Drejtësia që vjen nga vota e deputetëve kriminelë!

Jul 6, 2016 | 12:00
SHPËRNDAJE

Bislim-AhmetajBISLIM AHMETAJ

Refreni i politikës shqiptare prej muajsh është një togfjalësh: “Reforma në Drejtësi”. Të gjithë pa përjashtim janë “pro”, që të gjithë janë gjithashtu “kundër”. Kanë artikuluar i madh dhe i vogël për nevojën e kësaj reforme. Dikush e quan jetike, si bukën e përditshme, të tjerë si makijazh për të tejkaluar krizën e thellë që po kalon ekonomia e vendit.

Dikush mungesën e drejtësisë e sheh nëpër gjykata, të tjerë nëpër zyrat e qeverisjes qendrore dhe lokale, ndërsa ata që gjykojnë më ftohtë te mentaliteti i shtetasve të këtij vendi që nuk e peshojnë pushtetin e vetëm që u ka dhënë demokracia, votën e tyre, por e lëshojnë atë vend e pa vend “si lopa bajgën”. Ka disa që të ashtuquajturën “Reforma në drejtësi” e lexojnë si “kamxhik” për politikanët e korruptuar, si presion të hapur të ndërkombëtareve ndaj klasës politike shqiptare.

Këta meritojnë pak vëmendje dhe një përshkrim më të hollësishëm. Po pse janë të shqetësuar dhe po aq të angazhuar ndërkombëtarët për këtë reformë? Si doli kaq e domosdoshme Reforma në Drejtësi pikërisht kur në pushtet mbërriti e majta shqiptare, përgjegjëse për të këqijat e panumërta që i ka shkaktuar këtij vendi këtu e 75 vite, që kur ia “dorëzuam” lirinë dhe fatin tonë filozofisë së majtë komuniste?!

Pse diktatura më e egër e Lindjes komuniste nuk paska pas nevojë të revizionohet, hetohet dhe dënohet për krimet e saj monstruoze, ndërsa demokracia e brishtë e paska të domosdoshme të “ndëshkohet” nga po ata që e kanë përdhunuar dhe sjellë në këtë ditë?!

Pyetja më substanciale që dua të shtroj në këtë shkrim timin është për ndërkombëtarët: Ata duan ta kapin apo ta çlirojnë klasën politike shqiptare? A duan ata të na çlirojnë ne, shtetasve të këtij vendi, prej tyre apo duan të na kyçin edhe më shtrenjtë në darat e tyre? Këtë pyetje e shtroj pa kurrfarë valence negative, thjesht i shtyrë nga naiviteti. A nuk është kjo klasë politike përgjegjëse për situatën ekonomike, sociale dhe politike tejet të rëndë, gati të pashpresë, që po kalon vendi?

A nuk janë këta ndërkombëtarë dhe një pjesë e klasës politike shqiptare që konstatuan me vota që ky Parlament i maxhorancës së majtë 75-vjeçare është i kriminalizuar? A nuk janë këta ndërkombëtarë dhe një pjesë e klasës politike shqiptare që, ditë për ditë akuzojnë për krime monstruoze, për vjedhje dhe abuzime të fondeve publike, për dhunime dhe devijime ekstreme të barazisë dhe parimësisë mes njerëzve?

A mund t’i besohet Reforma në Drejtësi kësaj kaste, e cila është përgjegjëse direkte për situatën që po kalon vendi? Unë, si një udhëtar i vëmendshëm i këtij çerekshekulli zhvillime pozitive dhe negative në vendit tim, do të kërkoja në radhë të parë prej qytetarëve shqiptarë dhe së dyti prej partnerëve tanë strategjikë që udhëtimin tonë drejt lirisë dhe demokracisë, drejt shtetit të së drejtës dhe atij ligjor ta korrektojmë dhe përmirësojmë aty ku ai e ka nisur devijimin.

Te vota dhe përdorimi i saj, te ligji i munguar i dekomunistizimit dhe ai i lustracionit, te dënimi i krimeve të komunizmit dhe përjashtimi nga politika i bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, te zbatimi me përgjegjësi dhe korrektesë i ligjit të dekriminalizimit, i cili sipas meje është thjesht pasojë e mungesës së dekomunistizimit të shoqërisë.

Gangsterët, hajdutët, shitësit e drogës dhe trafikantët e mishit të bardhë gjenezën, metodat, motivimin dhe mbështetjen në veprimtaritë e tyre kriminale i kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë nga eksponentët e të majtës historike dhe të mostrës së saj sigurimit të shtetit. Pra, në mbyllje të kësaj trajtese dua të theksoj se Reforma në Drejtësi që do të prodhonte ky Parlament, që botërisht e ka pranuar që është i mbushur me kriminelë, hajdutë, trafikantë dhe suportues të këtyre kategorive monstra, jo vetëm që nuk do të prodhojë drejtësi, por do ta përkeqësojë gjendjen edhe kështu dëshpëruese.

Drejtësia që vjen nga parlamentarë të kriminalizuar është e frikshme, e papranueshme për standardet minimale të shtetit të së drejtës, duhet të jetë e papranueshme për të gjithë ata deputetë që u ka mbetur një pikë përgjegjshmërie. Reforma në Drejtësi duhet ta shëndoshë jetën tonë sociale, jo ta shtyjë atë në gropën e zezë ku e kanë hedhur atë klika e politikanëve shqiptarë, të asistuar dhe përkrahur nga aleatët tanë perëndimorë.

Reforma në Drejtësi, pikë së pari ka nevojë për besueshmëri. Dhe ky Parlament është më i pabesueshmi historik i këtyre 25 viteve pluralizëm. Ky Parlament, maksimumi që mund të bëjë është: Të miratojë një ligj të mirë për dekomunistizimin dhe lustracionin e shoqërisë shqiptare. Të miratojë një ligj zgjedhor që u heq kryetarëve të partive politike pronësinë mbi deputetët dhe t’ua kthejë zgjedhësve shqiptarë të drejtën të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Parlament.

Të shpallë zgjedhjet e parakohshme për në vjeshtë të këtij viti. Pastaj fituesit e zgjedhjeve, kushdo qofshin ata, kanë moralin të miratojnë Reformën në Drejtësi, të çelin procesin e negociatave me Bashkimin Europian (Nëse përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Europian dhe SHBA-ve negociojnë marrëveshje dhe bashkëpunojnë me institucione në përmbajtjen e të cilave është pranuar botërisht që ka kriminelë, komunistë konservatorë dhe bashkëpunëtorë të Policisë Sekrete të diktaturës, atëherë vihet në dyshim të plotë pozitiviteti i angazhimit të tyre në këtë proces jetik për ekzistencën e demokracisë dhe sovranitetit), të udhëheqin vendin drejt një paqeje sociale, për të cilën ka nevojë më shumë se kurrë ky vend.

Drejtësia që vjen nga kriminelët, kurrë mos ardhtë! Shqiptarët e kanë provuar në ’44-n atë lloj drejtësie!!!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura