DRAMA/ Pasionet dhe marrëzitë e 4 grave të çuditshme të Kosovës

Jan 22, 2016 | 10:00
SHPËRNDAJE

Në shfaqjen “Lufta në kohën e dashurisë”, katër gra të çuditshme të Kosovës rrëfejnë intimitetet, pasionet, marrëzitë, sekretet dhe dëshirat e tyre. Ato kanë krijuar një botë të përbashkët imagjinare, ku loja e argëtimi bëhen streha e tyre për të mbijetuar. 28 skenat e shfaqjes fluturojnë para publikut, si në përrallat me magjistarë, duke shpalosur me humor, stereotipa e klishe sentimentale, tregime e muhabete grash: për dashurinë, frikën, hakmarrjen dhe të shkuarën e trishtë.

Jeton Neziraj
Jeton Neziraj

Sado që gjithçka mund t’u tingëllojë ‘hot’, ju bëjmë me dije se asnjëra nga aktoret nuk është zhveshur nudo në skenë. Jeni të dëshpëruar? Epo, ta hajë dreqi, në çdo dy shfaqje në Europë sot sheh nga një aktor apo aktore tek zhvishet në skenë. Por jo, jo në këtë shfaqje.

Më së shumti, çka do të shihni janë këllqet e këmbëve, shuplakat e duarve, qafat dhe fytyrat e qeshura të këtyre katër aktoreve të mrekullueshme, kaq. E, të mos harrojmë. Në shfaqje ka edhe një aktor mashkull (por mos u shqetësoni, nuk është aspak i dhunshëm).

Si i keni bërë bashkë ato 4 gra? Di që kjo dramë ka nisur pa pasur një bosht konkret. Si mori formë dhe u bë për të treguar çfarë…?

Drama është shkruar në vitin 2007, pra, para rreth 8 vitesh. U nis si një projekt i Qendrës Multimedia nga Prishtina dhe Teatrit Nomad nga Londra. Dhe kur e nisëm projektin, krejt çka kishim ishte titulli “Lufta në kohën e dashurisë”. Dëshironim të realizonim një shfaqje për dashurinë, e ku ahoja e luftës është e largët, si një gërvishtje nga një kohë e hershme.

Dhe, para së gjithash, dëshironim që shfaqja të perceptohej përmes “dioptrisë” së grave. Regjisori nga Londra, Luke Dixon, solli në Prishtinë dy aktoret angleze, ndërsa në Prishtinë, zgjodhëm dy aktore të tjera (Arta Selimi dhe Anisa Ismaili) për të filluar projektin. Nuk kishte asgjë në letër, pos këtij titulli. Pra, e filluam nga “tabula rasa”.

Takoheshim çdo ditë në teatër dhe, mbas ritualit të përditshëm të pirjes së çajit rus, vazhdonim me punë në skenë, duke eksploruar rrëfimet e ndryshme nga eksperiencat e grave, para së gjithash, duke synuar të shohim se ku janë dallimet dhe ngjashmëritë e këtyre eksperiencave, mes grave në Angli dhe atyre në Kosovë. Aktoret rrëfenin tregimet e tyre intime, ndodhitë e dëgjuara, shprehitë e grave, ndërsa unë, shkruaja tërë kohën.

Mbas kësaj faze të parë të punës, shkrova një draft të parë të dramës. Ekipi, mbas një kohe, u zhvendos në Londër, ku punuam edhe rreth dy javë, dhe ku patëm prezantimin e parë të shfaqjes. Mbas kësaj, unë natyrisht jam kthyer dhe e kam shkruar draftin final të kësaj drame.

Nga ajo kohë, kjo dramë është vënë në skenë në Amerikë, dy herë në Francë, vjet në Kosovë dhe këtë vit do të prodhohet në Turqi. Është përkthyer në 10 gjuhë dhe ka pasur disa botime në vende të ndryshme.

4 gra

Pse i keni vendosur ato në një sallon bukurie?

Gjatë provave me katër aktoret e shfaqjes, shumë shpesh përmendej salloni i bukurisë. Jo vetëm për faktin që gratë shpenzojnë mjaft kohë aty, por edhe sepse aty mund të dëgjohen rrëfime të gjithfarshme. Pra, është një miniunivers që në qendër ka gruan dhe botën e saj intime. Megjithatë, kur filluam të mendojmë dhe hulumtojmë më shumë, kuptuam se, mbas luftës në Kosovë, sallonet e bukurisë ishin shtuar ndoshta dhjetëfish.

Si pompat e benzinës, apo si pishinat. Dhe disi, u bë e qartë se salloni i bukurisë mund të përdorej edhe si një metaforë për “shpëtimin” që gratë synojnë të gjejnë. Përmes shndërrimit, ato ndoshta synojnë të ikin nga e kaluara e tyre, të fshehin gjurmët e dhimbjeve dhe traumave të tyre…

Ç’nënkupton kjo botë imagjinare e grave? A jeton pak secila prej nesh në një realitet të pjesshëm, pa të cilin bota bëhet e pamundur?

Tani, vërtet s’kisha dashur të luaj ekspertin… megjithatë, në këtë pikë, besoj që bota femërore nuk dallon shumë nga ajo mashkullore. Sepse thjesht, si femrat, ashtu edhe meshkujt, në raste të ndryshme shpesh fluturojnë përtej realitetit, ose për ta argëtuar veten, ose për të kërkuar shpëtim, apo se, thjesht, përmes këtyre ikjeve synohet të “goditet” realiteti i vrazhdë.

Shpesh më është bërë pyetja se a mund të shkruajë një shkrimtar për çështje kaq intime të grave. Para së gjithash, duke iu referuar sallonit të bukurisë dhe krejt atyre milionë çudive nëpër të cilat kalojnë gratë. Pyetja bëhej, me synim që të zhvlerësohej autenticiteti i dramës. Mendoj që këto janë klishe të tejkaluara.

Sigurisht, them që është e mundur, pasi shkrimi, falë Zotit, nuk është i kufizuar vetëm në “përvojat personale” të vet shkrimtarit. Natyrisht, në rastin tim, unë kisha edhe një lloj “legjitimiteti”, për faktin se drama ishte shkruar në një proces kaq bashkëpunues me këto katër aktore.

Pra, unë në njëfarë mënyre, isha vetëm një lloj “kronisti” i atyre përvojave dhe, pjesa tjetër ishte punë e pastër “dramaturgjike” e dhënies formë të materialit dhe krejt atyre “lajle-luleve” të tjera.

A vërtitet e gjithë jeta e grave rreth shfryrjes kundër burrave?

Uh, tani m’vutë në siklet. Vërtet, këtë gjë nuk mund ta konfirmoj. Mund ta pyes gruan nëse doni, por prapëseprapë, s’e di sa mund të flasë ajo në emër të grave!

Me gjasë, duhet të nisim një projekt të dytë teatri dhe ta hulumtojmë këtë çështje më thellë dhe përmes perspektives së grave. Atëherë, përgjigja që del nga shfaqja e teatrit do ta kishte një lloj legjitimiteti. Ose, së paku, “legjitimitet artistik”.

A nuk shihni mes tyre njëfarë paqeje, diku, dikur? Apo vetëm seksi është çlirimi dhe hakmarrja?

Kjo pyetje po më kujton komedinë e njohur të Aristofanit, “Lisistrata”. Lisistrata simbolizon gratë greke që i privojnë burrat nga “privilegjet” seksuale, me qëllim që kështu, ata të hiqnin dorë nga lufta e Peloponezit. Sikur t’i përgjigjesha kësaj pyetjeje në ndonjë periudhë kohore kur të isha i acaruar me gruan, me siguri se do ta konfirmoja pyetjen/pohimin tuaj.

Por, për ta pasur ndërgjegjen e pastër, tani për tani, nuk mund ta konfirmoj atë gjë. Por, shakatë mënjanë… Unë mendoj që një ndarje kaq e kollajshme mes burrave dhe grave është jo e drejtë dhe joserioze. Para së gjithash, sepse gjërat që bashkojnë burrat dhe gratë janë të shumta. Nuk shoh se mund të bëhen përgjithësime kaq radikale.

Secili çift bashkëshortor është univers në vete. Ka gra që jetojnë në paqe me burrat e tyre, ashtu siç ka gra që synim kanë vetëm hakmarrjen. Ose, më e besueshmja është të thuhet se, burrat dhe gratë jetojnë në paqe të përgjithshme në të cilën gjenden dashuria, grindjet, hakmarrjet, seksi, respekti, urrejtja e shumëçka tjetër.

Pse është tragjik fundi i të gjithave?

Nëse po i referoheni dramës, atëherë mendoj që “fundi tragjik” ka ardhur natyrshëm. Dhe në njëfarë mënyre, shumë njerëzve nga këto hapësira, që kanë kaluar nëpër tmerret e luftës, e posaçërisht shumë grave, me gjithë paqen që mund të gjejnë gjatë jetës së tyre, gjurmët e luftës do t’u peshojnë mbi shpinë si një gur varri. Lufta, fatkeqësisht, nuk përfundon atëherë kur përfundon lufta.

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura