Dosja e FBI për grupin e hakerave, si u bë fieraku administrator i fshehtë. Përfitoi…

Feb 15, 2018 | 18:33
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Vendoset masa e sigurise “arrest me burg” per fierakun 25-vjeçar, që u arrestua të hënën në Tiranë për llogari të Amerikës.

Ai rezulton të ketë qenë njëri prej 2 administratorëve të fshehtë të organizatës së hakerave “Infraud”, që përbëhej prej 36 anëtarësh.

Aldo Ymeraj
Aldo Ymeraj

Grupi, që ishte themeluar nga një ukrainas e një rus prej rreth 7 vitesh, sipas dosjes së FBI-së, dyshohet të ketë shkaktuar një dëm prej 530 milionë dollarësh, duke shitur të dhënat e 4.3 milionë kartave të kreditit, debitit e llogarive bankare. Ndërsa vetë Aldo Ymeraj, që pritet të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara, sipas autoriteteve amerikane rezulton të ketë përfituar 675 mijë dollarë.

Në dosjen amerikane prej 49 faqesh, autoritetet kanë shpjeguar rolet e të gjithë anëtarëve, përfshirë edhe atë të Aldo Ymerajt, pseudonimet që ata përdornin në rrjet, por edhe mënyrën se si funksiononte grupi. “Aldo Ymeraj u bë anëtar i organizatës ‘Infraud’ në nëntor të vitit 2010, më pas u mori një rol kryesor duke u bërë një ndër 4 administratorët.

Ai reklamohej në forumin e grupit si shitës depozitash dhe ishte operator i faqes së automatizuar të shitjeve ‘niii.in’, duke e përdorur këtë si një mjet për shitjen e depozitave për anëtarët dhe bashkëpunë- torët e ‘Infraud’”, thuhet në dosje. Ndërsa aty renditen edhe 4 episodet kur Ymeraj është gjurmuar nga autoritetet amerikane, që kishin në hetim grupin prej shumë kohësh.

HAKERI NGA FIERI

Në jetën virtuale Aldo Ymeraj quhet “Kubanezi”, pjesë e një rrjeti hakerash prej afro 11 mijë anëtarësh. Por si çdo hakerues në internet, të dhënat e tij nuk ekzistojnë. Ai nuk ka “Facebook” dhe as llogari tjetër me këtë emër.

E vetmja foto është ajo e disa viteve më parë, përpara se ai të ishte 20 vjeç, në një faqe ku komentet më të shumta i merr nga Ukraina. Djali nga Fieri e nisi duke thyer fjalëkalime në “Facebook” për të përfunduar në një grup ndërkombëtar të krimeve kompjuterike që vidhte Bitcoin me vlera disa milionëshe, karta krediti dhe llogari bankare.

Emri i Aldo Ymerajt u bë i njohur për Policinë shqiptare gjatë operacionit të koduar “Dark Web”, kur u godit grupi “Albania Hackers Group”, ku ai ishte pjesë. Ndërsa të hënën, Aldo Ymeraj u arrestua kur po pinte kafe në një lokal në Tiranë për llogari të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që drejtuan në të njëjtën kohë një operacion në disa shtete për të goditur hakeruesit, që kryenin krime kompjuterike që prej 2010-s .

ARRESTIMI I THEMELUESIT

Grupi i hakerave ku Aldo Ymeraj ishte pjesë ka mundur të vjedhë 530 milionë dollarë, që përvetësoheshin përmes shitjes së të dhënave të vjedhura të kartave të kreditit. Përveç Ymerajt janë edhe 12 të tjerë të arrestuar në Kosovë, Serbi, Itali, Francë, Shtetet e Bashkuara, Australi dhe Britani.

Grupi është themeluar nga 34- vjeçari ukrainas Svatoslav Bondareko, i njohur me nofkën “Rektori”, vendndodhja e të cilit ende nuk është zbuluar. Ndërsa ortaku i tij, bashkëthemeluesi i kësaj organizate, shtetasi rus Sergei Medvedev, është arrestuar në fillim të këtij muaji, në kryeqytetin e Tajlandës.

Policia amerikane u informua nga autoritetet tajlandeze se Sergei Medvedev u arrestua në apartamentin e tij të Bangkok, më 2 shkurt. Më 7 shkurt të këtij viti, Departamenti i Drejtësisë së SHBAve ka publikuar emrat e 36 personave të akuzuar për mashtrim kibernetik dhe vjedhje.

Autoritetet amerikane e përshkruanin Medvedev si bashkëthemelues të grupit, së bashku me Svyatoslav Bondarenko, duke theksuar se ata kishin operuar një sistem pagese për anëtarët e forumit. Zyrtarët e SHBA-ve kishin gjurmuar grupin për disa vite me radhë, por vetëm kohët e fundit filluan të bëjnë arrestime.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura