Drejtësia e reformuar dhe produkti “PPP”

Sep 25, 2018 | 11:00
SHPËRNDAJE

PËLLUMB NAKO*PËLLUMB NAKO

Shumë është komentuar letra e hapur e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme drejtuar shqiptarëve. Dhe me të drejtë. Nëse kjo formë komunikimi i drejtuesit të një institucioni ligjor të shtetit Shqiptar është fryt i një kohe të re, që po njoftohet për të ardhmen e drejtësisë së reformuar, shpresat për drejtësi, për besim në institucionet e saj, duken së paku të diskutueshme. Brendia e letrës tregon një profil psikologjik të dominuar nga një ide shumë e lartë për veten pa pasur pika referimi me mjedisin rrethues dhe akoma më pak me institucionin. Kurse bërja publike e saj si formë komunikimi dëshmon se prokurorja ende nuk e ka të qartë se mënyra e komunikimit zyrtar të një institucioni nuk është ajo e letrës së hapur. Një letër e hapur apo anonime, letër mbetet.

Ndërkohë, nëse do ta perifrazonim në një fjali të vetme gjithë daljet publike të saj, do të na rezultonte se kemi të bëjmë me një Prokurore me kohë të përkohshme, e zgjedhur nga një gjysmë e pak më shumë Parlament, e cilësuar me mangësi të lidershipit nga KPK-ja, që ngre akuza publike pa asnjë referencë ligjore ndaj ekipit të saj dhe më pas i drejtohet të gjithë shqiptarëve me një letër të hapur ku u kërkon të kenë besim vetëm tek ajo. Në kushte të tilla si këto më sipër, edhe vetë Krishti nuk do të kishte kurajën e një pretendimi të tillë nga publiku.

Megjithatë, nuk është ky problemi më i rëndësishëm. Edhe në raportimin e saj në Parlament, ku Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme prezantoi gjendjen e kriminalitetit në vendin tonë, u vu re vetëm një lexim shifrash hera-herës krahasues me një apo dy vite më parë. Asgjë e re në raport me të shkuarën. Sigurisht gjatë vitit që ajo drejton, gjërat ecin më mirë se një vit më parë. Nuk u pa një analizë, e cila të ishte në gjendje të bënte një skaner funksionimit të institucionit. Prokurorja përmendi shifra, por nuk arriti të lexojë se çfarë realiteti fshihet pas tyre. Me fjalë të tjera, t’i jepte përgjigje dhe të identifikonte si mangësi madhore dhe ta caktonte si prioritet absolut ushtrimin e një drejtësie më të barabartë për të gjithë shtresat sociale të shoqërisë. Po të lexosh ndërmjet disa statistikave, del qartë se kemi të bëjmë me një drejtësi jo të drejtë për të gjithë dhe që peshon shumë më shumë mbi individin ekonomikisht të varfër, në marzhin e shoqërisë të zhveshur nga pushteti.

Më konkretisht:

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme theksoi, ndër të tjera, se nga 31 481 procedime të regjistruara gjatë vitit 2017, shumica dërrmuese, 34%, përbëhej nga vjedhja e pasurisë. Pas vjedhjes, renditej ajo kundër rendit publik, cenimi juridik i tokës e më pas krimet në familje.

Njëkohësisht, ajo vuri në dukje një rritje prej 40% të procedimeve penale të lidhura me nenin 245/1 të Kodit Penal, që ka të bëjë me “ndikimin e paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Vjedhja, e cila përbën shumicën e procedimeve, është vepër penale realisht masive, por e parë në aspektin social, ajo të bën të mendosh se më së shumti kryhet nga një shtresë e popullsisë në shumicë me ekonomi të varfër (në këtë kategori janë futur edhe ata që kanë vjedhur energjinë elektrike). Kurse vepra tjetër, ajo e ndikimit të paligjshëm ndaj personave, që ushtrojnë funksione publike që në perceptimin publik është po ashtu masive, parë nga ana sociale kryhet nga persona me pushtet. Vetëm dikush që ka pushtet ekonomik apo shtetëror është në gjendje të ushtrojë ndikim me qëllim përfitimi. Po ashtu, edhe krimi i organizuar e ka në natyrën e tij të ekzistencës këtë lloj ndikimi. Procedimet penale në këtë fushë janë me rritje prej 40% thotë Prokurorja, por pa dhënë numrin e tyre ekzakt. Nuk tha gjithashtu sesa të pandehur janë referuar në Gjykatë e ndoshta edhe sesa syresh janë dënuar. Sigurisht, referimet janë shumë të pakta krahasuar me masivitetin e fenomenit. Edhe në raportin që mbajti, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme nuk e parashikoi këtë vepër penale në prioritetet absolute të saj, si një fenomen gangrenë për mungesën e stabilitetit më së shumti të administratës shtetërore dhe të lidhjeve të saj eventuale me krimin.

Po ashtu, Prokurorja nuk përmendi dhe nuk analizoi si një mangësi katastrofike edhe mungesën apo minimumin e procedimeve penale për simotrën e veprës së mësipërme penale, atë të parashikuar në nenin 328 të Kodit Penal: “Ofrimi ose dhënia e të hollave, bërja e premtimeve për vende pune ose favorizime të tjera të çfarëdo forme… për të marrë pjesë ose jo në votime përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj”. Edhe kjo kundërvajtje penale, më së shumti, ka për autorë mbajtësit e pushtetit ose më saktë militantët partiakë. Edhe kjo një nga kundërvajtjet shkak madhor për paqëndrueshmërinë e administratës. Vetë Kryeministri ynë e përmendi këtë fakt në plenumin e fundit të Partisë Socialiste, ku tha hapur se kryetarët e partive në rrethe nuk kanë për detyrë punësimin e njerëzve.

Probleme të tilla në raport ka me shumicë, por këto ilustrime janë të mjaftueshme për të kuptuar se qëllimi i organit të akuzës nuk duhet të jetë vetëm rritja e procedimeve penale vit pas viti apo edhe thjesht cilësia e tyre më e mirë. Rastet e ilustruara më sipër tregojnë qartë për një goditje që drejtësia ushtron me ashpërsi ndaj individëve të zhveshur nga pushteti në veprat penale të kryera masivisht dhe për mungesën e goditjes ose të goditjes minimale të individëve të pushtetit për vepra penale të të njëjtit intensitet. Dhe kjo, sepse drejtësia është e lidhur me pushtetin. Duke mos e pasur si shqetësim, ajo nuk po lë shpresë as për të ardhmen. Cilësia dhe drejtpeshimi i drejtësisë dallohet nga profili i personave që popullojnë burgjet.

Duke mos u bazuar në akuzat e shumta që vijnë nga politika për Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, për të qenë sa më neutral, do të shtoja se, mesa duket, KPK me gjithë kusuret e saj, pati të drejtë kur e cilësoi atë me mangësi në lidership. Por duket se Prokurores i mungon edhe vizioni. Dhe ky i fundit ka rëndësi, duke menduar se shenjat janë që ajo do të bëhet edhe e përhershme. Ose, të paktën, shumë gjatë e përkohshme.

*Ish-drejtor në Policinë e Shtetit

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura