DOSJA DOSHI/ Braho takoi Frrokun në spital? Meta: Deputeti i LSI të shpjegojë arsyet pse shkoi

Apr 25, 2015 | 21:38
SHPËRNDAJE

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i ka kërkuar kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho të sqarojë arsyet e vizitës së tij në spitalin privat ku po trajtohet deputeti Mark Frroku.

Braho dje ne spitalin ku eshte shtruar Frroku

Braho u pa dje teksa dilte nga i njëjti spital privat ku ndodhet Frroku, vetëm pak orë pasi aty ishte paraqitur oficeri i Policisë Gjyqësore, Arjan Muça për ta marrë në pyetje për çështjen “Doshi”.

Shefi i kabinetit të kreut të Kuvendit, Sokol Dervishaj tha në një prononcim për mediat se i është kërkuar ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço dhe Prokurorit të Përgjithshëm, të verifikojnë këtë ngjarje. 

Deklarata e plote e shefit të kabinetit të Ilir Metës
Pas lajmit të publikuar në disa media sipas të cilave deputeti Spartak Braho është takuar me deputetin Mark Frroku në një spital privat në Tiranë, Drejtori i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit, z. Sokol Dervishaj përmes një deklarate për media sqaron qëndrimin e z. Ilir Meta lidhur me këtë çështje.

Z. Dervishaj sqaron se sot paradite, pasi është njohur me lajmin në disa media se sipas burimeve të tyre deputeti Spartak Braho është takuar me deputetin Mark Frroku në një spital privat në Tiranë, Kryetari i Kuvendit i ka kërkuar deputetit Braho të sqarojë publikisht opinionin publik lidhur me të vërtetën.

Po kështu, sot paradite Kryetari i Kuvendit i ka kërkuar Ministrit të Brendshëm, z. Saimir Tahiri, Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço dhe Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla të verifikojnë e të hetojnë sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi nëse ky takim i pretenduar nga media ka ndodhur.

Drejtori i Kabinetit të Kryetarit të Kuvendit thekson se Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta nënvizon me forcë se deputetët janë të parët që duhet të respektojnë ligjet e vendit dhe vendimet e gjykatave, aq më tepër kur kemi të bëjmë me një deputet që është Kryetar i Komisionit parlamentar për Sigurinë Kombëtare.

Nëse nga verifikimet dhe hetimet do të rezultojë e vërtetë se ky takim ka ndodhur, Kryetari i Kuvendit do të bëjë publik qëndrimin e tij duke qenë i bindur se asnjë deputet, cilido qoftë ai, nuk ka të drejtë të sfidojë ligjet dhe vendimet e gjykatave.

*** 

Avokatët e deputetit Tom Doshi kanë bërë një kallëzim penal për shpifje për deputetin Spartak Braho. Në një konferencë për shtyp Braho akuzoi Doshin se përdori një raport të falsifikuar për të munguar në mbledhjen e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve gjatë kohës që shqyrtohej kërkesa për dhënien e lejes për arrestimin e deputetit.

Sipas Brahos, raporti mjekësor që ka marrë Doshi është firmosur nga një doktor, gruaja e të cilit ishte punonjëse e Profarmës.

Pas deklaratës së Brahos, deputeti Doshi bëri kallëzim penal për shpifje.

Pas hedhjes së shortit padinë e Doshit do ta kenë në dorë gjyqtarët: Artan Zeneli, që do të jetë njëherësh edhe relator, Mirela Fana, Andi Celiku, Medi Bici dhe Arjana Fullani.

Doshi ka akuzuar më parë Brahon se ka udhëtuar drejt Hanoverit të Gjermanisë për të kontaktuar me Fatjon Skënderin, një nga personat e përfshirë, sipas ish deputetit të PS-së, në komplotin kundër tij. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura