Dosjet e bujshme që ka hetuar/ U dorëhoq dhe i shpëtoi vetingut, çfarë motivi dha gjyqtarja e Krimeve të Rënda. Sot pritet që…,

Dec 10, 2019 | 9:34
SHPËRNDAJE

LILJANA BAKU TAHIRI GJYQTARE

Gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Liljana Baku, ka dhënë dorëheqjen në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe gjatë ditës së sotme do të merret në shqyrtim. 

KLGJ-ja do të shqyrtojë projekt-vendimin për mbarimin e statusit të gjyqtarit për Bakun, e cila i shpëton në këtë formë edhe procesit të rivlerësimit.

Duke iu referuar ligjit për rivlerësimin kalimtar me dhënien e dorëheqjes dhe deklarimit të mbarimit të statusit të magjistratit, mbyllet automatikisht edhe procesi i hetimit administrativ për pasurinë, aftësitë profesionale dhe pastërtinë e figurës.

Burime thanë dje se gjyqtarja e Krimeve të Rënda, e cila ka qenë gjyqtarja e hetimit paraprak për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, ka dhënë dorëheqjen me motive personale dhe përfshirjen e saj në një aktivitet privat.

Përgjatë viteve si gjyqtare, Baku ka pasur në shqyrtim çështje të rëndësishme gjyqësore dhe që kanë pasur vëmendje mediatike.

Kështu, Liljana Baku ka qenë pjesë e pesëshes së gjykatësve që shpallën të pafajshëm Arben Frrokun, duke lënë pa autor vrasjen e komisarit, Dritan Lamaj.

Gjithashtu, Baku ka gjykuar edhe çështjen e imamëve të vetëshpallur, të akuzuar për terrorizëm, si dhe Ermal Hoxhën, nipin e Enver Hoxhës për dosjen e njohur si “Xibraka”.

Çështja më e rëndësishme e viteve të fundit që ka pasur kjo gjyqtare është ajo ndaj ishministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, për të cilin vendosi të caktojë masën e sigurisë “Arrest shtëpie” më shumë se një vit më parë.

Por Baku nuk është e vetmja që largohet nga sistemi me dorëheqje, pasi shumë subjekte rivlerësimit, gjyqtarë e prokurorë, kanë zgjedhur të largohen për “arsye personale”.

Një pjesë prej tyre edhe në momentet që kanë marrë rezultatet e hetimeve nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Në mbledhjen që Këshilli i Lartë Gjyqësor do të zhvillojë gjatë ditës së sotme, do të miratojë mbarimin e statusit të magjistratit për disa gjyqtarë, ndër ta edhe për Bakun.

“Shqyrtimi i projektvendimeve për mbarimin e statusit të magjistratit, për shkak të dorëheqjes për disa gjyqtarë”, njoftoi dje Këshilli i Lartë Gjyqësor. Gjithashtu, në mbledhjen e sotme, KLGJ-ja do të miratojë edhe projektvendimet për verifikimin e kritereve ligjore për dy kandidatë për Gjykatën e Lartë. Konkretisht për Jetmira Rragami dhe Rezarta Cenaj./Panorama.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura