Dosja sekrete e Sigurimit: “Xhaviti më tha se në pritjen e ambasadës sonë në Moskë, Hrushovi me gishtin lart, i’u drejtua Enverit…”/ Përgjimet ndaj disidentit komunist që vuajti 32 vite burg!

Nov 25, 2021 | 7:37
SHPËRNDAJE

Dashnor Kaloçi

Pjesa e pestë

enPublikohet një dosje arkivore voluminoze të nxjerrë nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhen me qindra dokumente me siglën “Tepër sekret” që i përket ish-të dënuarit politik, Xhavit Qesja, me origjinë nga qyteti i Krujës, familja e të cilit gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, u lidh ngushtë me Lëvizjen Antifashiste, duke qenë një ndër bazat kryesore të saj dhe vuri në dispozicion të gjithë pasurinë që kishte, pasi Xhaviti ishte një ndër anëtarët e parë të Partisë Komuniste Shqiptare për rrethin e Krujës, duke drejtuar batalionin partizan Krujë-Ishëm dhe Brigadën e 22 Sulmuese. Karriera politike e Xhavit Qeses pas mbarimit të Luftës, ku ai u emërua dhe shërbeu në detyra të larta në Ushtrinë Shqiptare, aparatin e Komitetit Qendror të PPSh-së, e disa rrethe të vendit, nga ku u dërgua me studime në Bashkimin Sovjetik, ku qëndroi deri në vitin 1957, kur ai u njoftua që të kthehej urgjent në Shqipëri, pasi kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij pro vijës politike që po ndiqte udhëheqësi kryesor i Kremlinit, Nikita Hrushov, për dënimin e kultit të Stalinit. Biseda e Enver Hoxhës me Xhavit Qesen në zyrën e tij në Komitetin Qendror, ku ai e kritikoi ashpër për pikëpamjet e gabuara që ai kishte shfaqur gjatë periudhës së studimeve në Moskë, duke i bërë thirrje që të reflektonte dhe të bënte autokritikë, por Xhaviti e refuzoi sugjerimin e sekretarit të parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, gjë e cila u bë shkak që ai të mos lejohej të shkonte më në Bashkimin Sovjetik për të përfunduar studimet, por të dërgohej me punë si nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, nga ku një vit më vonë, do të përjashtohej nga radhët e Partisë, e do të internohej në Ishullin e Zvërnecit, ku regjimi komunist mbante të izoluar disa nga ish-kuadrot e lartë partiakë dhe shtetërorë, të cilët i kishte dënuar për pikëpamjet e tyre antiparti. Kalvari dhe persekucioni i gjatë i Xhavit Qeses nga viti 1957 deri në 1990-ën, ku ai kaloi plot 32 vite në burgje dhe internime, duke qenë një nga të rrallët e dënuar të burgut të Burrelit që bëri greva të gjata urie në shenjë proteste për trajtimin dhe qëndrimin e egër që po mbante regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj tij. Dosja e plotë formuare, hetimore dhe gjyqësore në ngarkim të Xhavit Qeses, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku ndodhen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që pasqyrojnë ndjekjen dhe përgjimet ndaj tij, raportet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit me pseudonimet e tyre, korrespodenca me letrat që ai u dërgonte instancave të larta partiake dhe shtetërore, si dhe udhëheqësve më të lartë të PPSh-së, deri në vitin 1991 që u lirua nga burgu!

Raport-informacioni i oficerit të Sigurimit të Shtetit, kapiten Avni Mehmeti, me detyrë shef i Seksionit të II-të, lidhur me analizën e bërë, për ndjekjen dhe survejimin e Nën/Kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit, Xhavit Qesja,

RELACIONI MBI REALIZIMIN E PIKAVE TË PLANIT PËR XHAVIT QESEN

Në lidhje me përpunimin e tijë gjatë këtij tre mujori, janë ngritur një sërë detyrash me qëllim që të vërtetonim dhe të dokumentojmë aktivitetin e të përmendurit. Nga analiza që i bëmë planit të masave, rezulton se janë arritur këto përfundime:

Përsa i përket pikës së parë, kjo u realizua plotësisht dhe nga studimi që i bëmë rrethit të tij shoqëror, na del se në rrethin e tijë janë tre B.p. tonë, dy prej të cilëve na kanë dhënë në drejtim të tijë, ndërsa njëri ka qenë i arshivuar dhe tani e morëm përsëri në lidhje, me qëllim që ta përdorim në drejtim të tijë.

Në pikën e dytë, ngremë detyrë në se objekti në përpunim mban lidhje me Agronin dhe a bisedon për kundër Partisë. Kjo pikë është realizuar dhe se vërtetohet se ai mban lidhje të ngushta me të, por deri tani nuk rezulton që të kenë biseduar për çështje kundër Partisë ose pushtetit. Kjo nuk është konkretizuar, nga fakti se Xhaviti nuk flet më me këdo, aq më tepër kur ka persona të tjerë!

Pika e tretë, ngrihet detyrë për të grumbulluar material mbi aktivitetin e tijë në punë. Për këtë çështje ne kemi të dhëna nga dy burime që vërtetojnë plotësisht se objekti nuk tregon ndonjë interes të mirë në lidhje me detyrën si Nën/Kryetar Komiteti, e shumë gjeste të tjera që tregojnë ironizimin e tij në detyrën që kishte në Komitet.

Pika e katërt është vëna nën kontroll në korrespondencën e tij postare. Kjo është realizuar dhe deri tani kemi zënë një letër që vjen nga Shkodra, por që nuk ka adresë ekzakte, vetëm se mban mbishkrimin “Zina”, ndërmjet të tjerash në letër i dërgohen të fala nga familja e Zef Franos, përmbajtja e letrës është kryesisht mbi detyrën e tij si Zv/Kryetar, duke i ditur pyetjet rreth bujqësisë, grumbullimeve dhe industrisë, por nuk ka gjë armiqësore. Për këtë do të bisedojmë me Shkodrën, për të vërtetuar se cili është person i letrës.

Në pikën e pestë, bëhet fjalë për lëvizjet e tijë jashtë Elbasanit, kjo është krijuar dhe na del nga ana e agjenturës dhe survejimit, që ky të ketë shkuar në Durrës dhe ka marrë kontakte me Peço Kagjinin, gjithashtu është konstatuar se ky bisedon shpesh në telefon me Durrësin dhe Beratin, në Berat bisedon me Ymer Veshin, që është Sekretari i Komitetit Partisë në rreth, ndërsa në Durrës, nuk kemi mundur të identifikojmë persona se me cilët bisedon.

Përsa i përket pikës 6-7-të këto janë realizuar plotësisht dhe tani kohët e fundit ai u emërua Drejtori i Komunales, që nuk ka sesi të lëviz shpesh. Kurse për lëvizjet për Tiranë e gjetkë, kemi informacion vazhdimisht me atë degë.

 Dt.1/4/1958                        SHEFI I SEKSIONIT II-të

                                              KAPITEN (Avni Mehmeti)

Dokumenti i Sigurimit të Shtetit me planin e masave agjenturale-operative për intesifikimin e ndjekjes dhe survejimit të Xhavit Qeses

 Aprovohet                                                                                                        Tepër Sekret

                                                                                                                  Elbasan, më 1.5.1958

 SHTOJCË E PLANIT TË MASAVE AGJENTURALE – OPERATIVE PËR XHAVIT QESEN, KATEG. II/A

  1. Të udhëzohet dhe të drejtohet B.p. “Skëndi” që të vizitojë më shpesh objektin në lëndë dhe në mënyrë të kujdesshme të kombinoj që në takimet e tyre të jetë edhe Agron Frashëri, me qëllim që të vërtetojmë nëse ka besim që Xhaviti të flasë edhe në prezencë të Agronit. Për këtë, po mendohet një kombinacion, duke i thirrur për darkë, (“Skëndi”), me rastin e ndonjë feste ose shkak tjetër.

Ngarkohet ta kryej A. Mehmeti në bashkëpunim me Nën/Kolonel, Shim Kollin, prej datës 1.4. deri më 15 .5.1958.

  1. Të bëhet një shkresë Shkodrës, për të konkretizuar dhe vërtetuar se cili është një person me emrin Zina, që i dërgon një letër pa adresë objektit në përpunim. Në rast se vërtetohet (identifikohet), personi të na sqarojë pozitat e tij dhe se çfarë e lidh me Xhavitin, me qëllim që ta shfrytëzojmë për interesin tonë operativ në drejtim të përpunimit.

E kryen A. Mehmeti, prej datës 1-4 deri më 30.4.1958

  1. Të korrespondohet me Tiranën, për të vërtetuar nëse është e vërtetë që Xhaviti nuk ka marrëdhënie të mira dhe se e ka ndarë gruan, dhe nëse po, cilat janë arsyet, mbasi kemi një sinjalizim të tillë dhe që i përmenduri, mund të ketë mendime, për ndonjë veprim arratisje etj.

E kryen Avni Mehmeti, prej datës 1.4, deri më 30.4.1958.

  1. Të studiohet një person në ndërmarrjen ku ky ka vajtur tani si drejtor, me qëllim që ta rekrutojmë për të na sinjalizuar mbi lëvizjet e tij, jashtë qytetit të Elbasanit, me qëllim që ta kemi nën survejim kudo që të vejë.

E kryen Avni Mehmeti, prej datës 1.4., deri më 15.4.1958.

  1. Të kontrollohet vazhdimisht korrespodenca e tioj, me qëllim që të zbulojmë dhe të konkretizojmë çdo lidhje të tij me personat e tij në rrethet e ndryshme dhe qëllimet e lidhjeve të tij.

                  Punëtori Operativ

               Kapiten Avni Mehmeti

Raport-informacion i nënkolonelit të Sigurimit të Shtetit, Shim Kolli, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit, me pseudonimin “Parashtruesi”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Xhavit Qeses

                Marrë nga Nënkolonel Shim Kolli

                  Dhënë nga B.p. “Parashtruesi”

                               Datë 16.4.1958

                                                                    R A P O R T

Burimi njofton se me Xhavit Qesen nuk jam njohur më parë. Këtë e njoha vetëm kur u transferova në Elbasan. Ku pashë se ky person, sikur nuk po ecën në rrugë të Partisë, i vura vetes detyrë për të zbuluar realitetin e këtij personi që ka qenë me ofiqe të rëndësishme partie.

Çfarë ka influencuar që Xhevit Qesja të krijoi një shoqëri dhe afrimitet me mua?! Mendoj se në radhë të parë, transferimin tem në Elbasan, e ka konsideruar si një masë ndëshkimore. Elbasanin ky e ka konsideruar si një kamp përqendrimi dhe kushdo që vjen këtu, për të duhet të jetë njeri i pakënaqur. Ky duket ka menduar se unë do të jem i pakënaqur, nga ish-punonjës i Drejtorisë së Sigurimit, në shef-plani!

Gjatë gjithë bisedave, jam përpjekur që të mos luaj rolin e nxitësit, por ta nxit për të punuar mirë, për të kryer mirë punët e pushtetit. Nuk jam treguar vigjilent, i vendosur për të goditur çdo gjë që është në kundërshtim me vijën e Partisë, sepse do ta kisha humbur besimin.

I kam bërë dhe provokime, por të gjitha këto, për të realizuar qëllimin tem. Jua deklaroj se manovrimet e mija, nuk e kanë nxitur Xhavitin, për t’u bërë njeri revizionist, aniti-sovjetik, por kanë vlejtur, vetëm që të zbulohet fytyra e vërtetë e këtij personi.

Muhabetet e para, fillojnë duke më thënë se: vallë ky ishte kritikuar në mbledhjen e organizatës së aparatit të Komitetit Qendror, bile, aty i kishin thënë (1949), sikur ishte bashkëpunëtor dhe besnik i Koçi Xoxes. Më tha se kishte qenë me Koçin më 1946-ën apo 1947, në Jugosllavi, me një fjalë, më fliste që njihej mirë me Koçin dhe se muhabetin e sillte në mënyrën që deshi të shfaqte simpatinë e tij për Koçin.

Bisedave është përpjekur t’u japë karakter marksist, sikur gjithçka që thoshte ky, janë të Leninit, vazhdimisht më ka bërë thirrje që të studioja marksizmin, sepse aty do të gjendej realiteti Leninist, mbasi në vendin tonë, Partia jonë veproka ndryshe, nga sa Leninin flet në veprat e tij!

Në fillim më ka folur për Policinë tonë Popullore, më pyeti nëse e dija se si e parashikonte Lenini Policinë. Më thotë se në vendin tonë, Policia po përdoret për të ruajtur punëtorët. Tani që pushteti është i punëtorëve, Xhaviti mendon se nuk ka përse të ketë Polici. E kë të ruaj Policia? më tha Xhaviti.

Vallë Lenini ka thënë që: me marrjen e pushtetit, funksioni i Policisë duhet të kryhet nga vetë punëtorët? Unë e di se në ‘Bazat e Leninizmit’, thuhet që: të nesërmen e fitores, duhet të organizohet një aparat special, i cili të mbrojë sukseset e revolucionit, si konkluzion nxori Xheviti, se vendi është mbushur plot me polic.

Më ka thënë se kur ishte Xheviti sekretar Partie në Shkodër, është lavdëruar nga Komiteti Qendror, se ka luftuar dhe ka mbrojtur mirë vijën e Partisë, sidomos ka luftuar Titizmin.

“Në atë kohë’’, më tha Xhaviti, ‘u tha se Jugosllavët janë trockistë etj., por më vonë puna doli ndryshe, Jugosllavët po ndërtojnë socializmin, dhe si është e mundur që të vazhdojnë në pozitat të gabuara”.

“Jo, duhet ta themi hapur, copë, se kemi qenë të gabuar. Ja unë kam qenë nga ata që jam lavdëruar nga Komiteti Qendror, por tani unë e shoh se udhëheqja e Partisë tonë qëndron shumë larg realitetit, ajo nuk don të bëjë kthesë’, më pas më ka thënë se (ashtu flet për udhëheqjen), ‘nuk duan që të përmirësohen marrëdhëniet me Jugosllavinë dhe bëjnë çmos për të mos u afruar”.

Më ka thënë se u kthye nga Moska në Elbasan, sepse ky ishte në kundërshtim me vijën e Partisë, sidomos lidhur me çështjen Jugosllave dhe Polake. E paska thirrur sekretari i Komitetit Qendror, shoku Hysni, sikur i kishte thënë se: “Ti Xhavit, je një nga shokët që njohin më mirë marksizmin, kur ti referoje, të dëgjonin me vëmendje dhe përfitonim edhe ne”, po këto Xhaviti i ka kuptuar si diplomaci, prandaj nuk ka pranuar të përulet, më ka thënë se nuk ka dashur që të bëjë autokritikë.

Shtypi ynë nuk paraqet realitetin, thotë Xhaviti, në fakt ky nuk lexon kurrë gazetat tona, në raste të rralla lexon ndonjë artikull që Partia e ka më të gjerë dhe menjëherë fillon komentet, se: “shtypi jonë i shkurton ose nuk i boton artikujt të rëndësishëm”, më tha njëherë që: “Parvda’ apo ‘Komunisti’ kishte botuar krejt fjalimin e Gomulkës, ndërsa këta akoma qëndrojnë larg.

“Ore, a e merr vesh ti se këtu’ (flet për udhëheqjen), ‘nuk duan të dëgjojnë fare për Gomulkën, dhe nuk e dimë pse? Sepse ka qenë në burg. Këta nuk duan të bëjnë festë, kurse shtetet të tjera socialiste i analizuan gabimet e tyre dhe morën masa kundrejt shkaktarëve”.

Xhaviti është i lidhur shumë me emisionet radiofonike, dëgjon vazhdimisht Radio-Moskën, Beogradin, Barin. Ai ka besim në emisionet radiofonike të Perëndimit dhe më ka thënë: “Lëri llafet, por këta (imperialistët), thonë realitetin? NUK DRUHEN”, është fjala kur amerikanët po përgatiteshin për të lëshuar satelitin, satelit i cili më vonë u plas. Xhaviti më tha që po përgatiten edhe amerikanët për ta lëshuar më pas, pas atij që u plasi, por shtoi se këta e thonë realitetin.

Kur amerikanët e lëshuan satelitin e tyre më tha: “Sateliti amerikan u lëshua në një largësi prej 4.500 km., shumë më larg se sovjetiku”. Xhaviti nuk u tregua entuziast kur u lëshua sateliti sovjetik. Ai më tha se Bashkimi Sovjetik nuk duhet që të kishte lëshuar satelitin në atë kohë (kur flitej që të mblidheshin burrat e fuqive të mëdha, për të arritur një marrëveshje), se valla lëshimi i satelitit do të merrej si një kërcënim ushtarak!

Xhaviti më tha se edhe Tito, lidhur me lëshimin e satelitit të parë artificial sovjetik, kishte thënë: “Përgëzojmë teknikën e Bashkimit Sovjetik që arriti të lëshoj një satelit, por dënojmë xhestin e lëshimit të satelitit në këtë kohë”.

Xhaviti më ka thënë se: kur ambasada jonë në Moskë dha një pritje (më 29 nëntor, apo festa të tjera), ku ishin prezent shoku Hrushov dhe shoku Enver, shoku Hrushov vëren rreth e rrotull dhe i drejtohet shokut Enver me këto fjalë, duke i tundur gishtin tregues të dorës së djathtë: “Jo shoku Hoxha, jo, nuk është aty vendi i ambasadorit Jugosllav”. Mbas këtyre fjalëve, shoku Hrushov, thirri ambasadorin Jugosllav në krye të tavolinës dhe piu një dolli me të.

Këtë ja ka kallëzuar si mbas Xhavitit, një njeri që ka qenë prezent në recepsion. Tani Xhaviti me këtë don të thotë dhe komenton që Bashkimi Sovjetik, nuk është dakord me qëndrimin e udhëheqjes sonë. Për të treguar se deri ku ka shkuar miqësia sovjeto-jugosllave, më ka thënë se kur Tito vizitoi Bashkimin Sovjetik, u duk një dashuri e madhe midis shokut Hrushoiv dhe Titos, aq sa nuk u ruajtën marrëdhëniet protokollare. /Memorie.al

© Panorama.al

Te lidhura