Drejt një reforme të thellë të veprimtarisë së ndërtimit

Dec 27, 2019 | 10:03
SHPËRNDAJE

ALUSH ZAÇE & IDLIR DERVISHI

Tërmetet e fundit në Shqipëri, përveçse evidentuan kushtet jo të mira të ndërtesave në të cilat jetojnë shumë familje shqiptare treguan se dhe në rastet kur ato janë të mira në dukje, respektimi i normave teknike të zbatimit dhe në disa raste të projektimit, është shumë larg standardeve europiane. Pasojat në objektet ndërtimore na diktojnë që të reflektojmë për mënyrën se si duhet t’i konceptojmë dhe t’i realizojmë veprat inxhinierike. Përgjegjësia e garantimit të integritetit fizik, shëndetësor të çdo qytetari shqiptar dhe stabilitetit financiar të vendit u përket institucioneve shtetërore. Edhe përgjegjësia e garantimit të integritetit të të gjitha strukturave ndërtimore u përket institucioneve shtetërore. Por a është në fokusin e shtetit shqiptar, megjithë zhvillimin e vrullshëm të ndërtimit 30 vitet e fundit, kontrolli i cilësisë së realizimit të veprave ndërtimore, siç ka qenë kontrolli për ruajtjen e rendit publik, kontrolli në sistemin shëndetësor dhe kontrolli në sistemin financiar? Tërmeti evidentoi shumë pika të dobëta në veprimtarinë ndërtimore, ku shkaqet e ekzistencës së tyre fillimisht duhet të kërkohen te mosfunksionimi si duhet i disa institucioneve shtetërore, por pa përjashtuar në asnjë moment pafuqinë e tyre ndaj papërgjegjshmërisë së subjekteve private që operojnë në sektorin e ndërtimit.

Nisur nga faktet e mësipërme, Kontrolli i Lartë i Shtetit në shtator të vitit 2018 nisi një auditim me temë “Sigurimi i cilësisë së veprave ndërtimore”, ku objektivi kryesor ishte analizimi i institucioneve përgjegjëse në hartimin e politikave dhe zbatimin e ligjshmërisë, që lidhet me disiplinimin e punimeve të ndërtimit, me synimin që t’i garantojnë komunitetit mundësinë e jetesës dhe përdorimin e ambienteve të garantuara nga ana e qëndrueshmërisë teknike dhe cilësisë së tyre. Nëpërmjet këtij auditimi u evidentua niveli i arritjes së objektivave e kontrollit të cilësisë së projekteve dhe produkteve të ndërtimit, si dhe ndikimet që ato japin në sigurimin e cilësisë së veprave ndërtimore, me synim parandalimin e situatave të kolapsit në raste të jashtëzakonshme. Ky auditim u përqendrua fillimisht në Institutin e Ndërtimit, si institucion i ngritur për të siguruar një nivel të lartë të mbrojtjes së qytetarëve, për të krijuar besim dhe garanci për qëndrueshmërinë në objektet e ndërtimit në vendin tonë dhe më pas u shtri edhe në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë si institucion epror, si dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit, si dy institucione të rëndësishme që menaxhojnë fondet publike për ndërtimin e veprave të ndryshme inxhinierike. Gjetjet paraprake të auditimit u paraqitën në subjekt në muajin prill të vitit 2019, ndërsa raporti përfundimtar i auditimit, së bashku me gjetjet dhe rekomandimet, u publikuan në shtator 2019.

Një nga gjetjet kryesore të auditimit është se veprimtaria e Institutit të Ndërtimit (IN) për të ndikuar në sigurimin e cilësisë në objektet ndërtimore nuk ka qenë efektive, ku pikë së pari veprimtaria e tij nuk garantohet me ligj, por vetëm me urdhër të ministrit të Punëve Publike nr. 225, datë 29.06.2004, “Për Krijimin e Institutit e Ndërtimit”. Ndër vite, Ministria e Infrastrukturës, Zhvillimit Urban ose e Punëve Publike, duke mos u angazhuar në plotësimin e kuadrit ligjor mbi organizimin dhe funksionimin e Institutit të Ndërtimit, ka dështuar të plotësojë kuadrin ligjor që do të ndikonte në sigurimin e cilësisë së objekteve të ndërtimit, nëpërmjet kontrollit të cilësisë së produkteve dhe dhënies së oponencave teknike për objektet ndërtimore. Në cilësinë e institucionit epror të IN, MIE duhet të iniciojë hartimin e një ligji ose VKM-je “Për organizimin dhe funksionimin e Institutit të Ndërtimit”, ku të përcaktohen qartë detyrat dhe detyrimet e Institutit të Ndërtimit, ku ky institucion të ketë rolin kryesor në rregullimin e veprimtarisë së ndërtimit, në kontrollin e cilësisë së projekteve nëpërmjet oponencave teknike, në publikimin dhe azhurnimin e shpejtë të kushteve teknike të zbatimit dhe në kontrollin e cilësisë së materialeve të ndërtimit që përdoren në territorin e Republikës së Shqipërisë, nëpërmjet provave laboratorike. Mungesa e një stafi të kompletuar teknikisht, rekrutimi i punonjësve jashtë profilit dhe pa eksperiencën e domosdoshme, si dhe mungesa e një laboratori të paakredituar, ka sjellë dhënien e oponencave jocilësore dhe mungesën e kontrollit të produkteve ndërtimore, duke e kthyer këtë institucion në një zyrë të thjeshtë punësimi, që siguron të ardhurat për vetëfinancim.

Instituti i Ndërtimit, duke mos pasur një rregullore të qartë për sa i përket realizimit të oponencave teknike të projekteve, ku kryesisht ato paraqiten si një inventarizim i dokumentacionit të projekteve dhe jo një oponencë e detajuar e elementeve të projektit. Mangësitë dhe devijimet nga standardet e projekteve, IN duhet të japë vlerësime shteruese në lidhje me cilësinë e projekteve dhe jo evazive, siç është bërë deri tani. Instituti i Ndërtimit duhet të shprehet qartë për konkluzionin mbi konformitetin me kushtet teknike të projektimit, duke dhënë tri lloje opinionesh përfundimtare për oponencën teknike të çdo objekti: a. Projekti është i plotë dhe oponenca të shprehet CERTIFIKOHET; b. Projekti ka mangësi që nuk cenojnë kërkesat themelore dhe oponenca shprehet CERTIFIKOHET ME REZERVË (Për plotësim); c. Projekti nuk plotëson kërkesat themelore dhe oponenca shprehet NUK CERTIFIKOHET deri në plotësimin total të projektit dhe dokumentacionit të nevojshëm, si dhe kthimin e projektit të rishikuar për oponencë.

Po a i ka shërbyer kuadri aktual rregullativ dhe administrativ në fushën e ndërtimeve, përmirësimit të sigurisë së objekteve ndërtimore? Baza ligjore për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit duhet të përshtatet me dinamikën e zhvillimit të ndërtimit në vitet e fundit. Në lidhje me normat e projektimit të strukturave, janë akoma në fuqi “Kushtet Teknike të Projektit të vitit 1978-1980 të përditësuara në vitin 1989”, megjithëse mungesa e përditësimit në përputhje me norma më të avancuara nuk i ka penguar inxhinierët projektues të përdorin normat europiane dhe ndërkombëtare. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë duhet të marrë të gjitha masat për hartimin dhe publikimin e kushteve të reja teknike të projektimit, duke iu referuar standardeve të vendeve fqinje me aktivitet të ngjashëm sizmik me vendin tonë ose t’u referohet eurokodeve.

Shqipëria rrethohet nga vende si Italia dhe Greqia, të cilat kanë një kulturë të veçantë të realizimit të veprave ndërtimore, duke qenë se janë vazhdimisht të ekspozuara ndaj fatkeqësive natyrore si tërmete dhe përmbytje. Këto kultura duhet të jenë dhe guri i themelit të reformimit të thellë të mënyrës së projektimit dhe ndërtimit të veprave inxhinierike.

Por përveç përditësimit të normave të projektimit dhe zbatimit, rëndësi të veçantë ka dhe mënyra e realizimit në terren i veprave inxhinierike. Në Universitetin Politeknik të Tiranës (por edhe në institucionet arsimore private), diplomohen inxhinierë me kualifikimet e duhura për t’u përballur me dinamikat e zhvillimit të ndërtimit. Për të realizuar struktura inxhinierike sipas standardeve më të mira, nuk mjafton vetëm prania e inxhinierëve projektues ose zbatues të kualifikuar dhe zbatimi i rregullave prej tyre, por është një zinxhir i gjatë profesionistësh, duke filluar nga teknikët e ndërtimit, karpentierët, muratorët, hekurkthyesit etj., të cilët duhet të jenë të kualifikuar dhe të përgjegjshëm. Qeveria shqiptare duhet të ketë një vëmendje të veçantë te shkollat profesionale, të cilat kualifikojnë profesionistët e sipërpërmendur. Nisur nga sa sipër, reforma e veprimtarisë së ndërtimit në Shqipëri duhet të mbështet në katër kolona kryesore: 1) Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës (duke përfshirë dhe institucionet e varësisë si Instituti i Ndërtimit, IKMT, ARRSH etj.), 2) Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore (bashkitë), 3) Universiteti Politeknik i Tiranës (duke përfshirë dhe institucionet arsimore private) dhe 4) Shkollat profesionale (ish-teknikumet). MIE si institucion politikëbërës duhet të hartojë politika, të cilat nxisin rritjen e cilësisë së realizimit të punimeve të ndërtimit dhe nëpërmjet institucioneve të varësisë, si Instituti i Ndërtimit, duhet të ushtrojë kontrolle të vazhdueshme të cilësisë së projekteve dhe realizimit të veprave inxhinierike. Bashkitë duhet të fuqizojnë kapacitetet e tyre profesionale të departamenteve të projektimit dhe të planifikimit të territorit, duke qenë se janë një nga aktorët kryesorë të dhënies së lejeve për zhvillim dhe investimeve në infrastrukturë. Universiteti Politeknik i Tiranës (duke përfshirë dhe institucionet arsimore private), me një fokus më të madh nga qeveria shqiptare, duhet të bëhen një pikë referimi për sa i përket kërkimit shkencor dhe zhvillimit të teknikave të reja të projektimit dhe zbatimit të veprave inxhinierike. Shkollat profesionale (teknikumet) duhet të marrin financime më të mëdha, në mënyrë që të rrisin kapacitetet e laboratorëve dhe krijimin e kushteve më të mira, për të tërhequr më shumë nxënës, të cilët të diplomohen dhe të kualifikohen si: teknikë ndërtimi, karpentierë, muratorë, hekurkthyes dhe më pas të zbatojnë në mënyrë profesionale normat e reja të projektimit dhe zbatimit të punimeve të ndërtimit.

Këto duhet të jenë hapat e parë për një rrugë të re, e cila të çojë në përmirësimin e cilësisë së realizimit të veprave inxhinierike dhe rritjen e sigurisë së tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura