Dosja “Babale”, Meta flet për herë të parë: Nga qeveria duhet më shumë transparencë, opozita të…

Oct 15, 2018 | 20:55
SHPËRNDAJE

Presidenti ilir Meta ka qenë sot i ftuar në emisionin “5 pyetjet” nga gazetari Ilir Babaramo, ka folur për dosjen “Babale”, e cila ka trazuar shumë ujërat politike në Tiranë.

Për Metën për situata të ngjashme duhet një transparencë me e madhe nga qeveria që të mos lërë shteg për opozitën për të hedhur akuza. Po sipas tij dhe opozita duhet ti ketë më të faktuara akuzat që hedh kundër qeverisë, për të qenë më e besueshme.

ilir meta

Pjesë nga intervista

Zoti President, që prej dy javësh opinioni publik shikon se si dy individë me të kaluar të dyshimtë, po i bëjnë publikisht ankand kryeministrit dhe shefit të opozitës, se cili ofron më shumë për ta. Si dilet nga kjo situatë e pakëndshme?

E theksoj se është e domosdoshme të kemi një qasje më transparente nga ana e qeverisë dhe qasje më racionale nga ana e opozitës.

T’i marrim me radhë: Çfarë do të thotë secila?

Në rast se nga ana e qeverisë do të ketë reagime më të shpejta, për rastet kur ka shqetësime, denoncime nga qytetarët, ngjarje kriminale, pra kur del dikush përpara përgjegjësisë në kohën e duhur, atëhere lihet më pak hapësirë për opozitën apo për opinionin dyshues.

Së dyti, është tepër e rëndësishme që edhe opozita të jetë racionale, që do të thotë se nismat apo edhe denoncimet të saj të jenë sa më të mirëfaktuara, me qëllim goditjen e këtyre dukurive, parandalimin e tyre, dhe jo thjesht zgjedhjen e tyre si një mënyrë për të dëmtuar qeverinë apo institucionet, te të cilët ajo nuk ka besim.

Opozita akuzon Prokurorinë se po bëhet palë në këto hetime, për të cilat sapo ju pyeta. A është e besueshme Arta Marku si Prokurore e Përgjithshme?

Këto çështje që ju ngritët janë në hetim. Ne kemi kërkuar nga ana jonë sqarimet tona në drejtim edhe  të Prokurorisë dhe institucioneve të tjera, sipas rastit, prej kohësh dhe në vazhdimësi për të krijuar një bindje më të plotë dhe një informacion më gjithëpërfshirës rreth këtyre fenomeneve apo rreth këtyre ngjarjeve.

Këto janë çështje në proces dhe shpresojmë që edhe Prokuroria, edhe Policia e Shtetit, edhe institucionet e tjera të cilat janë të përfshira në hetimin e këtyre çështjeve të mos kenë asnjë ndikim politik dhe të japin vendime të drejta dhe transparente, cilado qoftë kostoja e tyre, pavarësisht se kush mund të preket apo cenohet sepse kjo do të rriste kredibilitetin e këtyre institucioneve dhe së dyti, do të jepte mesazhe tepër pozitive për qytetarët për funksionimin e shtetit ligjor, njëkohësisht edhe mesazhe të qarta për të gjithë ata persona politikë apo pranë politikës të cilët dëshirojnë të kenë një pozicion të privilegjuar në raport me ligjin.

Kur do të ketë Shqipëria një Prokurore ose Prokuror të Përgjithshëm të zgjedhur sipas ndryshimeve kushtetuese, jo të Përkohshëm? Shumica qeverisëse na garantoi, kur u votua në Parlament në dhjetor të vitit të kaluar, që kjo Prokurore do të jetë 1 deri në 2 muaj, ndërkohë që po mbush muajin e 10-të.

Kemi disa elementë të rëndësishëm të reformës në drejtësi, të zbatimit të saj dhe krijimit të institucioneve të reja ku mungesa e çdo institucioni në parashikim me ndryshimet kushtetuese është problematike. Më problematike është fakti që nuk kemi Gjykatë Kushtetuese funksionale sepse një vend që nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale pothuajse nuk ka Kushtetutë, në kuptimin e garancisë së zbatimit dhe respektimit të të drejtave kushtetuese.

Ashtu sikurse janë dhe çështjet e tjera të krijimit të KLP-së, KLGJ-së. Më emergjente që duhet të ishte krijuar prej dy vitesh KED-ja, e cila ka të bëjë edhe me Gjykatën Kushtetuese, dhe me Inspektorin e Përgjithshëm të drejtësisë.

Natyrisht shpresojmë që të ketë një ndërgjegjësim të të gjithë faktorëve të përfshirë për realizimin dhe zbatimin e kësaj reforme për të kontribuuar për një zgjidhje sa më të shpejtë, sa më transparente dhe plotësisht kushtetuese në krijimin e gjithë këtyre institucioneve. Unë si President mund të them që kam qenë, jam dhe mbetem gjithnjë i hapur për të përmbushur me transparencë maksimale të gjitha detyrimet e mia kushtetuese apo institucionale dhe të jap kontributin tim gjithnjë të përgjegjshëm, të drejtë dhe transparent vetëm në interes të forcimit të shtetit ligjor dhe të pavarësisë  së këtyre institucioneve në vendin tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura