Drejtësia e re dhe politika/ Maxhoranca, kundër Xhaferllarit se bashkëjeton me Alibeajn, por cilët janë të afërmit e eksponentëve të PS, në postet kyçe të drejtësisë

Nov 15, 2019 | 12:29
SHPËRNDAJE

Reformimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri është një investim kryesor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-së pas shqetësimeve të bizneseve të komuniteteve të tyre, që operonin në Shqipëri si fillim dhe perceptimit nga shqiptarët për drejtësinë e korruptuar në vendin tonë.foto

Thelbi i kësaj reforme është largimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar dhe krijimi i një sistemi të pavarur nga politika. Por sa është arritur një gjë e tillë? Që pas 21-22 korrikut të 2016-ës, Reforma në Drejtësi ka marrë akuza të vazhdueshme nga opozita se po kapet nga qeveria.

Por kjo qeveri është mbrojtur shpeshherë se procesi i reformimit të institucioneve të drejtësisë monitorohet nga ndërkombëtarët. Ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë është bërë shpeshherë temë debati mes maxhorancës dhe opozitës.

KUSHTETUESJA

Ngritja e Gjykatës Kushtetuese është rasti më flagrant i përplasjes maxhorancë-opozitë se kush po tenton ta kapë këtë institucion. Që nga dita e hënë, duke filluar nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dhe të tjerët me radhë kundërshtuan kandidaturën e Marsida Xhaferllarit për gjyqtare kushtetuese, jo duke i bërë vërejtje profesionale, por ngaqë sipas tyre bashkëjeton me demokratin Enkelejd Alibeaj.

Në një linjë me socialistët kanë qenë edhe Kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku, dhe kreu i KED-it, Ardian Dvorani. Të dy këta i kanë vënë zero pikë Xhaferllarit në vlerësimin e bërë për kandidatët për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Ata nuk kanë paraqitur ndonjë vërejtje mbi formimin e Xhaferllarit, e cila ka një karrierë të gjatë si ishdrejtuese e kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë apo kryeinspektore e Këshillit të Lartë Drejtësisë. Xhaferllari është penalizuar nga Kryeprokurorja në detyrë dhe kreu i KED-it për shkak të të kaluarës së jetës saj sentimentale.

Por brenda socialistëve ka disa raste të ngjashme që janë akuzuar, por që gëzojnë postet, si kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, i cili është kunat i Mimi Kodhelit, apo kunati gjyqtar i Xhafajt dhe e deri te vëllai i Eglantina Gjermenit. Socialistët nuk janë pas në sistemimin e të afërmve të tyre në sistemin e drejtësisë dhe disa herë janë akuzuar nga opozita, por nuk ka ndryshuar asgjë.

Gent Ibrahimi drejton tani Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ai është i martuar me motrën e Mimi Kodhelit dhe demokratët e kanë cilësuar emërimin e tij në qeverinë e prokurorëve si një dëshmi e kapjes së drejtësisë nga PS-ja. Fatmir Xhafaj është akuzuar herë pas here për vëllanë e gruas së vetë, Sokol Berberin, që arriti të bëhej gjyqtar kushtetues. Po ashtu, Xhafaj është akuzuar që bashkëpunëtorin e tij të vjetër kur ishte ministër i Drejtësisë, Ardian Dvoranin, e mbështeti duke e mbajtur si gjyqtar të lartë jashtë mandatit e duke e vendosur në krye të KED-it.

Familjarët e ministrave socialistë nuk mungojnë as në trupën e vetingut. Pamela Qirko, anëtare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe njëherazi është motra e ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Artur Metani, i cili mban postin e avokatit të shtetit, po ashtu është vëllai i deputetes dhe ish-ministres Eglantina Gjermeni. Metani njëkohësisht kandidon për një nga postet më të rëndësishme të drejtësisë së re, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura