Dr. Zylfije Hoxhaj u vjen në ndihmë nënave të reja: Shtatzënia, çfarë duhet të ketë parasysh çdo grua

Apr 2, 2015 | 12:00
SHPËRNDAJE


Shtatzënia është një periudhë e veçantë në jetën e çdo gruaje, qoftë edhe sikur vetëm për ndryshimet fizike dhe hormonale që ajo sjell. Gratë shtatzëna duhet të dinë më shumë në këtë periudhë lidhur me shëndetin dhe trupin e tyre, ndaj dhe këshillat nga një mjek i fushës janë të nevojshme. Dr. Zylfije Hoxhaj, mjeke obstetre-gjinekologe, sjell disa këshilla dhe flet për përkujdesjet që çdo grua duhet të ketë në fazën e shtatzënisë. Gjithë çfarë nuk dini për ndryshimin e trupit tuaj dhe gjendjet e pakëndshme që shoqërojnë shtatzëninë, që nga të vjellat, te strijat, dhimbjet e mesit dhe rastet kur duhet t’i drejtoheni mjekut.  
Nga se shkaktohen të përzierat dhe të vjellat gjatë shtatzënisë?
Mendohet janë pasojë e uljes së nivelit të vitaminës B në gjak, ndryshimeve hormonale dhe ndryshimeve të presionit të gjakut. Hasen më shpesh në tremujorin e parë të shtatzënisë. Fillojnë herët në mëngjes kur stomaku është ende bosh, por mund të shfaqen gjatë gjithë ditës.
Zgjat ky fenomen gjatë gjithë periudhës së shtatzënisë. Si mund të “trajtojmë” apo kufizojmë të vjellat?
Duhet të dini se ky fenomen i kufizuar zhduket pas tremujorit të parë të shtatzënisë. Megjithatë, mundohuni të gjeni dietën e përshtatshme: Shtoni vitaminën B. Merrni bukë të thekur ose ndonjë gjë të thatë para se të çoheni nga krevati, mundësisht pa e lëvizur kokën pasi t’i hapni sytë në mëngjes. Kufizoni ushqimet me yndyra. Hani disa herë në ditë me sasi të pakta. Ngrihuni ngadalë nga krevati, duke bërë pushim nga momenti që ngriheni deri sa të lëvizni. Në qoftë se të vjellat vazhdojnë edhe pas tre muajve të shtatzënisë, duhet të kontrolloheni me mjekun tuaj sepse janë disa sëmundje gjatë shtatzënisë që shoqërohen me të vjella, si: shtatzënia molare (ku nuk ka embrion), sëmundjet e mëlçisë dhe tëmthit.
Shpesh, gjatë shtatzënisë ka dhimbje të mesit. Pse shkaktohen këto dhembje?
Dhembjet e mesit janë pasojë e përkuljes më të madhe mbrapa të gruas si pasojë e rritjes së mitrës, e cila shoqërohet me rritje të rëndesës dhe e detyron gruan të kontraktojë muskujt e shpinës, për të përballuar rëndesën.
Çfarë këshillohet në këto raste dhe çfarë mund të “tregojnë” këto dhembje? A përbëjnë rrezik?
Këshillohet qëndrim në pozicion pa u përkulur pas. Ushtrime të muskujve të shpinës për t’i shkontraktuar. Kufizoni qëndrimet në këmbë. Duhet të dini se dhimbjet mund të jenë pasojë e ndonjë sëmundjeje si infeksionet urinare, rrezik aborti ose rrezik lindjeje para kohe. Në këto raste duhet të shkoni te mjeku që ndjek shtatzëninë.
Një problem për gratë shtatzëna janë strijat ose çarjet e lëkurës. Pse formohen ato dhe si mund t’i parandalojmë?
Strijat formohen në vendet ku lëkura atrofizohet dhe i nënshtrohet një tërheqjeje të madhe, zakonisht pas shtimit ose rënies së menjëhershme në peshë. Ndodhin zakonisht në periudhën e pubertetit dhe në shtatzëni, në bark, në vithe dhe gjoks. Këto pjesë bëhen vija-vija, ku lëkura atrofizohet dhe përfaqëson një pigment që shkon nga e kuqja (në fillim) në të bardhë perle (që bëhet më vonë). Një rol të rëndësishëm luan historia familjare, ku ka predispozicion të tipit familjar, etnik dhe hormonal. Për këtë këshillojmë që personat që janë të predispozuar, të kenë shumë kujdes me stilin e jetës dhe mënyrën e të ushqyerit. Qëndroni larg dietave drastike, evitoni jetën sedentare, stresin dhe moshidratimin e duhur të lëkurës. Konsumoni fruta dhe perime të pasura me oligominerale dhe vitaminë A, C dhe E. Mos pini duhan, i cili është i dëmshëm për enët e gjakut, lëkurën. Gjatë shtatzënisë përdorni kremra elastizues, që kanë në bazë të tyre elastinën, kolagjenin dhe vitaminat, duke i përhapur në lëkurën e predispozuar për strije me masazh që stimulon mikroqarkullimin sipërfaqësor të gjakut. Zhvilloni aktivitete fizike të rregullta por jo të rënda. Pini 1.5-2 litra ujë në ditë. Evitoni banjat e nxehta dhe të gjata, pasi lëshojnë shtresat e lëkurës.
Në çfarë rastesh një grua shtatzënë paraqet shenja rreziku për shtatzëninë dhe duhet të shkojë te mjeku?
Kur ka rënie ose shtim të shpejtë në peshë. Dhembje në fund të barkut, rrjedhje lëngjesh ose gjaku. Dhembje shpine të menjëhershme ose kontraksione. Dhimbje ose djegie kur urinoni. Shqetësime të të parit. Dhembje të fortë koke apo kur ka ënjtje të fytyrës, duarve ose këmbëve.

BLERINA GOCE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura