Draftet për Kodin Zgjedhor/ Ku bashkohet PS me opozitën e re, nga ndalimi i koalicioneve, te depolitizimi i administratës zgjedhore

Sep 26, 2020 | 17:01
SHPËRNDAJE

keshilli politik 2

ARDIT HOXHA/ Puna për të implementuar ndryshimet kushtetuese të 30 korrikut në Kodin Zgjedhor është duke shkuar drejt fundit. Edhe pse në Këshillin Politik nuk ka pasur konsensus dhe opozita parlamentare vijon me qëndrimin e saj për të kërkuar ekspertizën e OSBE/ODIHR-it, maxhoranca socialiste dhe opozita parlamentare kanë avancuar me punën e tyre për të bërë realitet ndryshimet në Kodin Zgjedhor, për të garantuar hapjen e listave, por edhe mohimin e koalicioneve tradicionale siç kanë qenë deri më tani. Partia Socialiste ishte e para që paraqiti draftin e saj për ndryshimet në Kodin Zgjedhor në Këshillin Politik.

Më pas, gjatë seancës së ditës së enjte, ishin dy drafte që u prezantuan nga opozita parlamentare, që kërkon hapjen e listave me jo më pak se 2/ 3, ulje të pragut zgjedhor dhe një administratë jopolitike në procesin e numërimit të votave.

KOALICIONET

Për koalicionet, Partia Socialiste propozon që ato të jenë në një mënyrë të re. Sipas draftit të maxhorancës, disa parti mund të grupohen në një listë dhe logo të përbashkët, duke i mohuar koalicionet në mënyrën që janë përdorur deri më tani në të gjitha zgjedhjet, me përjashtim të 2017-ës. Edhe në draftin e opozitës parlamentare koalicionet parazgjedhore përkufizohen si “subjekt zgjedhor”, duke mos e lënë të hapur mundësinë që në zgjedhjet e 25 prillit ato të jenë siç kanë qenë tradicionalisht.

PRAGU ZGJEDHOR

Për pragun zgjedhor, në draftet e paraqitura ka dallime vetëm sa i përket nivelit të tij. Si PS-ja, ashtu edhe opozita parlamentare, e kanë propozuar që pragu zgjedhor të jetë në nivel kombëtar, edhe pse gara për të nxjerrë deputetë është në nivel rajonesh. Në propozimin e PS-së pragu zgjedhor propozohet që të jetë 3% në rang kombëtar. Ndërsa në draftin e opozitës, pragu zgjedhor kërkohet që të jetë 1% e votës në rang kombëtar. Këto dy propozime të maxhorancës socialiste dhe opozitës parlamentare janë ndjeshëm më pak nga propozimi i parë, kur u kërkuan ndryshimet, pasi atëherë pragu zgjedhor u kërkua që të ishte 5%.

LISTAT E HAPURA

PS-ja prezantoi një formulë shumë të vështirë për hapjen e listave, e cila e kombinuar me ndryshimet në formulën e shpërndarjes së mandateve, de facto i linte ato të mbyllura dhe mandatet fituese të varura nga renditja që bën kryetari i partisë. Ndërsa në draftet e paraqitur nga deputetët opozitarë listat kërkohet që të hapen me jo më pak se 2/3 dhe renditja paraprake që dorëzohet në KQZ mund të ndryshohet vetëm nga vota parapëlqyese direkte që merr kandidati.

ADMINISTRATË JOPOLITIKE

Sa i përket administratës zgjedhore, Partia Socialiste nuk ka propozime në draftin që ka paraqitur për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Por bërja e zgjedhjeve me një administratë jopolitike ishte një kërkesë dhe qëllim primar i PS-së dhe Kryeministrit Rama. “Depolitizimi i administratës zgjedhore ka të bëjë me një gangrenë 30-vjeçare të nënvizuar për çdo zgjedhje nga ODIHR-i lidhur me politizimin e skajshëm të administratës zgjedhore dhe nevojës për depolitizim”, tha Rama. Këtë dëshirë të parealizuar të Ramës, opozita parlamentare tenton që ta bëjë realitet me anë të ndryshimeve që ka propozuar në draftin e saj për Kodin Zgjedhor. Në draftin e opozitës së re kërkohet që numëruesit në procesin zgjedhor të jenë jo njerëz politikë.

PROCEDURA NË KOMISION

Për të gjitha këto përputhje, por edhe dallime mes drafteve të PS-së dhe opozitës parlamentare, do të diskutohet në Komisionin e Ligjeve. Fillimisht pritet që ditën e hënë grupi i punës i përbërë nga Damian Gjiknuri, Klotilda Ferhati dhe Korab Lita të përmbyllin punën e tyre dhe t’i çojnë një dokument të përbashkët Komisionit të Ligjeve. Nëse kjo gjë nuk do të arrihet, në Komision do të depozitohen dy drafte, mes të cilave do të përzgjidhet ai që do t’i çohet më pas seancës plenare për votim.

kerkesat e ps

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura