Dosjet jashtë afatit, në skemë vetëm 750 familje. Dëmshpërblehen vetëm të dënuarit që jetojnë

Apr 26, 2016 | 20:00
SHPËRNDAJE

Në proces dëmshpërblimi do të përfshihen rishtazi vetëm kërkesat e bëra nga ish-të përndjekurit që janë gjallë. Ministria e Mirëqenies Sociale ka gati draftin e ri, në të cilin është përcaktuar rihapja e afatit, por vetëm për kategorinë parësore.

DOSJET JASHTË AFATIT Janë jo të paktë ata që, për shkak të mungesës së informacionit, nuk arritën të dorë- zonin në kohë dokumentet e kërkuara, për pasojë mbeten jashtë procesit të dëmshpërblimit.

Ish te perndjekur ne proteste
Ish te perndjekur ne proteste

Mësohet se nga tri mijë dosje të arkivuara, që ende nuk janë marrë në shqyrtim, rreth 750 janë nga radhët e kategorisë parësore, pra që jetojnë. Më herët u tha se të gjitha ato do të pranoheshin, por duket se në variantin përfundimtar të projektligjit, që pritet të miratohet së shpejti, përfshirja është reduktuar.

Pjesë e skemës do të bëhen vetëm aplikimet e depozituara nga të dënuarit të cilët jetojnë. Një fakt i tillë pohohet nga kreu i Institutit për Integrimin e ish-të Përndjekurve, Bilal Kola. “Numri në total parashikohet të jetë rreth 750 dosje. Nëse do të hapej afati edhe për trashëgimtarët, numri i tyre do të shkonte mbi 3 mijë”.

DËMSHPËRBLIMI Për këtë vit, ashtu si edhe një vit më parë, janë vënë në dispozicion dy miliardë lekë, ose thënë ndryshe 20 milionë dollarë. Nga këto, 14 milionë dollarë do të shkojnë për të dënuarit që janë gjallë, ndërsa pjesa e mbetur për trashëgimtarët. Sipas Financave, synohet që në harkun e këtij viti të realizohet ndarja e këstit të pestë dhe të gjashtë për kategorinë parësore dhe ndarja e pagesës së dytë për trashëgimtarët. Listat e përfituesve do të shpallen në bazë të rendit të përcaktuar me vendim qeverie, ku të parët janë të dënuarat gra dhe ata mbi moshë 75 vjeç.

Nga ky fond i alokuar pritet të mbyllet kësti i pestë dhe i gjashtë për kategorinë parësore dhe kësti i dytë për trashëgimtarët. Ministria e Financës bën me dije se në momentin që shpallen listat, ata që lexojnë emrin, kanë detyrimin për të dorë- zuar certifikatë lindjeje dhe numër llogarie. Ndërkohë, paralelisht me ndarjen e parave për ata që janë gjallë, do të vijohet edhe me trashëgimtarët.

Ndarja e këstit të dytë për ta do të bëhet duke ruajtur rendin e pagesës së parë. Pra, ai që ka marrë këstin e parë, do të jetë në radhë të parë për të përfituar këstin e dytë, e kështu me radhë. Fondi i limituar që është adresuar edhe këtë vit për këtë kategori e bën të pamundur çeljen e këstit të tretë brenda këtij viti.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura