Dosjet! Për cilin bien kambanat?

Feb 19, 2015 | 12:08
SHPËRNDAJE

SAMI REPISHTI

   Nga leximet në shtypin shqiptar vërehet nji rritje e interesimit publik për “dosjet”, zbulimin e “sekreteve” dhe “lustracionin”, eliminimin – jo fizik!- të individëve që për bindje, jo me detyrim, janë “komprometue” randë në akte kriminale të “diktaturës së proletariatit” 45-vjeçare në Shqipëri. Ky interesim për zbulimin e të vërtetës të mshehun për dekada të gjata duhet çmue dhe inkurajue. E vërteta duhet të zbulohet. Ajo bien dritë! Drita gjallëron, largon errësirën, ku mshehet e keqja, zhvillohet tortura dhe mbretnon vdekja.
Shqetësuese në këtë situatë ashtë “qëllimi” i kërkesës për hapje dosjesh. Të gjithë e dimë se çfarë “misteri” përmbajnë dosjet e ish-Sigurimit te Shtetit ose të ish-Partisë Komuniste të Shqipërisë (dhe PPSH-së). Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për spiunazhin, arrestimet, burgosjet, torturat dhe ekzekutimet e vuejtjet në burgje e kampet e dëbimit komuniste që “dekoruen” peizazhin e vendit tonë, në moçalishte e miniera e në çdo sektor pune të randë dhe të rrezikshëm. Të gjithë jemi të informuem për kampet e dëbimit për dhjetëra-mijëra familjarë të prindëve “reaksionarë” të detyruem me vegjetue atje, që nga ditët e para te vendosjes së regjimit komunist 1944, deri në ramjen e turpshme të pushtetit të urisë dhe terrorit, në 1991-shin. Katërdhjetë e pesë vjet të gjata dhe pa ndërpremje… sikur të kishin gjuejtë Zotin me gurë!… për fajin e vetëm sepse gjyshi, babai, vëllau ose kushërini kanë qenë “armiq të popullit”. Groteske! Koncepti i “individit”, “person” përgjegjës i vetëm për fajin e kryem, nuk ekziston në diktaturë.
Sot, të gjithë kërkojmë me ditë ma shumë mbi “vuejtjet” dhe sidomos mbi “persekutuesin” që vrau me gjyq e pa gjyq, që torturoi deri në çmendje, sidomos të rinjtë “rebelë”, që dënoi me uri e jetesë në baltat e Myzeqesë pleq, gra e fëmijë për dekada të gjata e për nji “qëllim” të vetëm: mbajtjen me dhunë të “pushtetit popullor”, që gjithçka mund të ishte, por jo i nji populli të pafajshëm dhe të reduktuem në nji masë pa mbrojtje e të skllavrueme. Në pamundësi me fitue me arsye ose me fitue zemrat e popullsisë, komunizmi erdhi në fuqi me dhunë, u mbajt me dhunë dhe u përmbys me turp nga nji popullsi e dhunueme. Plaga e randë e të kaluemes kërkon shërim me kujdes të madh, “hic et nunc”.
Kërkesa për “hapjen e dosjeve” (1944-1991) ashtë nji çështje me randësi të jashtëzakonshme për vetë natyrën e saj, si dhe për rrjedhimet e paevitueshme. “Kërkesa” nuk mund të jetë me plotësue “kuriozitetin” e lexuesve që kënaqen me intrigat e Sherlock Holmes-it. Nji kuriozitet i këtillë ashtë banal dhe nji fyemje e randë për viktimat. “Kërkesa” duhet të ketë karakterin solemn të çlirimit nga ankthi i të kaluemes, të zbulimit të vërtetës dhe qëllimin mbarënjerëzor me evitue përsëritjen e nji gjenocidi të ri në vendin tonë, përsëritje që do të ishte nji vetëvrasje kombëtare. Kërkesa duhet të synoje aspektin praktik të dënimit të “fajit” dhe të denoncimit të “fajtorit” tue pamundsue veprimtarinë e tij helmuese në shoqëninë tonë të traumatizueme. Senatori amerikan, Herbert Pell, deklaronte në 1945:”…nëse duem me evitue nji masakër të përgjithshme, duhet të plotësojmë kërkesën popullore për drejtësi”.  
Nji qëndrim i këtillë ashtë realizue sidomos me sjelljen e ish-të persekutuemve që në vitin 1991; ata nuk u vërsulën me thika e sëpata me vra e coptue… kriminelët komunistë. Tue kontrollue zemërimin plotësisht të justifikuem, ata mbështetën kërkesën e tyne në drejtësinë e njohun nga ligji. Megjithëse mbeten thellësisht të zhgënjyem nga nji autoritet shtetnor i shurdhët – baza morale e të cilit ishin ata vetë!- ata jetuen për 24 vjet ma radhë me shpresën se do të vinte dita e “zbulimit” të sekreteve të tmerrshme, ku ata vetë ishin “personazhet e viktimizueme”. Sot, ajo që mbetet për këto viktima, të vdekun apo në pragun e vdekjes, ashtë fitorja e madhe morale–historike, sepse ata me gjestin e tyne të përbuzjes së hakmarrjes dhe besimit të tyne në ligjësi dhanë nji shembull të shkëlqyeshëm të nji shoqënie të qytetnueme dhe të përqafimit të shtetit ligjor… megjithëse në veshët e tyne tingëllojshin akoma thirrjet komuniste “Në litar! Në litar!” Ata këputën zinxhirin e hakmarrjes e për këtë duhet të jemi mirënjohës përherë.
    Mbas nji konfuzioni njëzetekatërvjeçar duket sikur kemi arrijtë në përfundimin se ky problem i “dosjeve” dhe “lustracionit” nuk zgjidhet me “forcat tona”. Fatmirësisht, pranojmë shembullin e nji shteti europian të qytetnuem, si Gjermania. Projektligje në këtë drejtim janë paraqitë para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për diskutim dhe aprovim.
Por, nuk ashtë aq e thjeshtë. Imitimi i shembullit gjerman, sado i dëshirueshëm që të jetë, përmban nji “caveat” thelbësor: Shqipëria sot nuk ashtë Gjermania! Çdo ngjarje historike dhe hapja e dosjeve e lustracioni janë “historike”; Ka parametrat e vet, vendin ku ngjet dhe kohën kur ngjet. Rasti gjerman:
Më 9 maj 1945 u festue dorëzimi pa kushte i Gjermanisë naziste. Ushtritë aleate angleze, franceze, amerikane dhe sovjetike pushtuen Gjermaninë dhe me “marrëveshje” e ndanë territorin në katër “zona pushtimi”. Nga Konferenca e Londrës, 1945, u vendos krijimi i nji Gjykate Ndërkombëtare për Dënimin e Krimeve të Luftës dhe të kriminelëve kryesorë naziste. Qyteti Nuremberg ishte në “zonën amerikane”.
Si hap i parë ishte vendosja e rendit dhe qetësisë. Gjatë periudhës maj-gusht 1945 u arrestuen 52 kriminelë kryesorë nazistë dhe u burgosën në Monsdorf (Nuremberg). Në fund të vitit, arrestimet arrijtën numrin 450.
    Shërbimi i parë për të burgosunit ka qenë ai fetar, “…në nji betejë me shpëtue shpirtin e atyne që jetojshin me litar në grykë.” Përgjigjja ishte: “Na duhet të urrejmë mëkatin, por duhet të duem mëkatarin!” Çdo njeri ka mundësi “me u ringjallë”! Ushtria amerikane kishte instruksione me ba të pamundurën me lehtësue vuejtjen dhe me dhanë ngushëllim fetar për ata që do të vdisnin.
 Dënimi me gjyq i kriminelëve nazistë (në vend të ekzekutimit në grup pa gjyq, ashtu si kërkonte Stalini dhe Churchilli) u ba me kërkesën e Presidentit Roosevelt. Arsyet e dhanuna, sipas juristit amerikan Gordon Dean, kanë qenë: që të mos harrohen  krimet e vërtetueme publikisht, te edukohen breznitë e reja, të dekurajohen kriminelët e mundshëm në të ardhmen, të japim nji gjykim të drejtë që të mos flliqemi me arbitraritetin e diktaturës dhe të japim dënime kryesisht për krimet kundër popullsisë – e jo për shpërdorime, vjedhje e tjera…!
   Ideja “ligjore” e “konspiracionit kriminel nazist” ka qenë me provue fajësinë e organizatave naziste; nëse këto organizata gjykohen me qenë fajtore për krimet që akuzohen, dhe faji i “organizatës” vërtetohet, atëherë çdo anëtar i këtyne organizatave konsiderohet “fajtor”. Nga Gjyqi i Nurembergut u gjetën fajtorë dhe u dënuen me vdekje, ekzekutim në litar: Goering (u vetëhelmue) Ribbentrop, Keitel, Kalterbrunner, Frank, Sauckel, Rosenberg, Frick, Streicher, Jodl, Seys-Inquart. Ekzekutimi u ba më 3 tetor 1946. Para ekzekutimit, shumica kaloi nji periudhë instraspeksioni. Disa u kthyen kah Zoti!
Deri në dhetor 1947, ushtria amerikane në sektorin e saj solli para gjyqit 1,676 kriminelë nazistë të rangut të dytë. Numri i të hetuemve në ish-Gjermaninë ka qenë afër 3 milionë. Vetëm Gjykata e kampit Dachau procedoi 1,672 nazistë. Nga këta, 1.090 u dënuen si fajtorë; 426 u dënuen me vdekje, shifër që provon se komandantët dhe rojet e thjeshta të kampeve naziste janë dënue pa mëshirë. Në përgjithësi, u zhvilluen 545 procese gjyqësore, me nji personel gjykues prej 22.000 vetash. Me gjithë amnistinë e shpallun, 930.000 persona dolën para gjyqeve aleate, 1.549 fajtorë të mëdhenj, 21.000 fajtorë të kategorisë së dytë, 104.000 fajtorë për krime ma te vogla, 475.000 fajtorë “përkrahës”, ma shumë se 500.000 u dënuen me gjobë, 122.000 u pushuen nga puna, 25.000 u shpronësuen, 22.000 u dënuen  pa të drejtë punë shtetnore, 30.000 u dënuen me pune të ndryshme…. Gjykatat vunë në dukje se faji për krimet ashtë “personal”…! Kështu u thye definitivisht kurrizi i nazizmit në Gjermani. Në vitin 1991, kjo nuk ngjau në Shqipëri!
Prokurori britanik Sir Hartley Showcross shkruente: “Besnikëria politike dhe bindja ushtarake janë dy cilësi të shkëlqyeshme; por, as njana, as tjetra nuk justifikojnë zbatimin e tyne në akte qëllimkëqija. Ekziston nji kufi ku njeriu duhet të refuzojë bindjen ndaj udhëheqësit, në qoftë se mendon me iu përgjegj ndërgjegjes”. “Urdhënat nga eprorët, qoftë edhe për ushtarin e thjeshtë, nuk mund të merren parasysh si faktor lehtësues në rastin e krimeve tronditëse dhe monstruoze që janë krye”. (Nga Gjyqi i Nuremberg-ut). Gjuha e ligjit ashtë e qartë!
Me okupimin e Gjermanisë, aleatët fitimtarë morën përsipër mbrojtjen e jetës dhe fatin e popullsisë gjermane. Në zonën amerikane filloi menjiherë procesi i denazifikimit. Aleatët arritën në përfundimin se gjermanët vetë nuk do të ishin në gjendje me plotësue denazifikimin e vendit të tyne. Nazizmi kishte rranjë të thella në psikologjinë e popullsisë.
Policia naziste u shpërnda. Vetëm në qytetin e Nurembergut u mobilizuen 500 persona “të pastër”. Burgjet u riparuen. Bankat u hapen. U krijue agjencia e transporteve urbane dhe 38 shoqëni sigurimesh. Qindra kuaj të ish-ushtrisë gjermane iu falën fermerëve në rrethe. U formuen katër parti politike. Filloi  botimi i gazetave, u hap zyra e taksave dhe filloi vjelja e tyne. 70 për qind e banesave të shkatërrueme filluen riparimin. Ish-mësuesit nazistë u pushuen nga puna të gjithë. Tekstet shkollore u demokratizuen. Mësues të rinj u përgatitën intensivisht, e mbas gjashtë muej punë, në nandor 1945, 25.000 nxanës filluen mësimet në shkolla të qytetit. “Shërbimet kritike”, si gazi për ngrohje, drutë e qymyri për dimën dhe ushqimi për popullsi mori randësi prioritare. Vetëm gjashtë muej mbas mbarimit të luftës, qyteti i Nurembergut filloi jetën e re me elektricitet, ujë e kanalizime. Mijëra telefona, zyrtarë e privatë, u instaluen. Klinikat shëndetësore u hapën. U ba imunizimi i fëmijëve dhe qyteti u pajis me ma shumë shtretën se kishte në vitin 1939. U hapen dy kinema dhe në sallat e teatrit filluen shfaqjet. Administrata ushtarake amerikane tregoi me sukses për popullin gjerman rrugën e rimëkambjes.
Rasti i dytë: më 3 tetor 1990 u ba bashkimi formal i dy Gjermanive. Lufta e Ftohtë mori fund në Europë. Filloi periudha e re e paqes, e përparimit, e zhvillimit ekonomik. Filloi edhe procesi i ramjes së shteteve satelite ish-komuniste dhe i Shqipërisë. Procesi i dekomunizimit në ish-Gjermaninë Lindore filloi, vazhdoi dhe përfundoi me sukses për hir të ndihmës së madhe që dha Gjermania Federale (afërsisht 100 miliardë dollarë në vit) dhe të eksperiencës së vitit 1945. Hapja e dosjeve dhe procesi i lustracionit u ba në mënyrë të rregullt, i organizuem dhe i mbikëqyrun nga organet e Qeverisë Federale Gjermane, nji shtet i pasun dhe me aftësi të dorës së parë.

* * *
Përvoja e së kaluemes komuniste duhet të na rikujtojë se tirania na nxjerr nga bota e humanizmit dhe përfundon në vdekje, morale e fizike. Sot, bindja jonë ma me randësi duhet të jetë “… njohja e dinjitetit tonë njerëzor dhe e barazisë së të drejtave të patjetërsueshme për të gjithë pjesëtarët e familjes së vetme njerëzore, si themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë” (UN Deklarata Universale)
Do të vijë nji ditë kur kujtimet e shtypjes, dhunës, terrorit të ushtruem nga kryekriminelët sadistë do të veniten në kujtesën e popullit shqiptar. Me parafrazue kryeprokurorin ushtarak amerikan, Robert H. Jackson, ne s’e kemi kultivue në botën tonë shqiptare idenë se “lufta e klasave”, kriminelë e agresivë, ashtë rruga që shpie agresorin në bankën e të akuzuemit e jo në listën e nderit, atëherë mund të themi se kemi dhanë nji kontribut në përpjekjen tonë me ba jetën ma të sigurtë. Me punë sistematike në mbledhjen, paraqitjen e fakteve, na i bajmë të qartë popullit shqiptar se janë kriminelët komunistë ata që filluen këtë proces, dhe përgjegjës për të gjitha rrjedhimet fatale… e jo ne! Ata janë persekutuesit, ata janë fajtorët. Na jemi viktima, na jemi të pafajshëm. Dhe për këtë, ne kemi të drejtën e plotë morale me folë, me akuzue, dhe me kërkue  riparimin e padrejtësive të bame në kurrizin tonë e të familjeve tona.
Tue marrë parasysh të kaluemen tonë tragjike nën “diktaturën e proletariatit”, nji çmenduri komuniste e shekullit XX, të ushtrueme me egërsi nga udhëheqës injorantë deri në dhimbje, e të çveshun nga çdo cilësi qytetare të respektit të jetës dhe dinjitetit të “qytetarit” që mendon ndryshe, njeriu pyet veten:
Çfarë qëndrimi duhet marrë në gjykimin e nji sjelljeje të këtillë, sot kur Shqipëria kërkon të ballafaqohet me të kaluemen, të dënojë atë dhe të nxjerrë mësimet e nevojshme për rindërtimin moral të shoqënisë sonë, kryenaltë për identitetin e saj dhe e denjë për anëtarësim në Bashkimin Europian, vlerat e tij qytetnuese, e mirëqenien ekonomike që na ofrohet?
Përpjekjet me dënue të kaluemen komuniste kanë qenë të paktën jo serioze, të shumtën ofenduese për viktimat. Para nji situate të këtillë:
A jemi sot në pozitë që ne “kontratën sociale” të shoqënisë sonë akoma të paafirmueme, të harrojmë gjithçka dhe të vazhdojmë në “rrugën pa krye”, sikur asgja nuk ngjau në këtë botën tonë?
A jemi të sigurt se me nji qëndrim të këtillë, konfliktet ekzistuese do të “eliminohen”, të veniten nga koha, sikur nuk ngjau gja në këtë botën tonë? Çka mbetet atëherë nga koncepti i “përgjegjësisë qytetare para ligjit” dhe respektimit të ligjit simbol i lidhjeve ndërqytetare dhe lidhjeve të popujve në këtë planet tonin?
A duhet të pranojmë se ushtrimi i “pushtetit të pakontrollueshëm” don të thotë se nuk ekziston nji detyrim me randësi ndaj shoqënisë shqiptare të heshtun? A kemi ra sot në nji pozitë, thellësisht komprometuese, me pranue që “me muratorët e  ferrit do të ndërtojmë parrizin”? E të pranojmë shprehjen franceze për burbonët “nuk mësuen gja dhe nuk harruen gja”? Cila ashtë e ardhmja e jonë?
Nji pyetje e vështirë! Nji problem thelbësor që kërkon nji zgjidhje të përhershme. Nuk mund të vazhdohet ma gjatë kështu. Flitet për “hapje dosjesh” e “lustracion”, nji zgjidhje jo vetëm e vonueme, por edhe e papërgatitun me kujdes. Na ofrohet “modeli gjerman” rruga e ndjekun nga nji popull europian e përparimtar.  Por Shqipëria sot nuk ka as përkrahjen e “aleatëve perëndimorë”, ashtu si Gjermania e vitit 1945, as përkrahjen e Gjermanisë Federale për Gjermaninë Lindore si në vitin 1990-2000, as vullnetin e duhun për nji zgjidhje të drejtë që synon dënimin e “mëkatit” e jo vetëm hakmarrjen kundrejt “mëkatarit”.
Dy sprova personale! Në vitin 1951, erdhi në burgun e Shkodrës nji i ri 21-vjeçar, ish-oficer Sigurimi, i dënuem sepse u trondit nga trajtimi kriminal i klerit katolik shqiptar. Nji ditë u afrue e vullnetarisht filloi me u rrëfye. “Duhet ta dini, më tha, se në rast përmbysjeje, ne kemi përgatitë dy lloj dosjesh: njena, dosja A, përmban veprimtarinë tonë kundër jush;  kjo dosje do të digjet para se të largohemi. Dosja e dytë, dosja B, ashtë dosje për ju, e elementit të komprometuem, e do të mbetet e paprekun. Kur të hapet, do të shihni sa thellë kemi hyrë në rrethin tuej familjar. Atëherë do të ziheni njeni me tjetrin… e do të na harroni ne”. Ashtu ngjau!
Mbas lirimit nga burgu, më vizitoi nji bashkëvuejtës, i torturuem dhe tashti punëtor krahu, baba i dy të rinjve gjimnazistë. “Kam ardhë me shkarkue nji barrë të randë te ti, më tha. – Unë jam nji kufomë që lëviz, sepse moralisht jam i vdekun. Më kanë kërcënue në Sigurim se do të nxjerrin djelmët nga shkolla e do t’i detyrojnë me ba punë krahu në ndërtime. Sot, nuk më ka mbetë gja veçse grueja e smurë e dy fëmijtë. Ideja që ata të rriten pa shkollë dhe punëtorë në kantierë më tmerron. Më kërkuen “bashkëpunim” si “informator”. Njizet e katër orë ma vonë, pranova. Unë kam vra veten moralisht me shpëtue dy fëmijtë nga nji katastrofë, më tha. Tashti, punoj me sigurue triskën e bukës për familjen… punoj në tulla…! Këtë sekret ta besoj ty… për hir të vuejtjeve të përbashkëta…”.
Nuk gjeta fuqi me thanë nji fjalë të vetme. I hodha krahët dhe përqafova këtë shenjtëni atnore. Pa folë, të përqafuem, dy viktima po jetojshim momente solemne të jetës sonë të nxirë, çaste cilësore të papërsëritshme! I friksuem nga nji skenar i këtillë, planifikova arratisjen time. Vdekja kishte humbë peshën e frikës që e shoqënon….
       Hapja e dosjeve, e të gjitha dosjeve, do të sjellë dhimbje të mëdha, vuejtje afatgjata, sidomos në rradhët e viktimave të komunizmit. Si do të ndjehen dy të rinjtë e bashkëvuejtësit tim, krenarë për sakrificën e atit të tyne në burgje e kampe pune, kur të lexojnë katastrofën morale të prindit të vdekun? Çfarë kënaqësie do të nxirret nga dosja e ish-sigurimsit “të penduem”? E të mijëra të tjerave të ngjashme me këto? Kjo do të ishte nji padrejtësi e madhe që asnji ndërgjegje njerëzore nuk duhet ta pranojë; dhe asnji shoqëni e qytetnueme nuk duhet ta lejojë!
Dosjet duhet të hapen për të gjithë kriminelët e mëdhaj, të vegjël dhe “përkrahësit” që kanë përkrahë dhe kanë mbajtë në kambë me ndërgjegje, e jo nga frika e persekutimit, diktaturën e kuqe. Le të çlirohemi nji herë e përgjithmonë nga “kërcënimi i hapjes së dosjeve”, dhe le të eliminojmë elementët e komprometuem  me vullnet të lirë, nga aparati shtetnor – dhe nga rrethet tona shoqënore.
Në historinë tonë kombëtare kemi trashëgimi të mirë dhe jo aq të mirë, por që ashtë pjesë e pandame “e jona”. Bashkëpunimi me okupatorin dhe lufta jonë për liri; bashkëpunimi me diktaturën komuniste dhe lufta jonë për demokraci, janë pjesë e së kaluemes sonë të vështirë. Nuk mund të shlyhen, as duhet të harrohen. Ata mund të shfrytëzohen me nxjerrë mësim për të ardhmen. Na do të dalim me sukses në qoftë se punojmë ma shumë për të ardhmen e  fëmijve tonë se për demonizimin e kundërshtarit…!
Edhe nji hap ma shumë: “Mos lejoni fitoren e së Keqes mbi ju; por mundeni atë me nji të mirë” (Romans, 12:21)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura