t’i nënshtrohen mbikëqyrjes së tij për të qenë përgjegjës dhe llogaridhënës si pjesë e përgjegjshmërisë që buron nga ushtrimi i funksionit?! Pse duhet të ndihen të frikësuar anëtarët e institucioneve që po kryejnë vetingun, kush dhe si po i frikëson ata?! Ndërsa ligjërimi publik, veçanërisht ai i faktorit ndërkombëtar, tenton pothuaj t’i shenjtërojë anëtarët e institucioneve të rivlerësimit, qasja ndaj magjistratëve në tërësinë e tyre, pa dallim, është inkuizitore, sikur shoqëria ka zbuluar heretikët e vetëm dhe të vërtetë të saj.

Madje, faktori politik vendës ndihet i lehtësuar që më në fund ka gjetur kë të bëjë kurban për t’i treguar opinionit publik vendas dhe atij ndërkombëtar se ka vullnet për të luftuar korrupsionin në vend. Jo vetëm kaq, por mundësisht të mbyllë edhe ciklin e kësaj lufte nëpërmjet procedimeve penale, jo ndaj politikanëve, por në radhë të parë e kryesisht ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga vetingu.

Stigmatizimi i magjistratëve të shkarkuar, në tërësinë e tyre, si të korruptuar, në një kohë që korrupsioni është vepër penale që duhet të provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm me vendim gjyqësor të formës së prerë, përbën jo vetëm cenim të hapur dhe flagrant të parimit të prezumimit të pafajësisë, por shkon në kufijtë e një trajtimi degradues, në kuptim të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Në këto rrethana, në mungesë të ndonjë rezistence domethënëse përgjatë zhvillimit të procesit të vetingut, përkundër natyrës korporatiste për të cilën akuzohej gjyqësori dhe që ishte një ndër premisat e ngjizjes së nevojës për Reformë në Drejtësi, lind pyetja se çfarë u ngelet magjistratëve të shkarkuar për të bërë në mënyrë që të marrë fund retorika persekutuese dhe kërcënuese që vazhdon ndaj tyre edhe pas shkarkimit nga vetingu, ndër të tjera, edhe si argument i luftës politike të ditës?!
*Ish-gjyqtar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura