Drafti për tatimin mbi të ardhurat do dërgohet në Kushtetuese nga kontabilistët, avokatët dhe mjekët: Krijon pabarazi

Mar 29, 2023 | 23:24
SHPËRNDAJE

Grupet e interesit duke përfshirë profesionet e lira të kontabilistëve, avokatëve dhe mjekëve do të kërkojnë të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese projektligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.

tatimi-mbi-te-ardhurat

Kryetari i Bordit Drejtues të Institutit të Kontabilistëve të Miratuar (IKM) Sotiraq Dhamo tha për Monitor se për dërgimin e ligjit në Kushtetuese përveç kontabilistëve do të organizohen edhe Dhoma e Avokatëve dhe Mjekëve.

Edhe më herët përfaqësuesit e profesioneve të lira kanë shprehur shqetësimin se projektligji i ri është antiligjor, pasi krijon pabarazi mes tatimpaguesve dhe nxit evazionin.

“Trajtimi i të ardhurave të të vetëpunësuarve si të ardhura nga paga është antiligjore. Shtrirja e ligjit te të vetëpunësuarit të profesioneve të lira për shumë arsye do të sjellë efekte negative. Të vetëpunësuarit janë biznese, marrin përsipër rreziqe, nuk kanë të ardhura fikse dhe nuk mund të quhen të ardhura nga paga. Projektligji është evaziv, pasi i konsideron të njëjtë të vetëpunësuarit me kategorinë e të vetëpunësuarve me të punësuar të tjerë.

Si mund të tatohen të ardhurat e tyre, si të ardhura nga paga kur ka të tjerë të punësuar. Klasifikimi është i gabuar. Gjithashtu trajtimi i të vetëpunësuarve me tarifa deri në 2,040,000 lekë 15% dhe mbi këtë nivele 23% nuk i vendos në kushte të barabarta me bizneset e tjera. Një biznes shpk që mund të fitojë të ardhura deri në 5 milionë lekë dhe paguan 15% tatim mbi fitim ndërsa një i vetëpunësuar për të ardhurat mbi 2,040,000 do të paguajë 23%.

Ndryshimet gjithashtu krijojnë pabarazi mes tatimpaguesve. Nuk jemi kundër pagesës së taksës te profesionet e lira, por nëse nuk paguan një kategori biznesesh nuk kanë pse të paguajnë profesionet e lira. Siç përcaktohet në projektligj, bizneset tregtare të vegjël do të jenë me tatim zero deri në 2029. pohoi më herët kontabilisti Sotiraq Dhamo.

Edhe avokati Klodian Gjermeni shtoi më herët se ka shkelje të të drejtave kushtetuese, për shkak të trajtimit të pabarabartë tatimor që i bëhet kategorive të cilat përfshihen në këtë lloj biznesi. Sipas tij kjo mund të jetë një ndër arsyet e Dhomës së Avokatëve për dërgimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese.

Projektligji “Për tatimin mbi të ardhurat” u miratua nga Komisioni parlamentar i Ekonomisë dhe Financave. Drafti ishte parashikuar të hynte në fuqi nga 1 janari 2023, por u shty në fund të këtij viti, pasi grupi i punës i ngritur nga komisioni parlamentar kërkoi të marrë në shqyrtim ankesat e Institutit të kontabilistëve të Miratuar dhe Shoqatës së Bankave.

Drafti i rishikuar nga deputetët solli vetëm rishikimin e disa termave, ndërsa nuk mori në konsideratë kërkesën e grupeve të interesit për shtyrjen e tatimit progresive të profesioneve të lira deri në dhjetor 2029, siç parashikohet të vijojë 0% tatim për bizneset e vogla tregtarë dhe të vetëpunësuarit e tjerë.

Përmes projektligjit të ri “Për tatimin mbi të ardhurat” nga 1 janari 2024 të vetëpunësuarit e profesioneve të lira nuk do të trajtohem më si biznes i vogël me 0 %, por të ardhurat neto (fitimi) nga biznesi për të vetëpunësuarit do të tatohen me normat 15% për fashën 0 deri 14,000,000 lekë dhe mbi 14,000,000 lekë vendoset tatimfitimi 23%.

Për biznesin e vogël (duke përfshirë kategoritë të vetëpunësuarit) efektet e ligjit do të fillojnë të zbatohen nga 1 janari 2029./Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura