Drama e përmbytjeve në Lezhë/ Trupi i gruas vendoset në rimorkio, ceremonia mortore e pazakontë me traktorë

Nov 23, 2022 | 8:53
SHPËRNDAJE

ELVIS HILA/ Familja Gila në Torovicë të Lezhës, nuk mundi ta përcjellë për ne në banesën e fundit me nderime gjyshen, që iu nda nga jeta një ditë më herët. Shkak u benë përmbytjet që kanë prekur këtë zonë, ku niveli i ujit ka arritur në 70 cm dhe lëvizja është e pamundur.

Në këto kushte, familjaret kërkuan ndihmën e emergjencave për të përcjellë në varreza të ndjerën.

“Uji ka arritur në 70 cm dhe lëvizja është e pamundur. Në këto kushte ju bëmë kërkesë Emergjencave Civile të Bashkisë dhe menjëherë janë vënë në lëvizjë. Kanë ardhur mjetet e Ushtrisë dhe po ndërhyjnë për të kryer operacionin. Këtu situata është shumë e vështire nga përmbytjet, ku siç e shikoni e gjithë fusha është kthyer në liqen dhe shumë fëmije janë të izoluar”, thotë Ndue Gila familjar i së ndjerës.

Përballë kësaj situate, u desh ndërhyrja e mjeteve të Ushtrisë dhe traktorëve për të transportuar të ndjerën dhe familjaret e saj, për në rrugën kryesore që lidh Torovicën me Lezhën. Operacioni u drejtua nga prefekti i Lezhës Gjergj Prendi, i cili thotë se situata në tërësi është përmirësuar, por nuk mungojnë problematikat.

“Gjatë ditës së sotme, ka një përmirësim të situatës dhe rënie të nivelit të ujërave. Kemi vetëm 4 shtëpi me prezencë uji dhe 1300 hektarë tokë të përmbytura në Zadrimë dhe Torovicë. Të gjithë strukturat janë më terren, duke iu përgjigjur çdo problematike që kanë banoret e prekur nga përmbytja. Këtu në Torovicë jemi njoftuar për një rast vdekjeje dhe brenda një ore kemi sjellë forcat e Ushtrisë, të cilat po bëjnë transportimin e së ndjerës dhe familjarëve”, thotë Prendi.

Sipas të dhënave zyrtare, në Lezhë ka prezencë uji në 4 banesa në Kakarriq, si dhe janë të përmbytura 1300 hektarë tokë bujqësore në Zadrimë dhe Torovicë. Gjithashtu, vijojnë të jenë të bllokuara rruga që lidh Blinishtin me superstradën Lezhë-Shkodër, si dhe disa akse rrugore në zonën e Torovicës.

PROBLEM I KULLIMIT

Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, i shoqëruar nga eksperti i bujqësisë dhe kullimit, Petrit Gjoni, inspektuan situatën e krijuar nga përmbytjet në Zadrimë të Lezhës. Ata u takuan me banoret në Gjadër, të cilët ju shprehen shqetësimin se dëmet e shkaktuara janë të mëdha dhe askush nuk iu ka ardhur në ndihmë. Ish-ministri u shpreh se situata e krijuar ka ardhur nga mosmenaxhimi siç duhet, ndërsa sipas tij, buxheti me vlerë 80 mijë euro në vit për kullimin e gjithë zonës së Veriut është i pamjaftueshëm. “Situata është shumë e rëndë dhe dramatike.

Më e rëndë është se priten shira në vazhdim. Sot, konsiderohet ditë kritike për Shqipërinë. Nga tani deri natën do të kemi përkeqësim të situatës. Kam ardhur për të ndihmuar banorët. Në një banesë, dëmet ishin të dukshme, veçanërisht në bazën ushqimore për blegtorinë. E gjithë baza ushqimore ka marrë ujë. Ata kanë nevojë urgjente për të ushqyer bagëtitë. Vëmendja është të ndihmohen familje për të përballuar nevojat e jetesës dhe dëmet që po pësojnë nga përmbytja. Tani kërkohet ndërhyrje emergjente në kanale. Duhet të vijnë dhe specialistët për të përcaktuar natyrën e problemit dhe për të marrë masa.

Problemi nuk shihet aty ku ekziston. Bordit të Veriut i jep vetëm 80 mijë euro financim në vit për ndërhyrje në argjinatura, në kullim, thellim, në zhbllokimin e nyejve dhe riparimin e hidrovoreve. Në buxhetin që kaloi te bujqësia të shtohet kjo masë financimi. Kjo është qesharake. Ekziston mundësia që të gjenden fonde”, tha Panariti. Në të njëjtën linjë ishte edhe eksperti Petrit Gjoni, sipas të cilit, qeveria duhet t’i kthejë sytë nga Lezha për t’i dhënë zgjidhje problemit të përmbytjeve. Prej dy ditësh, Lezha është përfshirë nga përmbytjet ku ndodhen nën ujë disa shtëpi dhe qindra hektarë tokë bujqësore, duke shkaktuar dëme të shumta për banorët e prekur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura