Drejtësia/ Hysi: ‘Venecia’ me disa zgjidhje, s’ka vende të rezervuara

Jun 26, 2016 | 8:43
SHPËRNDAJE

Anëtarja e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Vasilika Hysi, shprehet se Komisioni i Venecias në alternativat që jep, nuk flet për vende të rezervuara.

Vasilika-Hysi-foto-LSANë një intervistë për gazetën “Panorama”, Hysi thotë se opozita nuk e do reformën në drejtësi, pasi ka lëvizur në pretendimet e saj nga shumica e cilësuar me 2/3, tek vendet e rezervuara dhe tani tek procedurat parlamentare.

Reforma në Drejtësi ka hyrë në fazën e saj finale, ndërkohë që ju pak ditë më parë keni marrë vlerësimin maksimal nga ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu, për punën e mirë të bërë. Si e vlerësoni ju këtë mbështetje të SHBA-ve?

Bashkimi Europian dhe SHBA-të e vlerësojnë reformën për nga rëndësia e saj për demokracinë dhe të ardhmen e vendit, për nevojën e madhe që kanë shqiptarët për një sistem drejtësie të pavarur, profesional, eficient dhe efikas që mbron të drejtat e tyre dhe rivendos drejt dhe në kohë të drejtat e shkelura.

Por, mbështetja për reformën është mbështetje edhe për procesin e ndjekur për kryerjen e saj. Ekspertë vendës dhe të huaj, përfaqësues të institucioneve të Drejtësisë, të botës akademike, të shoqërisë civile, të avokatisë etj., u përfshinë në një proces të filluar 20 muaj më parë dhe që vazhdon. Projektligjet e hartuara janë produkt i punës së përbashkët të ekspertëve vendës dhe të huaj.

Nga pretendimet e para të saj, opozita ka kërkuar vetëm votimin me 2/3-at të votave për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kur ekspertët e huaj sollën draftin e përshtatur pas opinionit përfundimtar të Venecias, ata dolën me kërkesën e vendeve të rezervuara. Si e vlerësoni këtë qëndrim të opozitës?

Pas një bojkoti të gjatë të punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, opozita pranoi të marrë pjesë në komision, duke vendosur disa kushte, një pjesë prej të cilave të sajuara për të justifikuar thyerjen e bojkotit.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, pra gjatë një viti, opozita ka mbajtur qëndrime të ndryshme dhe ka gjetur justifikime për ta shtyrë reformën. Pas raportit të ndërmjetëm të Komisionit të Venecias, opozita shpenzoi një kohë të gjatë me interpretimin e paragrafit 55 të raportit, duke argumentuar se nuk ishte për 3/5-at, por 2/3-at, pasi me 3/5-at sistemin e Drejtësisë e kapte kjo maxhorancë.

Me ardhjen e raportit final të Komisionit të Venecias dhe ritheksimit se të dyja shumicat e cilësuara janë të ligjshme dhe se projekti ka një sërë mekanizmash që nuk i lejojnë emërimet politike dhe ofrojnë mekanizma zhbllokues dhe maxhoranca pranoi 2/3-at si pjesë e konsensusit politik, opozita u tërhoq duke pretenduar se 2/3-at nuk arrihet dhe në kushte të tilla, pra kur nuk arrihet votimi i kandidatëve, sistemi i zgjedh vetë.

Sipas tyre, nuk mund t’i lihet kaq pavarësi sistemit gjyqësor dhe se humbet kontrolli i Parlamentit. Pra, sa herë që maxhoranca ofronte konsensus dhe ekspertët ndërkombëtarë reflektonin shqetësimet e opozitës, opozita del me kërkesa të tjera. Thjesht opozita nuk e do reformën, ajo ka frikë prej saj.

Paragrafi 88 mbetet kaq i vështirë për t’u interpretuar nga palët, sa ato të qëndrojnë në pozita të paafrueshme mes tyre?

Paragrafi 88 i raportit përfundimtar të Komisionit të Venecias, në pikën 1 të tij, thotë shprehimisht se: “Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilë-suar të kërkuar për anëtarët jogjyqtarë të organeve, ata mund të zgjedhin një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës në organet kolektive, ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e zgjedhjes.

Modelet janë dhënë në fusnotet e paragrafit 17 të raportit, ku flitet për disa alternativa, por jo për vende të rezervuara.

Si maxhorancë e kemi theksuar, dhe në komision e thamë disa herë, që jemi të hapur për të gjetur konsensus, por jo për të politizuar gjyqtarët dhe prokurorët dhe aq më keq, që ata të jenë përfaqësuesit e zgjedhur nga listat e partive që do të bëjnë Anëtarja e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, Vasilika Hysi, shprehet se Komisioni i Venecias në alternativat që jep, nuk flet për vende të rezervuara. rivlerësimin e pasurisë, të figurës morale dhe të aftësive profesionale të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kjo nuk është reformë, por shkatërrim i sistemit të Drejtësisë.

Ne jemi të hapur për të diskutuar për alternativat e ofruara në raportin e Komisionit të Venecias, megjithëse ky komision thotë se këto alternativa mund të zbatohen, kur nuk pranohet shumica e cilësuar, pra 3/5-at ose 2/3-at, në momentin e parë të zgjedhjes.

Këto alternativa janë pranuar tashmë, dhe opozita nuk po gjen një alibi tjetër te raporti për të shtyrë reformën. Mosvotimi i reformës është shuplaka më e madhe që opozita po u jep shqiptarëve që kanë nevojë për reformën dhe aspiratës së tyre për integrim europian.

Çfarë do të bënte sipas jush, si juriste, plotësimi i vendeve në institucionet e reja sipas një formule të balancuar mes maxhorancës dhe opozitës?

Formula të mundshme janë dhënë nga Komisioni i Venecias, në rast se nuk do të arrihej shumica e cilësuar. Kjo e fundit, pas negociatave, është e parashikuar në ligj. Megjithatë, ka disa formula të tjera, nëse nuk do të ishte ofruar shumica me 94 vota, si përfshirja e opozitës në forma të tjera, si e drejta e deputetit për një votim, ose çdo deputet të ketë një numër të kufizuar votash etj. Komisioni i Venecias shprehet se çdo model ka të mirat dhe të metat e tij, ndaj çdo shtet duhet të krijojë formulën e vet.

Si e vlerësoni deklaratën e ambasadorit Lu në mbledhjen e parë të komisionit, kur nisi miratimi nen për nen e kur opozita u largua: “Ju nuk po e braktisni vetëm komisionin, por po na braktisni edhe ne” ?

Sikurse e thashë më lart, çdo produkt që po diskutohet në Komisionin e Posaçëm të Reformës në Drejtësi është produkt i punës së ekspertëve vendës dhe ndërkombëtarë, përfshirë ata të SHBA-ve. Nuk mund të braktiset dhe të injorohet puna 20-mujore e qindra ekspertëve dhe e konsultuar me qindra të tjerë. Në Komisionin e Reformës ne kemi diskutuar, kemi bërë pyetje, kemi marrë përgjigje, kemi ndarë mendime dhe qëndrime të njëjta si maxhorancë dhe opozitë dhe kemi pasur mendime të ndryshme. Por, një fakt është për t’u theksuar: asnjëherë ekspertët e huaj nuk kanë hezituar të ofrojnë ndihmë dhe ekspertizë dhe të ofrojnë opsione të ndryshme që merrnin parasysh shqetësimet, komentet dhe sugjerimet tona, sidomos të opozitës. Ata dhe ne kemi “lëshuar” shumë në favor të kërkesave të opozitës. Ndaj unë shpreh mirënjohjen për punën e ekspertëve të nivelit të lartë, vendës dhe të huaj, dhe ndihem keq që opozita, e cila kërkonte asistencën ndërkombëtare, me këmbëngulje nuk e vlerëson dhe e injoron atë, duke braktisur mbledhjet dhe ekspertët e huaj, madje edhe ambasadorët e pranishëm në to.

Si e vlerësoni propozimin e LSI-së për paragrafin 88, që opozita t’u kërkojë zyrtarëve të lartë të Brukselit që t’i caktojnë ata se cila duhet të jetë vija e kuqe që nuk duhet kaluar?

Kolegu i LSI-së merr pjesë në komision, diskuton, shpreh mendime dhe sugjerime dhe ka votuar. Meqenëse opozita nuk beson atë çfarë thonë ambasadorët e SHBAve dhe BE-së, as Komisioni i Venecias, le të pyesin nëse të nderuarit ambasadorë flasin apo jo në emrin e SHBA-ve ose të BE-së. SHBA është shprehur tashmë, po kështu edhe BE. BE deklaroi se qëndrimet e ambasadores së Bashkimit Europian janë edhe qëndrime të BE-së. Tashmë kolegët e opozitës kanë dalë me një pretekst të ri: procedura parlamentare e diskutimit të paketës së Reformës në Drejtë-si.

Jeni besimplotë që reforma do të miratohet në Kuvend dhe do të dalin deputetë të opozitës që, para vendimit politik, të vendosin për fatin e Drejtësisë?

Çdo deputet/e e opozitës është në Parlament se është votuar për të bërë opozitë dhe për kontribuar që Drejtësia të bëhet, që të ndahet një herë e mirë pjesa e shëndetshme nga ajo e korruptuar në sistemin e Drejtësisë. Uroj që kolegët e opozitës do t’i duan votuesit e tyre dhe do të përmbushin dëshirën e tyre që Shqipëria të jenë pjesë e Bashkimit Europian. Uroj dhe shpresoj që secili prej tyre ta mbajë parasysh këtë fakt.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura