Dosja e Sigurimit/ Kush e survejonte ish-kryeministrin Meksi, dokumenti me akuzën: Agjitacion dhe…

Sep 27, 2018 | 9:26
SHPËRNDAJE

Publikohet Kartela e Sigurimit e ish-kryeministrit Aleksandër Meksi, e nënshkruar nga Punëtori Operativ, Besnik Bajraktari dhe zv/ kryetari i Drejtorisë së Punëve të Brendëshme të Tiranës, Refik Nanaj, me materiale të siguruara nga bashkëpunetori me pseudonimin, “Neranxa”.

meksi

Dashnor Kaloçi, TemA

Ditën e djeshme në gazetën TemA publikuam një copëz dokumenti nga dosja e deklasifikuar e ish_Sigurimit të Shtetit për ish-kryeministrin demokrat të Shqipërisë, Aleksandër Meksi, (Ministria e Punëve të Brendësh, Drejtoria e Punëve të Brendëshme. Seksioni i III_të, Dosja Formulare 2 A. Nr. 9208) siguruar në bazë të procedurave ligjore në fuqi nga ana e Autoritetit për Informim mbi dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, i cili bënte fjalë mbi një raport-informacion të vitit 1969 ku sekretari i parë të Komitetit të Partisë së Tiranës, Manush Myftiu, informonte Komitetin Qëndror të PPSH-së lidhur me diskutimet që ishin bërë në organizatën e Bashkimeve Profesionale të Monumenteve të Kulturës, ku mes të tjerëve kishte diskutuar dhe Aleksandër Meksi.

Siç theksuam edhe te shkrimi në fjalë, ai dokument ishte më i parëndësishmi në të gjithë dosjen voluminoze me 140 fletë të hapur nga Sigurimi i Shtetit për ndjekjen e survejimin e Aleksandër Meksit dhe si të tillë mundëm “t’ja vjedhim” për ta bërë publike, pasi që nga dita që z. Meksi ka marrë në “dorëzim” dosjen e tij, (tre muaj më parë), ai nuk ka publikuar apsolutisht as dhe një dokument të vetëm prej saj.

Nga kjo dosje me siglën “Tepër sekret”, “ka rrjedhur” dhe një copëz dokumenti tjetër, që është Kartela Model 1, ku kanë nëshkruar me firmat e tyre, punëtori opetariv i Sigurimit të Shtetit, Besnik Bajraktari dhe zv/ kryetari i Drejtorisë së Punëve të Brendëshme të Tiranës, Refik Nanaj. Në këtë kartelë formular, ndodhet edhe data e vënies në përpunim të shtetasit Aleksandër Meksi, (8 dhjetor 1982) si dhe motivacioni për të cilën edhe i është hapur dosja në fjalë, ku thuhet: “Zhvillon agjitacion e propagandë me gojë”.

Siç duket dhe nga faksimilja përkatëse e kapakut të dosjes, matërialet kryesore në ngarkim të Aleksandër Gabriel Meksit, janë siguruar nga bashkëpunëtori me pseudonimin “Neranxa”, që ka qenë ngarkuar për ndjekjen e survejimin e tij. Sipas platformës të ish-Sigurimit të Shtetit, Dosja 2A që ishte hapur në ngarkim të Aleksandër Meksit, hapej për personat me rrezikshmëri të lartë, të cilët në rast lufte, pas të burgosurve politik, ishin të parët që ekzekutoheshin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura