“Drejtësia selektive nuk është drejtësi!”- Gent Cakaj reagon pas vendimit të Gjykatës Speciale për të thirrur Kadri Veselin

Nov 7, 2019 | 20:07
SHPËRNDAJE

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, ka reaguar me një status në Facebook lidhur me thirrjen që i është bërë për intervistim në Gjykatën Speciale në Hagë, Kadri Veselit. 

Gent_Cakaj-ministri-detyre1

“Drejtësia selektive nuk është drejtësi! E, aq më pak proceset e nisura mbi paragjykime dhe të ndërtuara mbi të pavërteta!”- shkruan Cakaj.

Ky akt, sipas tij, është vetëm vazhdim i padrejtësive sistematike dhe qasjes së njëanshme ndaj UÇK-së dhe Kosovës.

“Lufta e UÇK-së ka qenë historikisht e drejtë dhe e vetmja përgjigje ndaj përpjekjeve genocidiale të Serbisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Serbia, vetëm në luftën e fundit në Kosovë, është përgjegjëse për vrasjen e me tepër se 12.000 shqiptarëve, për deportimin masiv të më shumë se një milion njerëzve dhe miliona dollarë dëme të luftës. Këto krime nuk janë kryer në baza individuale, por kanë qenë të sponsorizuara drejtëpërdrejtë nga aparati shtetëror i Serbisë.”- thekson Cakaj.

Reagimi i plotë:

Thirrja për intervistim në Gjykatën Speciale në Hagë e Kadri Veselit është vetëm vazhdim i padrejtësive sistematike dhe qasjes së njëanshme ndaj UÇK-së dhe Kosovës në përgjithësi.

Lufta e UÇK-së ka qenë historikisht e drejtë dhe realisht, e vetmja përgjigje ndaj përpjekjeve gjenocidiale të Serbisë ndaj popullit shqiptar të Kosovës në përgjithësi.

Serbia, vetëm në luftën e fundit në Kosovë, është përgjegjëse për vrasjen e me tepër se 12.000 shqiptarëve, për deportimin masiv të më shumë se një milion njerëzve dhe miliona dollarë dëme të luftës. Këto krime nuk janë kryer në baza individuale por kanë qenë të sponsorizuara drejtëpërdrejtë nga aparati shtetëror i Serbisë.

Serbia ka dështuar tërësisht në adresimin e të kaluarës së saj kriminale dhe politikanët e paramilitarët e asaj kohe janë sot në krye të shtetit të Serbisë. Adresimi i krimeve të Serbisë është një prej faktorëve thelbësorë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Bota, ndërkaq, duhet të jetë shumë më e zëshme dhe më e qartë në kërkesën për llogaridhënie historike e vendosje të drejtësisë për bëmat monstruoze të Serbisë në Kosovë!

Drejtësia selektive nuk është drejtësi! E, aq më pak proceset e nisura mbi paragjykime dhe të ndërtuara mbi të pavërteta!

Kadri Veseli me shokë sot janë shumë më shumë se luftëtarë të lirisë: ata janë dëshmitarë të pastërtisë së kauzës për çlirimin e Kosovës!

 

KRENAR ME USHTRINË ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura