“Drejtësi për drejtësinë”, të shkarkuarit e vetingut, letër Strasburgut: Proces inkuizitor

Feb 19, 2020 | 17:20
SHPËRNDAJE

BLEONA METUSHI/ Gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar në të dyja shkallët e vetingut kanë ngritur një shoqatë me emrin “Drejtësi për drejtësinë” dhe i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut me një letër mbi procesin.strasburg

Teksa kërkojnë të marrin pjesë si palë e interesuar në 10 ankimet e bëra në këtë gjykatë nga ish-kolegët e tyre, në emrin e shoqatës shkruajnë se me anë të letrës kërkojnë të shprehin shqetësimin për procesin e rivlerësimit që po ndodh në Shqipëri. Ishmagjistratët e konsiderojnë procesin të politizuar, ndërsa citojnë Kryeministrin Edi Rama, që e konsideron Reformën në Drejtësi si “Revolucionin Francez” në një fjalim të datës 4 tetor, në Konferencën Rajonale “It’s All About Justice”.

Më tej, gjyqtarët dhe prokurorët pretendojnë se anëtarët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nuk kanë kualifikimet e duhura dhe janë emëruar në atë detyrë, në disa raste edhe në shkelje të parashikimeve ligjore. Ndërkohë që argumentojnë se zgjedhja e tyre është bërë nga Kuvendi, pa pjesëmarrjen e asnjë përfaqësuesi të gjyqësorit dhe të gjithë vijnë nga radhët e administratës.veting

Kështu, thotë shoqata, këta anëtarë janë lehtë të ndikueshëm politikisht. Për anëtarët e Shoqatës “Drejtësi për drejtësinë”, procesi ka shkelje të të drejtave të njeriut dhe “paqartësisë së legjislacionit të posaçëm në këtë rast i është mbivendosur profili i ulët profesional e kulturor dhe për këtë shkak, paaftësia domethënëse dhe vulnerabiliteti i pjesës më të madhe të anëtarëve të institucioneve të vetingut”.

POLITIZIMI

Në letrën e drejtuar Gjykatës së Strasburgut që gazeta “Panorama” disponon, ish-magjistratët ngrenë pretendime për qëllimin e vërtetë të procesit, që sipas tyre po rezulton të jetë një proces “terminal që po kryhet nga njerëz jokompetentë”. Shoqata shkruan se nëpërmjet retorikës, eksponentë të ekzekutivit shfaqen sikur ta kenë në kontroll procesin dhe shprehen se po largon të korruptuarit.

“Vetë Kryeministri i vendit në një qëndrim publik, në prag të vendimit të BEsë për çeljen e negociatave me Shqipërinë, u shpreh se kjo gjë duhej të ndodhte, ndër të tjera, si vlerësim pikërisht dhe kryesisht i përmbushjes nga qeveria shqiptare të pritshmërisë së BE-së për një numër të tillë drastik shkarkimesh të magjistratëve, numër i cili madje ishte tejkaluar prej saj. Kryeministri në këtë rast e cilësoi procesin si revolucionin francez të Shqipërisë dhe vetingun si gijotinën e tij. Jo vetëm kaq, por suksesi i Reformës në Drejtësi, në diskursin politik dhe shoqëror të ditës në Shqipëri, identifikohet gjerësisht thjesht dhe vetëm me numrin e lartë të magjistratëve të shkarkuar, pa një analizë kritike shoqëruese me këtë rast.

Askush në vend nuk guxon të qortojë apo shprehë kritika ndaj procesit, pikërisht për shkak se qasja dhe retorika politike e ditës është frustruese ndaj çdo mendimi të tillë kritik, apo atij që e shpalos atë. Kjo është arsyeja kryesore që po Ju shkruajmë, të lënduar për atë që po na ndodh neve, por jo vetëm. Rëndom, përfaqësues të lartë të shumicës qeverisëse dhe ekzekutivit shqiptar, evokojnë pa hezitim procesin e vetingut, të cilin shfaqen sikur ta kishin nën kontroll, si një proces që po largon magjistratët e korruptuar, pa pasur asnjë bazë reale që kjo të mund të ketë ndodhur pikërisht për këtë shkak. Nëse një gjë e tillë do të ishte e vërtetë, sipas artikulimit të këtyre politikanëve të lartë, ajo do të përbënte vepër penale, çka nënkupton se deklarime të tilla do të përbënin cenim të hapur të parimit të prezumimit të pafajësisë për këta magjistratë”, shkruhet në letrën drejtuar Gjykatës.

SHKARKIMET

“Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, si instanca e parë e organeve që kryejnë procesin e vetingut, në mënyrë flagrante mban qëndrime të ndryshme për situata identike ose të ngjashme, duke shfaqur një qasje të dyfishtë ose shumëfishtë, në kurriz të parimit të sigurisë juridike.

Anëtarët e këtij institucioni, të cilët vetë hetojnë dhe vetë gjykojnë, në jo pak raste po shkojnë shumë larg në ushtrimin e diskrecionit të tyre për të krijuar ose moskrijuar bindje mbi faktet që i paraqiten për shqyrtim, gjer në kufijtë e arbitraritetit. Elementet e procesit të rregullt ligjor të parashikuara nga neni 6 i KEDNJ-së janë përmbysur”. Ndërkohë, shoqata e mbyll letrën me një shprehje të gjyqtarit të Strasburgut, Ledi Bianku: “Nëse shkenca juridike nuk bën punën e saj për të analizuar dhe gjykuar gjyqtarët, këtë ka rrezik ta bëjë as më pak e as më shumë, injoranca”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura