Dosja e prokurorisë/ Mjacaj fshehu trupin e 13-vjeçarit pas vrasjes. U zbulua nga i ati

Jul 7, 2015 | 21:04
SHPËRNDAJE

Më datë 22 dhjetor të vitit 2011, Prokuroria e Shkodrës ka kërkuar dënimin me dhjetë vjet burg të shtetasit Sokol Mjacaj, 20-vjeçarit që katër ditë më parë vrau për grabitje çiftin çek në Shkodër. Në pretencën e saj në fund të gjykimit në Gjykatën e Shkodrës, Prokuroria ka akuzuar të riun Sokol Mjacaj si bashkëpunëtor në vrasje.

Mjacaj pas arrestimit

Në kërkesën për gjykim dhe në pretencë, Sokol Mjacaj është renditur i pandehuri i parë, ndonëse theksohet se ka qenë i mitur. Pas tij renditen edhe shtetasit Besnik Kodra dhe Edmond Kodra, të akuzuar bashkë me Sokol Mjacajn për “vrasje në rrethana të cilësuara” në bashkëpunim mes tyre.

Bazuar në kërkesën e Prokurorisë, Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër dënoi me dhjetë vjet burg Sokol Mjacajn, burg përjetë për Besnik Kodrën dhe 12 vjet burg për Edmond Kodrën, pasi ishte edhe ai i mitur. Ata ishin akuzuar për vrasjen e 13-vjeçarit Agim Lera, të cilin e mbytën me gurë pasi e ftuan për t’u larë, me qëllim që t’i grabisnin një varëse floriri që ai kishte dhuratë nga babai.

SHPJEGIMI I NGJARJES
Çështja në fjalë është regjistruar pasi në datën 11 shtator 2010, rreth orës 24:30 apo 00:30, është marrë njoftim nga salla operative e Drejtorisë së Policisë së Shkodrës se në fshatin Pjoll kishte humbur jetën shtetasi Agim Lera, 13 vjeç, banues në fshatin Pjoll të komunës Shalë.


Rreth orës 01:30 të datës 12 shtator 2010 në sallën operative është marrë informacioni se shtetasi Agim Lera ishte gjetur i mbytur në shtratin e lumit Shalë. Menjëherë pas marrjes së këtij njoftimi, policia gjyqësore ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka kryer veprimet e nevojshme procedurale për të pasqyruar rrethanat e faktit dhe për evidentimin e mekanizmit dhe autorësisë së ngjarjes në fjalë.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes (vend i treguar nga dëshmitarët e gjetjes së trupit të viktimës Agim Lera) është vërejtur që në një shkurre shkoze, në afërsi të bregut të shtratit të Lumit të Thatë, është evidentuar një gjurmë në formë pike me ngjyre të kuqe me përmasa 0.3×0.3 cm. Në brendësi të shkurres, midis degëve të padëmtuara është gjetur dhe sekuestruar një këpucë atlete e këmbës së majtë, e përshkruar hollësisht në aktin e këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe këqyrjes së marrjes së provës materiale.

Në distancë rreth 4.5 metra larg me drejtim nga jugu i shkurres, pothuajse përballë me të, në shtratin e lumit të thatë, në një pellg uji me përmasa 1.2×1.5 m në thellësi 0.12 metra, është gjetur trupi i viktimës Agim Lera. 

KËQYRJA E VENDIT TË KRIMIT 
Gjatë këqyrjes së kufomës është konstatuar se në trupin e viktimës kishte shenja të dukshme dhune, të cilat vërtetohet se janë shkaku i vdekjes së 13-vjeçarit. Ky fakt provohet nga akti mjekoligjor nr.81, datë 12 shtator 2010, ku veç të tjerash thuhet se “te kufoma e shtetasit Agim Lera konstatohet se ka edemë të lehtë në kokë në të dy anët e ballit, gërvishtje, dërmishtje dhe ekimoza në fytyrë, gojë, qafë e duar, brazdë strangulacioni në qafë, sufizionë hemorragjike në të bardhë të syrit, edemë pulmonare të shprehur etj. Mekanizmi i vdekjes së shtetasit Agim Lera është ai i shtypjes, shtrëngimit dhe zënies së rrugëve të frymëmarrjes”. Ky konkluzion është konfirmuar edhe nga riekspertimi mjekoligjor nr. 1952, datë 6 dhjetor 2001, nga grupi i ekspertëve të caktuar nga trupi gjykues.

Ata kanë rikonfirmuar edhe një herë dëmtimet e shkaktuara në trupin e viktimës me dhunë fizike, të realizuara në mënyrë të dukshme nga më shumë se një person. Nga akti rezulton se “nisur nga dëmtimet e konstatuara si edema në të dy anët e ballit, ënjtje, ekimozat, gërvishtjet në të dy anët e gjoksit, ekimoza e dërmishtje në hundë, qafë, gjoks dhe gjymtyrët e sipërme, tregojnë se ndaj shtetasit Agim Lera është ushtruar dhunë fizike para vdekjes së tij dhe kjo vdekje ka qenë e menjëhershme dhe e shpejtë.

Vdekja e viktimës ka ardhur nga asfiksia, shtrëngim i organeve të qafës me lak dhe duar, si dhe shtypje e barkut. Prania e disa gërvishtjeve në duar, si dhe gjetja e atletes së këmbës së majtë afër vendit ku u gjet kufoma, tregojnë për rezistencë fizike të ushtruar nga viktima kundrejt agresorëve”. Në akt përcaktohet qartë edhe koha e ndodhjes së vdekjes, e cila konvergon saktësisht me kohën e shfaqjes së te tre të pandehurve, duke lëvizur në afërsi të vendit te ngjarjes dhe me shpjegimet përfundimtare të të pandehurit Sokol Mjacaj me kohën e ndodhjes së veprës penale.

ZBULIMI I AUTORËVE
Në kuadrin e veprimeve të ngutshme, por edhe gjatë gjykimit, krahas fiksimit të gjurmëve dhe provave materiale të konstatuara, është bërë edhe pyetja e personave që kanë gjetur trupin e viktimës dhe personave të tjerë, që ka rezultuar të kenë dijeni lidhur me rrethanat e faktit. Është pyetur me cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetasi Fran Mjacaj, i cili, ndër të tjera, ka deklaruar se kishte dyshime dhe bindje se djali i tij Sokol Mjacaj ka dijeni për vendin ku mund të gjendej personi i humbur (viktima).

Në hetim është pyetur si i dyshuar i pandehuri Sokol Mjacaj, i cili në deklarimin e dhënë ka konfirmuar faktin se ka qenë dëshmitar okular i vrasjes së kryer ndaj shtetasit Agim Lera. Ai ka thënë se autorë të këtij krimi janë të pandehurit Besnik Kodra e Edmond Kodra. Ai në pyetjen dhe ripyetjen edhe para trupit gjykues, në kuadrin e sigurimit të provës, por edhe gjykimit, ka pranuar se me dashje kriminale nuk ka njoftuar organet e Policisë në lidhje me ngjarjen e ndodhur.

 Gjithashtu edhe pas njoftimit të familjarëve për veprën e kryer nuk i ka njoftuar ata. Nuk i ka çuar menjëherë te vendi i ngjarjes, por pas rreth 3 orësh duke penguar dhe vonuar në gjetjen e kufomës se shtetasit Agim Lera, duke ndikuar drejtpërsëdrejti në vështirësimin e zbulimit të autorësisë, por edhe në pasojën e ardhur si rezultat i veprimeve. Kjo për arsye se kufoma e viktimës Agim Lera rezulton të jetë gjendur në pozicion përmbys në një pellg që kishte pak ujë, çka vërteton se veprimi në kohë të paktën për informimin dhe gjetjen e viktimës nga ana e Sokol Mjacajt do ishte një mundësi serioze për shpëtimin e jetës së tij.

Në shpjegimet e tij i pandehuri Sokol ka pranuar se me kërkesën e të pandehurve Besnik Kodra e Edmond Kodra e ka thirrur në vendin ku do ndodhte vrasja viktimën, dhe ka qëndruar roje, sipas tij i shtyrë me dhunë fizike apo psikike dhe se më pas ka fshehur dy telefonat e viktimës, me synim fshehjen e gjurmëve të krimit tashmë të përfunduar.

KONTROLLI
Në kuadrin e veprimeve hetimore, në kushtet e flagrancës, Policia gjyqësore ka ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Edmond Kodra, të ndodhur në fshatin Lotaj të komunës Shalë, ku gjatë kontrollit është gjetur e sekuestruar me cilësinë e provave materiale armë zjarri automatike me tytë metalike të lëvizshme, një krehër me 14 fishekë të vendosur dhe një krehër tjetër me 8 fishekë të vendosur në armën në fjalë.

Në këto kushte, referuar shpjegimeve të dhëna nga Sokol Mjacaj, por edhe provave të tjera të grumbulluara në kuadrin e veprimeve të ngutshme, është bërë shoqërimi e më pas edhe ndalimi i të dyshuarve si autorë të vrasjes së viktimës Agim Lera, shtetasve Besnik Kodra e Edmond Kodra, si dhe bashkëpunëtorit të tyre Sokol Mjacaj, i cili fillimisht është dyshuar për moskallëzim krimi dhe veprime, që pengojnë zbulimin e së vërtetës, por më pas nga provat e grumbulluara në hetim ka rezultuar se është bashkëpunëtor aktiv në veprimet kriminale të kryera ndaj viktimës, para, gjatë dhe pas vrasjes së tij.

DËSHMIA E VËLLEZËRVE
Vrasja e viktimës Agim Lera nga ana e të pandehurve Besnik Kodra e Edmond Kodra, me dijeninë e plotë dhe me ndihmën aktive edhe të të pandehurit Sokol Mjacaj, vërtetohet qartësisht me provat e grumbulluara dhe të marra si të tilla nga ana e trupit gjykues. Nga përgjimi ambiental, i realizuar i bisedave mes shtetasit Sokol Mjacaj dhe babait të tij, Fran Mjacaj, rezulton dukshëm e provuar se Sokol Mjacaj ka qenë në dijeni edhe me veprime aktive bashkëpunëtor në vrasjen e viktimës.

Te pyetur në cilësinë e personave nën hetim, të pandehurit Edmond Kodra e Besnik Kodra kanë mohuar faktin që u atribuohet dhe kane bërë përpjekje të përshkruajnë lëvizjet e tyre që nga mëngjesi e deri në darkë. Ata janë shprehur se nuk janë autorë të vrasjes dhe nuk kanë dijeni për personat që kanë kryer vrasjen e viktimës Agim Lera. Shpjegimet e tyre rezultojnë të pabesueshme, për shkak se kanë kontradiksion ndërmjet vetë atyre, por veçanërisht nga faktet e rezultuara nga pyetja e dëshmitarëve të tjerë të drejtpërdrejtë apo jo me ngjarjen.

Trazhgim Sokolaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura