Dosti: Partizani nuk del kampion me këta mercenarë, në Korçë e ka humbjen e sigurt

Sep 20, 2017 | 23:04
SHPËRNDAJE

Duke u bazuar te merkatoja e verës dhe emrat e afruar në çdo hallkë të klubit, ishte menduar se ky do të ishte vërtet sezoni i duhur që Partizani të fitojë titullin kampion. Por kanë mjaftuar vetëm 180 minuta që ish-sulmuesi kampion dhe golashënuesi më i mirë i të kuqve në sezonin 1992-1993, Edmond Dosti, të japë alarmin.

dosti

Atë që tha një javë më parë për “Panorama Sport”, Dosti e ka vijuar më tej në prononcimin e radhës për gazetën, duke i mëshuar faktit se me Moxhin dhe mercenarët e huaj Partizani nuk del kampion. Dosti, përmes gazetës, ka edhe një pyetje për ish-drejtorin e Juventusit, ndërsa Iulianon, me ironi, e konsideron trajner “të madh”. Ja analiza e Edmond Dostit, dhënë enkas për “Panorama Sport”, mbi situatën aktuale të Partizanit:

NDESHJA ME KUKËSIN

“Pas ndeshjes me Kukësin, ajo që më vinte ndër mend ishte thjesht t’i bëja një pyetje Moxhit: ‘Me këtë ekip do të dali kampion?’ Për mua Partizani ta harrojë titullin me këta lojtarë të huaj që ka marrë ose mercenarë! Ata nuk bëjnë dot diferencën me lojtarët vendas. Pastaj të mos flas për Edgar Çanin, një hije në fushën e lojës ndaj Kukësit.

Me sa pashë në këtë takim, Çani nuk ka kondicionin e duhur për të përballuar kampionatin. Ndaj Kukësit pashë një lojë pa fantazi, e brishtë dhe me vetëm me ca raste sporadike edhe këto të krijuara nga vetë kundërshtari. Por, sikur të mos mjaftonte ajo që pashë në fushë, më habiti edhe deklarata e trajnerit direkt pas ndeshjes, i cili ishte i kënaqur me lojën.

Partizani nuk ka bërë asnjë gol në dy ndeshjet e para, i vetmi ekip i Superiores që nuk ka shënuar në 180 minuta, gjë e pakonceptueshme edhe për një emër si Partizani. ‘Të presim sa të vijë forma fizike e Çanit, pastaj do të vijnë edhe golat’, tha Iuliano pas ndeshjes. Si ish-sulmues, më vjen të qesh nga ky prononcim i këtij trajneri ‘të madh’. Të thuash dramë për këtë Partizan është pak, duhet gjetur një term tjetër. Po luajtën si në dy ndeshjet e para, në Korçë e kanë të sigurt humbjen”.

APELI PËR KLUBIN

“E thashë edhe në intervistën mbas ndeshjes me Laçin për ‘Panorama Sport’ që Partizani me Moxhin dhe me këta lojtarë të huaj ta harrojë se del kampion. Dy ndeshje zero gola, dy ndeshje me lojë që lë për të dëshiruar. Kur shikon lojtarët e huaj të Partizanit që nuk bëjnë dot as diferencën me lojtarët e vendit, s’e kuptoj politikën e merkatos së verës. Prandaj, i bëj thirrje klubit që të reagojë sa më shpejt, në mënyrë që të mos jetë tepër vonë!”.

PROBLEMET

“Në përgjithësi, nuk ka fantazi loja e Partizanit, duke filluar nga sipër (faza sulmuese) e deri poshtë (mbrojtja). Për mua lojtarët e sezonit të fundit që janë larguar nuk janë zëvendësuar, gjë të cilën e bazoj te dy ndeshjet e para në kampionat.

Morën 6-7 futbollistë të huaj, por asnjëri nuk u afrohet atyre të huajve që u larguan nga viti i shkuar. Problem tjetër për mua është forma e Edgar Çanit, i cili tregoi se është akoma i dëmtuar. Nuk mund të presësh sa të bëhet Çani gati për të shijuar fitoren, pasi bëhet fjalë për Partizanin dhe jo një ekip dosido”.

ILIR CARA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura