Drama kombëtare e lumenjve

SHPËRNDAJE

NDUE DEDAJndue-dedaj

Në Zall Gjoçaj të Selitës është ngritur një çadër, ku banorët i bëjnë rojë lumit të tyre, që të mos ua grabisë hidrocentrali.

Askujt nuk i kishte shkuar mendja se do të vinte një ditë që njerëzit e malësive tona do të ngriheshin në protestë për të ruajtur sot lumin e nesër malin, çdo pasuri natyrore të “egër”, që i ka mbijetuar deri tani tranzicionit grabitqar. Një “çadër”, në të vërtetë një barrikadë, ka kohë që është ngritur dhe para godinës së Teatrit Kombëtar në Tiranë, edhe ajo për të njëjtin qëllim, që godinën të mos ua prishë qeveria dhe bashkia për të ndërtuar në vend të saj kullat e reja shtatlarta të Tiranës dhe teatrin e ri në hijen e tyre. Kështu si ka ardhur puna, ka gjasë që çadra, nga një mjet i përdorur nga opozita për të protestuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, të kthehet në një simbol të rezistencës së banorëve kundër lakmisë së pushtetit dhe oligarkisë për të tjetërsuar e përvetësuar pronat publike. Ndaj, nuk është për t’u habitur nëse nesër do të shohim çadra të tilla dhe në bregdetin e Vlorës, Durrësit etj., ngulur prej banorëve që duan të mbrojnë tokat nga dallaveret e personave me pushtet, koncesionet e dyshimta etj. Lidhur me HEC-et, gjithçka zhvillohet underground, si në një tunel të errët, fshehtas publikut, i cili, i gjendur para faktit të kryer, përballet i zemëruar me kompanitë atëherë kur makineritë marrshojnë drejt brigjeve të lumenjve. Njëherësh drejt maleve vrapon dhe Policia me mjete të rënda, a thue se janë kthyer “diversantët”? Asnjë e keqe nuk i vjen rendit publik nga njerëzit që duan të mbrojnë burimet e veta jetike trashëguar gjysh pas gjyshi. Shteti e ka për detyrë ta mbrojë sipërmarrjen private, por jo kur ajo iu bën karshillëk të zotëve të pasurive publike, tashmë duke u hequr sipërmarrësit si pronarë, të cilët nuk do të ishin aq të vendosur sa hiqen, po të mos kishin shtetarët nga pas që i mbajnë.

Në Zall Gjoçaj, që administrativisht shkon me Matin, banorët janë ngritur në mbrojtje të lumit të Flymit, për më tepër pjesë e Parkut Kombëtar Lurë – Dejë. Është vetëm njëra nga vatrat e pashuara të protestës, pasi ato ka kohë që janë aktive në gjithë Mirditën e më gjerë, kanë nisur në Kurbnesh, për të mos lejuar ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin e Urakës, kanë vazhduar në Kaçinar, çdo javë, për të penguar ndërtimin e katër hidrocentraleve mbi lumenjtë e zonës e po ashtu dhe në Fan. Duket sikur lumenjtë janë një problem lokal, periferik, jashtë vëmendjes së metropolit politik, deri diku dhe atij mediatik. Beteja, përpos se në terren nga banorët, më së shumti është zhvilluar në rrjetet sociale, që kanë meritë në sensibilizimin ndaj hidrocentralizimit të vendit. Babëzia e hidrocentraleve nuk është thjesht punë e disa sipërmarrësve, që iu ka shkrepur në kokë t’i bëjnë zap lumenjtë e përrenjtë e Shqipërisë, një për një, por me të janë të lidhur me fije të padukshme interesa të shumëfishta përfituesish të paligjshëm. Ndryshe nuk ka se si të miratohet me aq lehtësi, me një “shkelje të syrit”, nga këshillat bashkiake heqja e tokës nga fondi pyjor dhe kalimi i saj në dispozicion të kompanive ndërtuese. Ashtu siç të gjitha ankimimet në gjykata të banorëve i fitojnë kompanitë ndërtuese, në Tropojë, Tiranë etj. Teksa “Fiks Fare” solli para publikut me zë dhe me figurë falsifikimin e firmave të banorëve për ndërtimin e hidrocentralit të Hormovës në Tepelenë. E njëjta praktikë është ndjekur gjithandej, duke u mbledhur firma të gjallësh dhe të vdekurish, që të kujton “Shpirtra të vdekur” të Gogolit.

BANORËT PROTESTUES DUHEN PARË JO SI NJË TURMË E REBELUAR, POR SI NJË INSTITUCION PUBLIK

Protestat kanë nisur para më shumë se dhjetë vitesh, kur banorët e Qafë-Mollës në Rrëshen protestonin për mosndërtimin e hidrocentralit mbi lumin Fan i Madh. Hyri Policia dhe hidrocentrali e jo vetëm që zuri krejt shtratin e Fanit të Madh, por përlau me anë të një tuneli, në Reps, edhe ujin e lumit tjetër binjak, Fanit të Vogël. Protestat kulmuan në Valbonë, kurse lumi tjetër i Alpeve shqiptare, Cemi, është furur në tuba të mëdhenj përgjatë bregut pa bërë askush zhurmë, si të mos ishte pjesë e kësaj republike. Protestave të shumta, të gjithandejshme, u janë bashkuar dhe banorët e Zerqanit në Dibër kundër ndërtimit të hidrocentralit të Valikardhës, apo ata të Çidhnës etj. Por nëse institucionet tona kanë qenë të vakëta, e “drejta” e lumenjve i ka kaluar kufijtë dhe institucionet shqiptare. Mbi dyqind dijetarë dhe ekspertë mjedisorë të huaj i janë bashkuar shqetësimit të atyre shqiptarëve për ta shpëtuar lumin e Vjosës nga betonizimi galopant i HEC-ve. Aq alarmante është çështja e hidrocentraleve në Shqipëri, sa është diskutuar dhe në Parlamentin Europian, që ka lëshuar dhe një “qarkore” në mbrojtje të lumit të Vjosës, për shkak të ekologjisë së tij unike, si lumi i fundit i egër i Europës. Vetë reporteri i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, është shprehur se “lumi i Vjosës përbën një ndër potencialet më të mëdha të zhvillimit të turizmit në Shqipëri”, duke shtuar se modeli i turizmit në Austri është më i përshtatshmi për Shqipërinë me lumenj si Vjosa etj. Por a do të dëgjohet Europa? (Siç është bërë me dije, për mosprekjen e Vjosës, ka reaguar dhe aktori i njohur amerikan i Hollivudit, Leonardo di Capro.) Apo do të duhet që dhe atje banorët të ngrenë çadra për të mbrojtur lumin e tyre? Parlamenti i Europës del në mbrojtje të një lumi shqiptar, siç është Vjosa, kurse Kuvendi i Shqipërisë për çfarë nuk flet, por nuk denjon të vërë në axhendën e tij betonizimin e paprecedent të lumenjve të vendit të vet.

Projekti i ndërtimit të rreth 1000 hidrocentrale (shifra e përmendur në Parlamentin Europian) në vendet e Ballkanit, nuk është një ide për t’u përshëndetur, sado synimit të Europës për ta shndërruar këtë rajon në një superfuqi energjetike, edhe sikur këto vende të ishin në BE, ku dihet që ka rregulla të tjera loje dhe jo në gjendjen e sotme ku “ligjin” e bën korrupsioni, që përcakton politikën dhe ekonominë e tyre. Të gjithë e sjellin në vëmendje betejën për shpëtimin e lumit të Radikes në Dibër të Madhe, para pesë vjetësh, për të cilin u protestua dhe në Tiranë, kurse në tetor pati protesta nga banorët e Bitisë së Poshtme të komunës së Shtërpcës në Kosovë, kundër ndërtimit të 6 hidrocentraleve të vegjël në lumin Lepenc në malet e Sharrit, duke theksuar se me atë ujë mbajnë tokën dhe bimët. Ata nuk janë sprapsur edhe mbas ndërhyrjes së Policisë. Kjo që po ndodh me ne, për botën euroatlantike nuk është një gjë e panjohur. Protestat e sotme anti-HEC, në të gjithë rajonin, janë paraprirë, prej disa dhjetëvjeçarësh, nga ato të europianëve dhe amerikanëve, që kanë vënë veton kundër marrjes së lumenjve nga sipërmarrësit apo qeveritë për të ndërtuar vepra hidroteknike e energjetike, aty ku rrezikohej mjedisi, ekologjie, speciet e ndryshme bimore e shtazore.

Si mund të vendoset për gjëra kaq të rëndësishme duke shpërfillur banorët, që janë pronarët e vërtetë të natyrës dhe të trashëgimisë, të cilët kanë për barrë ta përcjellin te gjeneratat që vijnë, tokën, ujin, pyllin dhe çdo pasuri tjetër kësodore, bashkë me kujtesën. Për shkak të kësaj vetëdije, banorët e Kaçinarit mblidhen përditë për të kundërshtuar ndërtimin e hidrocentraleve dhe janë të vendosur që, me mjete demokratike, të mos lejojnë ndërtimin e tyre. Duhet kuptuar nga shteti dhe institucionet e tij se protestat masive kundër hidrocentraleve mbi çdo lumë të vendit po shndërrohen në një qëndresë pa cak kohor, ashtu siç është kthyer në e tillë dhe protesta e banorëve të “Astirit” në Tiranë. Edhe në vitet ‘50-‘60, në kushtet e një shteti të centralizuar dhe pronar të gjithçkaje, kur ndërtimi i hidrocentraleve ishte domosdoshmëri, një herë shpërnguleshin banorët në zonat fushore, si në Mamurras, Velipojë etj. dhe pastaj ngriheshin digat mbi Mat e Drin.

Pa dyshim që për këtë maskaradë HEC-esh shfrytëzohet ikja e banorëve masivisht, duke u parë tashmë lumenjtë si një mall pa zot, por ja që ata nuk paskan ikur, kanë projekte për t’u rikthyer aty, mbase jo si dikur për të banuar përgjithnjë, por në një kontekst të ri, për të zhvilluar agroturizmin, blegtorinë etj. Nuk është e rastit që në malësi janë të shumtë ata që, dhe pse kanë ikur më banim diku tjetër, i janë rikthyer restaurimit të kullave të vjetra. Nuk është vetëm nostalgjia dhe kujtesa e të parëve, por dhe mundësia për të investuar në vendlindjen e tyre. Janë të shumta bujtinat turistike që po ndërtohen dhe logjika më e thjeshtë ta thotë se ato nuk mund të funksionojnë pa ujin e bjeshkëve. Kryeministri dhe qeveria nuk mund ta zgjidhin problemin duke anuluar ndërtimin e një hidrocentrali, në tre apo pesë të tjerë që ndërtohen në të njëjtin territor, siç ka ndodhur në fshatra të Gramshit, Mirditës, Kukësit etj. Nëse hidrocentralet do të lejohen, ashtu siç kanë marr turr, atëherë ekosistemi do të degradojë gjithandej dhe Alpet, Gjallica, Munella, Deja e gjer Malet e Pindit në lindje të Janinës nuk do të kenë më vlerën që kanë qysh nga zanafilla, pasi lumenjtë që burojnë prej tyre, përtej metaforës, do të ishin të vdekur.

Në mbyllje, çadra e protestuesve në ZallGjoçaj është si “kulla e ngujimit” dikur, me të vetmin ndryshim se të ngujuarve nuk u rrezikohet jeta, por ekzistenca aty, sot e përgjithmonë. Banorët protestues duhen parë jo si një turmë e rebeluar, por si një institucion publik. Ata e kanë tejkaluar dhe vetë shoqërinë civile, atë që njihet zyrtarisht si e tillë. Protestuesit në Zall-Gjoçaj, “Astir” apo Biti të Poshtme janë jo vetëm burra, por dhe gra e fëmijë. Përveç falënderimit, ata meritojnë të mbështetën dhe nga ne të tjerët, çdo qytetar shqiptar, që të mos luhet akti i fundit i dramës kombëtare mbi lumenjtë e Shqipërisë.

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.