Dr Budini: Marrëdhëniet publike, degë e diktuar nga tregu i punës

Oct 3, 2015 | 15:31
SHPËRNDAJE

“Një pjesë e mirë e atyre që interesohen për këtë degë e kanë shqisën dhe nuhatjen e duhur për të kuptuar nevojat dhe prirjet e tregut.

Ata janë ndër më të stërviturit për të kapur tendencat dhe mundësitë e reja që krijohen në një industri të re, siç është ajo e komunikimeve. Ka edhe nga ata që e zgjedhin si degë të lehtë dhe tërheqëse, por pjesa më e madhe e studentëve nisen nga perspektiva e punësimit tanimë kur bëjnë zgjedhjen e një dege studimi”.

Dr. Belina Budini, drejtuesja e Departamentit të Komunikimit në UET
Dr. Belina Budini, drejtuesja e Departamentit të Komunikimit në UET

Pse keni hapur një degë studimi në fushën e Marrëdhënieve Publike dhe të Komunikimit?

Rëndësia që po merr ditaditës sektori i Marrëdhënieve Publike, nevoja që ka tregu për specialistë të kësaj fushe, kanë prodhuar edhe domosdoshmërinë për të studiuar dhe për t’u aftësuar në këtë disiplinë. Kjo do të thotë që po, është pikërisht tregu dhe industria që e kanë diktuar studimin e praktikave të Marrëdhënieve Publike, ashtu si edhe analizimin e problemeve të komunikimit, përgatitjen për zgjidhjen e krizave dhe përballjen me ndryshimin e vazhdueshëm. Kush më mirë sesa një degë, e cila e ka për objekt studimi ndryshimin, riskun dhe krizën, mund të ndihmojë për t’u përballur me një epokë që po ndryshon? Departamenti i Komunikimit dhe Marrëdhënieve Publike në UET ofron studime Bachelor dhe Master në këtë degë prej 10 vitesh dhe mund të pretendojmë, pa modesti, që kemi themeluar tanimë një profesion në Shqipëri. Specialistët e Marrëdhënieve Publike dhe të Komunikimit të diplomuar në UET e dëshmojnë më së miri suksesin e kësaj dege dhe janë motiv krenarie për departamentin që i përgatiti me ekspertizën dhe vetëdijen e duhur për të qenë të parët në këtë sektor. Shumë nga ish-studentët tanë i aplikojnë me konfidencë në karrierat dhe në profesionet e tyre parimet dhe praktikat e Marrëdhënieve Publike. Një pjesë e mirë janë investuar drejtpërdrejt në sektorë të lidhur me komunikimin dhe marrëdhëniet publike si në media, në agjenci të marketingut dhe të reklamës, në zyra shtypi dhe komunikimi, pranë bizneseve të mëdha të telekomunikacionit dhe të bankave, si edhe në pozicione të rëndësishme në administratën publike, ku kryejnë funksione të lidhura ngushtë me komunikimin në drejtim dhe në menaxhim etj.

Cilat janë arsyet për të cilat të rinjtë e sotëm zgjedhin një profesion si Marrëdhëniet Publike për të ardhmen e tyre? Është tregu apo moda që i tërheq drejt kësaj dege?

Nga kërkimet që kemi bërë, rezulton se një pjesë e mirë e atyre që interesohen për këtë degë e kanë shqisën dhe nuhatjen e duhur për të kuptuar nevojat dhe prirjet e tregut. Ata janë ndër më të stërviturit për të kapur tendencat dhe mundësitë e reja që krijohen në një industri të re siç është ajo e komunikimeve. Ka edhe nga ata që e zgjedhin si degë të lehtë dhe tërheqëse, por pjesa më e madhe e studentëve nisen nga perspektiva e punësimit tanimë kur bëjnë zgjedhjen e një dege studimi. Dhe me të drejtë, megjithëse mundësitë e punësimit në këtë sektor nuk janë lehtësisht të perceptueshme nga të gjithë, duke qenë se profilet e punësimit në këtë sektor nuk ngjajnë aspak me ato tradicionale si mësues, jurist apo ekonomist. Emërtime të tilla si oficer i marrëdhënieve publike, menaxher i marrëdhënieve publike dhe asistent i marrëdhënieve publike apo të tjera edhe më të specifikuara si menaxhues eventesh, koordinator i mediave online, specialist komunikimi, tingëllojnë ende si pozicione virtuale, megjithëse janë vende të mirëfillta pune që kërkojnë ekspertizë dhe kompetencë për t’u ushtruar, ashtu si edhe pozicione nga më shpërblyeset për sa i përket kreativitetit, por edhe pagës. Ata që zgjedhin të studiojnë Marrëdhënie Publike përgjithësisht dëshirojnë të testojnë aftësitë e tyre në botën e vërtetë dhe prakticiteti i kësaj dege ua mundëson këtë që në auditorë me anë të punëve laboratorike që kryejnë. Disa prej tyre janë aktivë në rrjete profesionale brenda dhe jashtë universitetit, si edhe dëshirojnë të vihen në kontakte me ekspertët e industrisë, ndërsa këtë ua kemi mundësuar që në auditorë me anë të lektorëve të ftuar, më të spikaturit në industrinë e Marrëdhënieve Publike, si edhe me krijimin e bordeve të Tregut të Punës dhe të Partneritetit me institucionet që ofrojnë punë për ta.

cover-foto-1024x683
Sa praktik është programi juaj dhe çfarë përfiton studenti në përfundim të tij?

Studentët tanë që përfundojnë me sukses studimet në nivelin Bachelor dhe Master janë në gjendje të aplikojnë njohuritë e marra në drejtime, si menaxhimi i fushatave të komunikimit, të ndërtojnë një plan të marrëdhënieve publike, si edhe të menaxhojnë dhe të asistojnë një zyrë komunikimi dhe PR-i, duke qenë se që në auditorë janë ndeshur me analizimin dhe aplikimin e dijeve praktike në lëndë si Marrëdhëniet Publike, Reklama, Praktikum i Marrëdhënieve Publike, Konceptim dhe Menaxhim Fushatash, Marketing, Komunikimi në biznes etj. Një pjesë e studentëve janë mjaft aktivë dhe në përfundim të studimeve dalin me një portofol punësh dhe arritjesh, marrin pjesë në konkurse dhe ekspozita si edhe panaire, ku dalin me çmime dhe punë konkrete të realizuara. Një ekspozitë e tillë është e hapur përgjatë shtatorit në hollin e UET, realizuar vetëm me punë studentësh në auditorë. Po ashtu, përveç ndjekjes së një plani nga koncepti tek implementimi, një pjesë shumë e rëndësishme e përgatitjes së tyre lidhet me prezantimin dhe komunikimin e punëve dhe produkteve për klientë dhe për industrinë. Diplomat e përgatitura janë shpesh të dizejnuara edhe në parametra teknikë mjaft të avancuar, duke sjellë risi për sa i përket kombinimit me prezantime multimediale etj. Dosja e tyre e praktikës përmbledh punë të realizuara në auditor, por edhe në jetën reale, që synojnë përgatitjen e studentit me një portofol që i ndihmon ata të prezantojnë veten përpara agjencive të konsultimit, korporatave, organizatave të komunitetit kulturor, social dhe qeveritar. Nuk mungon as dëshira e tyre për të qenë pjesë e rrjetit studentor, duke themeluar klubet e tyre të Dizajnit dhe të Arteve etj. Së fundi, ky program u ofron studentëve bashkë me aftësimin dhe specializimin e nevojshëm akademik dhe aplikativ, edhe mundësi të shumta për të vendosur kontakte të rëndësishme në botën e biznesit, të mediave dhe të politikës, duke qenë se në leksione dhe seminare ka të ftuar të shumtë nga mjediset elitare dhe intelektuale të vendit. Një nga përvojat më të parapëlqyera prej studentëve tanë janë pikërisht shkëmbimet me personalitetet e fushës që në auditorë.

Cila është e ardhmja e kësaj dege studimi?

Kjo është një degë e të ardhmes së shpejtë. Dhe kjo lidhet me faktin që dijenia dhe të kuptuarit e hapësirave dhe mundësive që krijon kjo degë për punësim do të vijë duke u shtuar. Nga ana tjetër, kjo degë studimi është duke u konsoliduar edhe për sa i përket pjesës akademike dhe përbën tanimë një disiplinë serioze studimi në çdo fakultet të Shkencave Sociale dhe të Shkencave Humane. Dija praktike apo aplikative që e karakterizon është e lidhur ngushtë me dijen analitike dhe teorike. Disiplina e Marrëdhënieve Publike dhe e Komunikimit po thellohet kë- sisoj në shqyrtimin e strukturës së sektorit të PR-it, por edhe në historikun dhe zhvillimin e marrëdhënieve publike, duke ofruar paralelisht edhe një kornizë ose qasje për të analizuar edhe vetë këtë profesion në një botë që ndryshon me shpejtësi. Studenti ka mundësinë që të shqyrtojë strategjitë klasike dhe ato bashkëkohore në përdorimin dhe kërkimin për fushatat e PR-it, si dhe të mësojë teknikat dhe të përdorë instrumentet për të matur efektshmërinë e tyre si edhe impaktin e tyre më të gjerë social. Studiohet gjithashtu në mënyrë të posaçme edhe marrëdhënia ndërmjet PR-it dhe mediave, ndërsa një pjesë e studentëve tanë punojnë në sektorin e mediave, duke zhvilluar në auditorë një vështrim kritik dhe analitik për to. Pjesa më e dashur për studentët është të shqyrtojnë se si bizneset, organizatat qeveritare dhe ato joqeveritare i përdorin teknikat e PR-it për të avancuar objektivat dhe qëllimet e tyre. Menaxhimi i skenarëve të krizave dhe planifikimi e kërkimi për të matur dhe vlerësuar fushatat efektive të PR-it janë gjithashtu aspekte të parapëlqyera nga studentët tanë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura