Hetimi për abuzimet me strehimin, Baftjar Zeqaj: Lojë politike për të penguar rikandidimin tim

Dec 27, 2014 | 10:10
SHPËRNDAJE

Kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqaj

 

UPDATE/ Kryebashkiaku i Fierit Baftjar Zeqaj e ka quajtur një lojë politike të qëllimshme akuzën e ngritur ndaj tij nga prokuroria.

Duke reaguar pas lajmit per padine per fasfikim të letrave të të pastrehëve, Zeqaj ka thënë se akuzat e ngritura ndaj tij për banesat sociale janë një lojë politike e qëllimshme, e cila synon të pengojë rikandidimin e tij në zgjedhjet lokale të 21 Qershorit 2015.

 

Sipas tij në ndarjen e banesave sociale nuk ka vend për shpërdorim detyre dhe se për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij do të përballet në gjykatë ku do të zbardhet e vërteta.


DOSJA E PROKURORISE/ Zeqaj falsifikoi letrat e të pastrehëve, Gjykata i ndalon largimin nga Shqipëria


Gjykata e Fierit ka vendosur masën e sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit” për kryetarin e Bashkisë së Fierit Baftjar Zeqaj dhe gjashtë zyrtarë të tjerë në cilësinë e Komisionit të Strehimit. Prokuroria e këtij rrethi , i akuzon zyrtarët për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, duke thënë falsifikuan dokumentet për shtëpitë e të pastrehëve.

Gjithashtu, bashkë me zyrtarët, prokuroria ka marrë të pandehur edhe 6 shtetas të ndryshëm, të akuzuar për “fallsifikim dokumentash”, në rastin e aplikimeve për lehtësira në strehim, për të përfituar nga kuotat përkatëse të Bashkisë.

Hetimi thuhet se ka nisur në bazë të kallëzimit nga 15 shtetas, të cilët kanë aplikuar pranë Bashkisë Fier per tu trajtuar me banesa sociale si të pastrehë. Kallzimet, pavarësisht specifikave të tyre, që lidhen me faktin se përse duhet të ishin trajtuar si të pastrehë, në përgjithësi trajtojnë të njëjtat problematika dhe shkelje të proçedurave ligjore nga ana e Komisionit të Strehimit, të ngritur për përzgjedhjen e aplikuesve si të pastrehë.

“Nga materiali kallzues dhe pyetja e personave të cilët nuk janë kualifikuar për trajtim me banesë sociale, është konstatuar se pretendimet e tyre lidhen së pari me faktin se Komisioni i Strehimit ka publikuar një listë e cila nuk ishte e pikëzuar, në ambjentet e Bashkisë Fier. Në këtë mënyrë asnjëri prej tyre nuk kishte mundësinë për të mësuar se me sa pikë ishte vlerësuar nga Komisioni, që të kishte mundësinë të ankohej nëse nuk ishte dakort me vlerësimin”,-thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Ndërsa theksohet se kallzuesit kanë shpjeguar se Komisioni i Strehimit nuk ka marrë për bazë listën e parë të personave të cilët kanë aplikuar por kanë futur në listën e aplikuesve edhe persona të tjerë të rinj, të cilët kanë përfituar me vendimin përfundimtar të Këshillit të Bashkisë. Gjithashtu kallzuesit pretendojnë se pavarësisht se kanë marrë pikët e nevojshme nga Komisioni i Strehimit, nuk kanë fituar në listën përfundimtare të miratuar nga Këshilli i Bashkisë.

“Duke u nisur nga fakti se nuk kanë përfituar banesa sociale me qera, kallzuesit kanë ndjekur rrugën penale duke depozituar kallzim në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier si dhe kanë ngritur padi administrative në Gjykatë duke goditur vendimin e Këshillit të Bashkisë. Pas regjistrimit të proçedimit penal dhe hetimeve të kryera, është konstatuar se pretendimet e kallzuesve janë të drejta, pasi rezultojnë një sërë shkeljesh ligjore në proçedurat e pranimit, shqyrtimit dhe përzgjedhjes së familjeve të pastreha në qytetin e Fierit”,-thuhet në njoftimin për median.

Të akuzuar Akuzuar:
Për veprën penale « Shpërdorimi i detyrës », në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal.

1. Baftjar ZEQAJ, me masë sigurimi “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”

2. Agron BEGAJ, me masë sigurimi “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”

3. Fatmir KAJOLLI, me masë sigurimi “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”

4. Ramiz HOXHAJ, me masë sigurimi “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”

5. Alfred BOÇOVA, me masë sigurimi “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”

6. Selman BRAÇE, me masë sigurimi “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”

7. Esmeralda KAPLLANAJ, me masë sigurimi “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”

Të akuzuar:
Për veprën penale « Falsifikimi i dokumentave »,  gjashtë herë parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal.

8. Mimoza Kollçinaku

9. Gazmir Dano

10. Enver Lloshi

11. Shaban Selaci,

12. Ylli Dhjari,

13. Faslli Zhara

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura