“Dosja e shekulli”/ Izet Haxhia kërkon të marrë pafajësi. Ja kur pritet të vendosë Gjykata për dëshmitarët, mes tyre edhe ish-kryeministri Berisha

Sep 24, 2020 | 12:10
SHPËRNDAJE

XHENTILA GJOSHI/ Gjykata e Tiranës ka nisur gjykimin nga e para ndaj të pandehurit Izet Haxhia, i cili është dënuar për vrasjen e ish-deputetit demokrat Azem Hajdari në vitin 1998.

Izet haxhia-Berisha-gjyqi

Në seancën e zhvilluar ditën e djeshme, Prokuroria ka lexuar kërkesën për gjykim, rrethanat se si ka ndodhur ngjarja, ndërsa ka paraqitur edhe një listë me emra të dëshmitarëve, të cilët do të duhet të dëshmojnë në këtë proces. Kjo, si pasojë për të mbledhur më shumë prova ndaj akuzave të ngritura ndaj Izet Haxhisë.

Prokurori Dritan Nushi, teksa ka lexuar kërkesën për gjykim duke listuar edhe dëshmitarët që duhen pyetur në zhvillim të këtij procesi, ku mes tyre ishte edhe ish-kryeministri Sali Berisha, Vili Minarolli, Sali Lusha, Ylli Rakipi, Genc Pollo, e një sërë dëshmitarësh të tjerë. Ndërkohë, vetë i pandehuri Izet Haxhia nuk ishte i pranishëm në këtë seancë, ndërsa më datë 2 tetor pritet që Gjykata të vendosë për dëshmitarët që do të pyetën dhe t’i hapë rrugë rigjykimit të një ngjarjeje, e cila është përfolur shumë gjatë në vendin tonë.

RISHQYRTIMI

Dosja e së ashtuquajturës “Vrasja e shekullit” pritet të rishqyrtohet në vijim në Gjykatën e Tiranës, nga i cili Izet Haxhia, ish-truproja i ish-Kryeministrit Sali Berisha, kërkon të marrë pafajësi. Gjykata e Apelit Tiranë vendosi në 19 mars të pranojë kërkesën e ish-truprojës së Sali Berishës, që të dëgjohet dhe të japë versionin e tij për një nga ngjarjet më të diskutuara ndër vite.

Ai është dënuar si një nga autorët e vrasjes së Azem Hajdarit, por nuk e ka pranuar asnjëherë vrasjen dhe ka hedhur akuza ndaj politikës si përgjegjëse. Për rreth 17 vite, Haxhia ka qenë jashtë Shqipërisë, ndërsa në vitin 2006, u arrestua në Turqi, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe të Dytë në Tiranë, por deri në maj të vitit 2018 nuk u ekstradua asnjëherë.

Dakord me kërkesën për rigjykim ishte edhe Prokuroria, që e konsideroi atë si një e drejtë e të dënuarit për t’u mbrojtur dhe dhënë versionin e tij, në kushtet e një gjykimi dhe dënimi të dhënë në mungesë. Ndërkohë, vetë Izet Haxhia u shpreh se kishte shumë gjëra për të thënë për vrasjen, si dhe kërkonte që të përballej me akuzuesit e tij.

I PANDEHURI

“Në historinë postkomuniste të Shqipërisë, dosja e ‘Shekullit’ është tregues i futjes së duarve në drejtësi nga dy klanet kriminale të malësorëve, të Skraparit dhe të Tropojës. Unë le të dënohem, edhe pse unë e kam vuajtur dënimin. Përpos të gjithave, unë dua të dëgjohem.

Nuk kam ardhur më herët, sepse edhe gjatë kohës që kam qenë në Turqi janë paguar nga klanet kriminale politike 1 milion euro, te trafikantët në Turqi për eliminimin tim”, është shprehur më herët Izet Haxhia. Sipas avokatit të tij, dosja hetimore është skandaloze, ndërsa shtoi se kjo tregon se si ka luajtur politika me këtë çështje, duke futur duart.izet-haxhia-sali-berishaDënimi me 25 vjet burg i Izet Haxhisë dhe rihapja e çështjes

Izet Haxhia u dënua me 25 vite burg në prill 2002 nga Dhoma Penale Tiranë e më pas, në qershor 2002, nga Apeli u dha dënimi i formës së prerë me 25 vite burg, në mungesë, për vrasjen e ish-deputetit demokrat Azem Hajdari. Pas 17 vitesh dënim në mungesë, në maj të vitit 2018, Izet Haxhia u rikthye nga Turqia për të rihapur çështjen. Ish-Gjykata për Krimet e Rënda pranoi kërkesën e Izet Haxhisë për hapjen e dosjes “Hajdari” dhe procesi rinisi fillimisht në Gjykatë e Shkallës së Parë Tiranë.

Më 18 mars 2018, tre gjyqtarët e Krimeve të Rënda, Dhimitër Lara, Nure Ndreni dhe Sokol Binaj vendosën të anulonin dy vendimet që kishin dënuar Haxhinë për të rihapur gjithë procesin me një tjetër trup gjykuese në Gjykatën e Shkallës së Parë. Deputeti Azem Hajdari u vra më 12 shtator 1998, teksa dilte nga selia e Partisë Demokratike. Për këtë krim u dënuan katër persona përfshi dhe ish-truprojën e Sali Berishës, Izet Haxhinë

izet-haxhia

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura