Dosja e Rezart Taçit/ Në përgjimet e Antimafias italiane del edhe emri i Presidentit Gjukanoviç! Prokuroria e Malit të Zi nis hetimet

Nov 20, 2021 | 10:36
SHPËRNDAJE

Pas publikimit të përgjimeve të Antimafias italiane, në lidhje me dosjen e biznesmenit Rezart Taçi, për përfshirjen në skemën e pastrimit të parave, Prokuroria Speciale e Malit të Zi ka nisur hetimet për Presidentin Milo Gjukanoviç.

taci gjukanovic

Ky lajm u bë publik më 17 nëntor nga transmetuesi publik “RTCG”. Emri i Presidentit malazez doli në përgjimet e Antimafias italiane që përfshijnë hetimet për ish-manjatin shqiptar të naftës, në lidhje me transferimin e një shume prej rreth 18 milionë euro nga Zvicra në Tiranë me destinacion final Singaporin ose Hong Kongun. Në dokumente përveç Presidentit malazez, përmendet edhe vëllai i tij, Aco, aksionari më i madh i Bankës së Parë të Malit të Zi.

Raporti përmban një transkript ku përmendet Gjukanoviç në kontekst të një ndërhyrjeje për një transaksion. Portali “RTCG” kërkoi një koment nga presidenca malazeze, por nuk mori përgjigje. Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç kërkon hetim të plotë. “Sektori i sigurisë do të veprojë sipas ligjit dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në drejtim të hetimit. Për ne nuk ka të pa prekshëm. Qëllimi ynë është të ketë një qasje sa më të gjerë të drejtësisë. Shpresojmë gjithashtu që Prokuroria të ndjekë këtë shembull dhe të reagojë në mënyrë aktive”, deklaroi ai.

Në Shqipëri është arrestuar kunati dhe ishtruproja i Rezart Taçit, i cili vijon që të jenë në kërkim nga drejtësia shqiptare. Ish-bosi shqiptar i naftës akuzohet për pastrim parash pasi dyshohet se ndihmoi një sipërmarrës kontrovers italian të dyshuar më parë për lidhje me “Cosa Nostra”-n për të transferuar 18 milionë euro.

PRESIDENTI MALAZEZ

Para disa ditësh “BIRN” publikoi përgjimet e një bisede mes biznesmenit të hidrokarbureve Rezart Taçi, i akuzuar nga SPAK për përfshirje në skemë për pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, gjatë së cilës ai dëgjohet duke përmendur emrin e presidentit malazez. Në bisedë, Taçi thotë se ai kishte përfshirë Gjukanoviç për të transferuar para në bankën “Prva Banka” të Malit të Zi. Në këtë bankë aksione ka vëllai i presidentit, Aco.

“Prva Banka” i ka mohuar akuzat, kurse Gjukanoviç është shprehur sipas “RTCG”-së se me shumë kënaqësi do t’u përgjigjet pyetjeve nga Prokuroria Speciale. “Me shumë kënaqësi do t’i përgjigjem ftesës të çdo autoriteti të shtetit, sepse dua të jap shembullin sesi dikush duhet të sillet nëse do që të vendoset sundimi i ligjit”. Megjithatë, Presidenti malazez e ka mohuar që të ketë pasur ndonjë kontakt me biznesmenin Taçi apo me ndonjë tjetër person të përfshirë në përgjime.

Sipas tij, këto janë akuza të pabaza që si qëllim kanë largimin e vëmendjes nga problemet e rëndësishme të jetës publike dhe politike në vend. “Është rast i fabrikuar. Nuk e di kush janë këta njerëz dhe as nuk kam pasur kontakt me ta në asnjë lloj mënyrë”, tha ai në një konferencë për mediat.

Dosja Taci

Italianët që bashkëpunuan me Taçin

Mediat e vendit fqinjë, shkruajnë se një nga personat e përfshirë është 90- vjeçari nga Palermo, Francesco Zummo. Emri i tij nuk ishte i panjohur për drejtësinë pasi edhe në të kaluarën ishte dyshuar për implikime në skemën e pastrimit të parave, si dhe njihej si mik i afërt i ishkryebashkiakut Vito Ciancimino. Po ashtu, në pranga ka rënë edhe kontabilisti Fabio Petruzzella, i cili është vëllai i një magjistrati në Palermo.

Ai dyshohet se ka vendosur 19 milionë euro në një llogari bankare në Tiranë, për të shpëtuar këtë shumë parash nga konfiskimi. “Hetimi përfshin gjithashtu një grup shqiptarësh që dyshohet se ndihmuan Zummo dhe bashkëpunëtorët e tij në operacionet e tyre financiare”, shkruajnë mediat. Emri Francesco Zummo-s bëhet i njohur në mediat italiane në vitin 2001, ku pas një operacioni u sekuestrua pasuri me vlerë rreth 150 milionë euro.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura