Drejtësi në fazën më kritike, kaos dhe mungesë totale vizioni

Jul 9, 2020 | 11:00
SHPËRNDAJE

EDUARD HALIMI edi halimi

Drejtësia është në kaos. “Është e dhimbshme, e ngadaltë dhe e papërsosur perifrazoi me të drejtë në mënyrë diplomatike ambasada amerikane në Tiranë javë më parë. Por, përpos kësaj, drejtësia është në fazën më kritike të saj: kaos i plotë. Le ta injorojmë në një moment të gjithë kurthin e retorikës se kush e do e kush nuk e do, kush e bëri mirë dhe kush e bëri keq punën këto vite.

Nuk dua të flas fare për të kaluarën sot, as për politikën dhe as për fajin e situatës, në të cilën ndodhemi sot. Qëllimi është të flas për Sot dhe për Nesër. Në fund të fundit, bie dakord me konkluzionin e ekspertëve të Venecias (prg. 38 i draft-opinionit, mars 2020)

“..Është e kotë të diskutohej nëse duhej parashikuar se çfarë do ndodhte me Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë”, apo pse nuk u dëgjua shqetësimi racional në atë kohë nga politika. Politikanët kanë më shumë leverdi të besojnë se arsyeja që ata nuk e kuptojnë të ardhmen, është se ata nuk kanë nevojë ta kuptojnë atë”, – thotë Yuval N Harari në bestsellerin e tij të fundit.

Për të sotmen duhen vetëm pak minuta për ta kuptuar fazën ku ndodhet drejtësia. Për të nesërmen duhet plan, duhet vizion që nuk e shohim kurrkund.

Sot, drejtësia është në kaos. Nuk kemi Gjykatë Kushtetuese. Askush nuk thotë kur do të jetë funksionale. E kam trajtuar gati një vit më parë këtë temë se pse ishte e rëndësishme ngritja e saj për zgjedhjet e 30 qershorit, zgjidhja e ngërçit politik etj., etj. dhe pse të gjithë ata që përsërisnin 1 vit më parë se do ngrihej pas një muaji (shtator 2019), ose gënjenin, ose nuk e besonin as vetë atë që thoshin.

Vendi është pa Gjykatë të Lartë. Pas emërimit të 3 anëtarëve të rinj, duhen edhe 16 të tjerë ta plotësojnë. Qytetarë e biznese presin pa fund. 35.000 dosje janë në pritje për t’u gjykuar. Dhe nuk ka asnjë datë, asnjë vizion, asnjë plan. Askush nuk thotë asgjë. Kur? Kur do ngrihet? Kur do fillojë të ulet ai dreq i malit të dosjeve?

Gjykatat e Apelit janë po ashtu drejt kolapsit së shpejti. Kaosi do mbizotërojë dhe atje. Nuk ka kërkesa për vendet vakante. Asnjë tryezë, asnjë grup ekspertesh, asnjë plan dalje përveç disa lëvizjeve minore nga organizatat partnere për të ndihmuar. Askush nuk thotë sesi do të parandalohet apo minimizohet kaosi që do vijë duke u mbyllur edhe Gjykatat e Apelit. Askush nuk ka asnjë plan (të paktën nuk e kam lexuar në publik) asnjë projekt për një dallgëpritës dhe për ringritjen e drejtësisë së re.

Gjykatat e Shkallës së Parë dhe prokuroritë nëpër rrethe janë po ashtu në kaos. Në pritje të vetingut të largët për ta, KÇK vijon njëlloj si me pare. Bankat shtojnë listën e zezë të anëtarëve të KÇK, të cilat i dërgojnë tek ILD çdo muaj.

Kaosi mbizotëron në të gjithë sistemin si kurrë parë. Të dënuar përjetë dalin papritur nga burgu dhe fatkeqit mbahen në burg. Ujku mjegull do.

Politika bën sikur nuk e sheh.

Në fund të mandatit të dytë, mjegulla nuk e bezdis aspak. Institucionet e reja të pavarura janë po aq keq.

Shihni KLGJ se në çfarë kaosi është. Mezi mori një vendim për muaj me radhë, të cilin disa e pëlqyen dhe disa të tjerë jo, duke më kujtuar historinë e Qarkut të Fierit në 2012, që u bë simbol i luftës politike për mosmiratimin e 3 ligjeve të famshëm të integrimit.

KLP duket se lajmet që prodhon janë historia e administrimit të kartolinave pa hyrë pastaj te niveli i përfaqësimit ku disa janë me veting e disa pa veting.

ILD akoma nuk ka as zyra dhe as staf dhe akoma nuk ka filluar asnjë procedim ndaj KÇK.

KPK nuk e di kur do ta mbarojë vetingun, nuk ka asnjë listë prioritare, zgjat me muaj e muaj zbardhjen e vendimeve dhe pastaj KPA as nuk arrin të parashikoje më tej se kur ajo do ta mbyllë procesin dhe do kemi një drejtësi të re, që do mbushë vendet e institucioneve të reja.

KED nuk e di kur do ta ngrejë Gjykatën Kushtetuese.

KLGJ nuk e di ku do ta ngrejë Gjykatën e Lartë. As KLP nuk e di se kur do fillojë të ndëshkojë ndonjë prokuror të KÇK. As ILD nuk ka bërë as edhe një kërkesë të vetme për Gjyqtarët e Prokurorët e KÇK dhe as nuk thotë kur do fillojë të lëvizë. Më thoni: Ça dreqin duhet më shumë për të thënë se drejtësia është në fazën më kritike të saj: kaos i plotë!

Drejtësia është e ngadaltë, në kaos, por pa vizion. Institucionet e reja që ua besuam administrimin e drejtësisë janë kthyer thjesht si administratë e rëndomtë, por të superpaguar, të veshur bukur dhe me badigardë pa fund.

Drejtuesit e institucioneve nuk e udhëheqin dot drejtësinë. Ata bëjnë të mundur që anëtarët e tyre të marrin rrogat e larta dhe dietat për vështirësi në punë, fiks në datën e caktuar, të mbrohen nga bodigardët çdo mëngjes te pinë kafe lokaleve të Bllokut, apo shtrohen restoranteve të rrethuar me dhjetëra bodigardë, të paguajnë shoferët në ditën e caktuar dhe të kujdesen që sistemet e ujërave të zeza të institucioneve të mos bllokohen, por nuk kanë asnjë ide se ku do jetë drejtësia pas 1 viti, lëre pastaj pas 5 vjetësh. Fare!

Ata e kuptojnë detyrën si një drejtor i rëndomtë administrate, që duhet të ngrihet në mëngjes, të marrë shoferin, të shkojë në zyrë dhe të presë të mbarojë orarin zyrtar, duke u marrë thjesht si një administrator mediokër. Sot, në 2020, ata që ua besuam drejtësinë, nuk kanë asnjë vizion, asnjë ide se ku do jemi në 2021, lëre pastaj në 2025. Nuk arrijnë të na thonë se kur do dalim nga kaosi. Se çfarë dreqin do bëjnë dhe kur do t’i ngrenë gjykatat e reja të ngelura bosh prej vetingut. Zero!

Dhe nuk po u kërkojmë që të bëjnë parashikime sesi do të jetë drejtësia apo tregu ligjor i 2025, as të flasin për tregun e drejtësisë, teknologjinë e së ardhmes, inteligjencën artificiale në banka, sigurime dhe përgatitjen e gjyqtarëve e prokurorëve për këtë treg. Jo, aspak, edhe pse edhe për këtë paguhen. Por jo. Po u kërkojmë thjesht të bëjnë punën e tyre bazike: të planifikojnë sesi do dalin nga kaosi aktual, duke ngritur Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese dhe si do të shmangin kolapsin në të ardhmen e afërt me Apelet në Shqipëri. Si do ngrenë dallgëpritësit që mos të na vijnë sërish. Mos po i kërkojmë shumë?

Disa nga kolegët dhe ish-kolegët më kanë thënë këto ditë se: duhet t’ia lëmë në dorë dhe t’i lëmë të qetë, pasi këto janë vendimet të mëdha dhe për këtë ndoshta do vendosë koha dhe se, sado keq të bëhet sërish ndihma e partnerëve tanë do të vijë dhe ata nuk do na lënë në batak e kaos, siç kanë bërë në këto 30 vjet. Ndoshta. Edhe mund t’i lëmë. Por kjo do ishte t’u jepnim mundësinë e shfajësimit më të mirë për mosveprimin dhe injorancën e disa prej udhëheqësve të këtyre institucioneve, të cilat mund të interpretohen si urtësi apo pavarësi nga të gjithë. Ndaj jo. Nuk jam dakord që t’i lemë e të presim se ndoshta vendimet do bëhen vetë apo miqtë do na ndihmojnë kur të bëhet akoma më keq. Unë mendoj se në një sistem kaotik ku është zhytur drejtësia, vizioni si në tunel është zgjidhja dhe ka një avantazh të jashtëzakonshëm.

Po si do dilet nga kaosi?

Politika mund të bëjë gjë?

Presidenti e fitoi betejën e tij për mbrojtjen e Kushtetutës. Dhe për këtë nuk ka nevojë fare për avokati. Venecia i dha të drejtë. E vetmja gjë që mund të them, është se ai i ka bërë një shërbim të madh vendit në lidhje me debatin, edhe pse u harxhua kaq shumë kohë e energji për t’i ikur një kaosi në KED, i njëjtë si ai Ndrekos së Fierit para 8 vjetësh. Ai mund të përgëzohet për formimin e ekipit të këshilltarëve të brendshëm apo të jashtëm që e kanë ndihmuar për të qenë ndoshta Presidenti më i fokusuar në jurisprudencë në këto 20 vitet e fundit. Por kaq. Ai s’mund të bëjë më shumë.

Opozita jashtë Parlamentit nuk ka asgjë në dorë. Fare. As nuk ndihmon dhe as nuk pengon. Ka më pak në dorë se çdo gazetar i këtij vendi. Dhe ka marrë një vendim të drejtë, duke mos u përfshirë fare në këtë debat. Duke e injoruar si një kurth që qeveria do ta tërheqë e ta fajësojë, siç ka bërë këto 5 vjet. Dhe bën shumë mirë që i rri larg.

Parlamenti, qeveria dhe partia, si një e tërë, filloi disa ide për të ndryshuar ligjet e Reformës, të cilat me gjasa u denoncuan shpejt te partnerët se nuk kishin qëllim të mirë dhe pastaj ata u dorëzuan. Qartë dukej se qëllimi mund të ishte të ndryshoheshin kriteret që të mbushej djepi i lënë bosh. Dhe këtu, sërish PD ka shumë të drejtë të mendojë se më mirë djepi bosh sesa shejtani të futet brenda me duart e tij.

Dhe ja ku jemi. Drejtësia është në kaos dhe nuk ka asnjë plan dalje. Edhe plani që denoncoi Ambasada USA me gjasë u shkatërrua dhe PD e përshëndeti me të drejtë, pasi kuptoi se shejtani po fuste duart.

Kështu, sot 4 vjet pas, pa iu rikthyer fare retorikës dhe pa rënë fare në kurthin kush e do, e kush nuk do më shumë reformën, duhet thënë qartë se drejtësia është në fazën e saj më kritike, në kaos. Dhe nuk dua fare të merrem me përgjegjësit dhe as të gjykoj njeri se nuk kam asnjë të drejtë ta bëj këtë, por që duhet kërkuar nga ata që mirëpaguhen dhe ua besuan drejtësinë një plan i qartë dhe një vision, nuk kam asnjë mëdyshje. Nëse nuk e kanë as planin dhe as vizionin, por e kuptojnë punën e tyre vetëm si administratorë për të paguar rrogat dhe mirëmbajtur godinën, le ta lënë dhe ta bëjë dikush tjetër. U jap plotësisht të drejtë atyre që nuk lejojnë plane për ndryshime ligjesh, qoftë opozita, qoftë partnerët.

Por, ama, një plan duhet. Duhet për vendin, duhet për biznesin, duhet për qytetarët që presin të ngrenë gjykatat e reja dhe parandalojnë kolapsin edhe me Apelet që po troket. E di se ndoshta sërish nuk do dëgjohet zëri siç nuk u dëgjua një vit më parë, por qëllimi për të cilin e nisa shkrimin është sensibilizimi.

Nga kaosi duhet dalë sa më shpejt dhe një plan për drejtësinë 2020-2025 duhet bërë sa më shpejt. Jo nga politika, por nga ata që ua besuam: Institucionet e pavarura!

Dhe në këtë kaos e përsëris, vizioni si një tunel është zgjidhja që ka një avantazh të jashtëzakonshëm.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura