Dosja agjenturore që do prangoste Kadarenë/ “Kjo nuk është vetëvrasje”, ish-kreu i Hetuesisë tregon reagimin e Llambi Ziçishtit kur pa kufomën e Mehmetit: Ai…

Aug 20, 2020 | 22:00
SHPËRNDAJE

Dosja agjenturore e Ismail Kadaresë po plotësohej me dëshmi. Të falsifikuara ose jo, ato “dëshmonin” për aktivitetin armiqësor të shkrimtarit, si pjesë e “komplotit të madh”, nën drejtimin e ish-Kryeministrit Mehmet Shehu.pjimage (1)

Një nga dëshmitë e kësaj linje ishte edhe ajo e ish-ministrit të Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, firmosur nga hetuesit Ferit Sula e Thoma Tutulani. Sipas ish-kreut të Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, ky dokument është i paligjshëm. Në librin e tij “Dritëhijet e kohës. Letërsia dhe arti në diktaturë. Përndjekja e Ismail Kadaresë”, botimet “Neraida”, Lame merr në shqyrtim procesverbalin e firmosur nga dy hetuesit në 24.9.1982. Ai bën edhe një profil të dy hetuesve, duke i konsideruar ata të paaftë, por që për devotshmëri u shpërblyen me poste nga pushteti.qemal lame

Llambi Ziçishti ishte një nga “komplotistët”, që sipas Lames, kishte bërë aktekspertimin e trupit të pajetë të Mehmet Shehut dhe ishte shprehur se nuk mund të kishte qenë vetëvrasje. Sipas procesverbalit, Ziçishti është shprehur për “përpunimin e Kadaresë” nga Mehmet Shehu. “Ismail Kadareja ishte ngarkuar që të punonte sa më shumë me shkrimtarët dhe artistët e rinj, e gradualisht t’i përpunonte ata, e duke bërë sa më shumë të tillë të formonte një rrymë liberale disidentësh, që do të përdoreshin kur të vinte koha. Për ta pasur më afër Ismail Kadarenë, më ka thënë Fiqret Shehu, është porositur djali i tyre Bashkim Shehu, që të krijonte shoqëri të ngushtë me të dhe t’i justifikoheshin plotësisht hyrjet e daljet e tij të shpeshta në shtëpinë tonë.

Në një rast, më ka treguar ajo, kishte qenë edhe vetë e pranishme, kur Mehmet Shehu kishte biseduar me Ismail Kadarenë. Në këtë rast, Mehmeti e porositi Ismailin që të punonte me kujdes dhe të mos dilte hapur kundër vijës së Partisë, sepse kështu rrezikonte veten.qemal lame

Realizmit socialist, i tha Mehmeti, po i kalon koha dhe së shpejti do të vijë dita që shkrimtarët dhe artistët t’i shprehin gjërat hapur dhe pa ndrojtje, atëherë dhe letërsia dhe arti te ne do të përparojnë dhe do të pëlqehen edhe nga bota e jashtme. Kjo, i tha Ismailit Mehmet Shehu, do të bëhet kur të ndryshojë sistemi politik në Shqipëri”, shkruhet në procesverbal.

QEMAL LAME

Procesverbali i pyetjes së të pandehurit Llambi Ziçishti është një dëshmi e falsifikimit të dokumenteve që bënte agjentura e Sigurimit të Shtetit për plotësimin e kritereve ligjore procedurale për arrestimin e personave për krime kundër shtetit. Dokumenti është një krim i falsifikimit dhe i shpërdorimit flagrant të detyrës nga hetuesi Ferit Sula. Llambi Ziçishti dhe Fiqret Shehu vlerësoheshin dhe mbeten nga provat kryesore të akuzave edhe ndaj personave të tjerë të arrestuar, hetuar e dënuar nga Gjykata e Lartë. Kur përfundojnë hetimet, zhvillohet gjykimi dhe jepet vendimi i dënimit, mbaron edhe pozita procedurale e të pandehurit.

Personi i dënuar nuk mund të cilësohet si i pandehur. Vetëm në rast se fillon një çështje e re hetimore dhe ka prova të mjaftueshme për fajësinë, mund të vendoset marrja e tij si i pandehur për një akuzë të re. Procesverbali i vitit 1982, si dhe procesverbali i paraqitur përsëri në vitin 1983, i firmosur nga dy hetues, ishin të paligjshëm. Bazuar në praktikën e manipulimit të proceseve politike, mund të kemi në këtë rast edhe versionin e pyetjes së të pandehurit Llambi Ziçishti në kohën që ishte në hetim dhe data e pyetjes është plotësuar më vonë.

Për të realizuar skenarin e ideuar nga udhëheqësi dhe për të ligjëruar proceset e manipuluara të komploteve përgatiteshin edhe dokumente tërësisht të falsifikuara. Me këtë detyrë ngarkoheshin punonjësit operativë, ekspertët e kriminalistikës dhe hetuesit më të besuar. Në praktikën e punës operative dhe të hetuesve të Sigurimit të Shtetit merreshin rregullisht procesverbale të pyetjes së të pandehurve për personat e implikuar prej tyre në veprimtari armiqësore.kadare

Këto procesverbale përdoreshin si provë ligjore për përpunimin aktiv 2A, si dhe materiale për kallëzim me kërkesën për fillimin e çështjes penale, arrestimin e dënimin e të dyshuarit të paragjykuar si armik që duhej eliminuar me burgim dhe deri me vdekje me pushkatim ose me varje në litar. Procesverbali është një dokument ku fiksoheshin episodet e veprimtarisë armiqësore sipas skenarit të paragjykuar të komplotit.

Për këtë qëllim kanë punuar një grup personash nën drejtimin direkt të Ramiz Alisë dhe nëpërmjet Hekuran Isait u jepeshin të gatshme hetuesve të çështjes. Hetuesi Ferit Sula nuk ka pasur aftësinë për të konceptuar këtë procesverbal. Ai nuk arrinte të shkruante as informacione të thjeshta të ngjarjeve të zakonshme. Edhe kur fliste, kishte vështirësi, pasi nuk i shqiptonte mirë fjalët dhe nuk u jepte theksin e tonin e nevojshëm. Edhe hetuesi Thoma Tutulani nuk kishte aftësi të veçanta.

Ishte shumë impulsiv dhe nuk arrinte të ruante ekuilibrin në biseda e në dhënien e mendimeve. Ai kishte qenë prokuror në Korçë dhe ishte marrë hetues si i besuar, me rekomandimin e Enver Halilit, me të cilin kishte pasur njohje miqësore kur ai ishte sekretar i parë i Komitetit të Partisë së Rrethit të Korçës.zicishti

Vepra penale e shpërdorimit të detyrës nga hetuesit Ferit Sula e Thoma Tutulani bazohet në këto fakte:

– Me Ligjin “Për organizimin e Hetuesisë”, më 30 qershor 1982, hetuesia u veçua nga Ministria e Punëve të Brendshme;

– Pas këtij ligji, Ferit Sula e Thoma Tutulani u emëruan nga Presidiumi i Kuvendit Popullor në detyrë si zëvendëskryetarë të Hetuesisë së Përgjithshme.

– Ferit Sula e Thoma Tutulani, bashkë me hetuesit e tjerë të grupit hetimor të komplotit, kanë bashkëpunuar në fshehtësi me ministrin e Punëve të Brendshme dhe drejtuesit e Sigurimit të Shtetit dhe grupin operativ të komplotit, për të përgatitur dokumentet kallëzuese për arrestimin e Ismail Kadaresë;

– Ferit Sula e Thoma Tutulani dhe hetuesit e tjerë nuk kanë vënë në dijeni drejtorin e Hetuesisë e më vonë kryetarin e Hetuesisë së Përgjithshme për këto veprime të kundërligjshme dhe të dënueshme penalisht, në bazë të nenit 320 të Kodit Penal;

– Ferit Sula e Thoma Tutulani dhe hetuesit e punëtorët operativë, të drejtuar nga ministri i Brendshëm, kanë shpërdoruar detyrën duke hartuar një procesverbal të pyetjes së një të pandehuri me cilësinë si hetues i Ministrisë së Punëve të Brendshme, kur ata ishin pjesëtarë të grupit të hetuesve në varësi të ministrit të Punëve të Brendshme;mehmet_shehu-780x439

– Kanë informuar dhe kanë dhënë të dhëna hetimore për krimet kundër shtetit te ministri dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme në fshehtësi, pa dijeninë dhe pa miratimin nga kryetari i Hetuesisë së përgjithshme.

Shënim:

Hetuesit dhe punëtorët operativë të grupit të hetimit dhe atij operativ të komplotit u shpërblyen për besnikërinë dhe bashkëpunimin për falsifikimin e hetimeve dhe gjykimin e dënimin e komplotistëve me emërimin në detyra të larta shtetërore. Ferit Sula e Thoma Tutulani, të dy këta ish-zëvendëskryetarë të Hetuesisë së Përgjithshme, u emëruan në këtë detyrë si dhuratë për kontributin në hetimin e komplotit. Më qartë, si shpërblim për bashkëpunimin në falsifikimin e procesit të hetimit e të gjykimit të komplotit.

Me insistimin e kryetarit të Hetuesisë së Përgjithshme ata u shkarkuan dhe u larguan nga detyra për paaftësi. Për çudinë e të gjithë punonjësve të organeve të drejtësisë, Thoma Tutulani u emërua drejtor i kontrollit të ligjshmërisë në hetime e më pas zëvendësprokuror i përgjithshëm.

Analiza objektive profesionale për këtë dokument të falsifikuar ka rëndësi për të kuptuar dhe vlerësuar manipulimet që bënte Sigurimi i Shtetit në bashkëpunim me hetuesinë gjatë kohës kur ishte në strukturën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për të realizuar me çdo mjet arrestimin e personave që ndiqeshin dhe për të cilët kërkohej arrestimi në kundërshtim flagrant me Kushtetutën, Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale.

***

Botimi i dokumentit origjinal ka për qëllim që të njihet publikisht ndjekja dhe makinacionet agjenturore dhe hetimore e bëra me qëllime politike të paramenduara

Dokumenti vërteton dhe provon ndjekjen agjenturore, tentativat për ta akuzuar për tradhti ndaj atdheut, lidhjen me agjenturat e huaja, shfrytëzimin e vizitave të tij jashtë shtetit si shkrimtar, për t’i trajtuar si misione me porosi nga Mehmet Shehu etj. Akuzat për spiunazh filluan të diskutohen dhe gradualisht të përhapen në familjet e anëtarëve të Byrosë Politike dhe në rrethet e ngushta të tyre miqësore dhe shoqërore.

Në të dhënat e bëra të njohura në sfera të caktuara shoqërore, që në shtator të vitit 1981, flitej dhe bëheshin diskutime se Ismaili ishte agjent. Në fillim të janarit 1982 është provokuar me anë të një zbuluesi, për të marrë nga Ismaili shpjegime direkte për dyshimet për veprimtari armiqësore, si dhe për të verifikuar pikëpamjet e tij për Enver Hoxhën.

Për këtë qëllim është përdorur edhe teknika operative e kohës. Gjetja e njerëzve që mund të ndihmonin Sigurimin dhe do të pranonin të bashkëpunonin, duke dëshmuar legjendat e parapërgatitura për veprimtari armiqësore dhe si pjesëtarë të “Komplotit të madh”, janë disa nga faktet që tregojnë për manipulimin e provave në hetimin e Komplotit dhe tentativën konkrete për arrestimin dhe dënimin, si një nga komplotistët, edhe të Ismail Kadaresë.

Dëshmia e Llambi Ziçishtit është edhe një dokument ku evidentohen qartë makinacionet që bëheshin nga Sigurimi i Shtetit dhe hetuesit e grupit të komplotit, në zbatim të udhëzimeve të dhëna direkt nga udhëheqja.

Edhe një herë del veprimtaria e këtij hetuesi që ka vepruar si vegël e bindur për të realizuar arrestimin e Ismail Kadaresë. Llambi Ziçishti njihej si mjek me përvojë dhe si intelektual që adhuronte kulturën franceze. Miqësia e tij me Vedat Kokonën, që nga vitet ’30, kur ishin në Liceun Francez të Korçës, vlerësohej e dyshimtë, pasi Vedati ishte cilësuar si shkrimtar “borgjez”. Në arrestimin dhe dënimin e tij ka ndihmuar sidomos qëndrimi ndaj vrasjes së Mehmet Shehut.

Si ministër i Shëndetësisë, ai u thirr për të parë vendin e ngjarjes dhe për të dhënë mendimin e tij bashkë me ekspertët mjekoligjorë për këqyrjen e kufomës, dhënien e mendimit të paracaktuar e të detyrueshëm me motivin si vetëvrasje, si dhe ligjërimin e vetëvrasjes me dokumentin ligjor “Ekspertimi Mjekoligjor i kufomës së Mehmet Shehut”. Në rreth të ngushtë flitej se Llambi Ziçishti, sapo kishte parë kufomën, kishte thënë pa rezerva se kjo nuk ishte vetëvrasje.

Me këto fjalë të thëna me kompetencën e tij si mjek, ai u cilësua dhe u linçua menjëherë armik e komplotist, u bë objekt i ndjekjes agjenturore nga grupi operativ hetimor, u arrestua dhe u dënua nga Gjykata e Lartë.

LEXO EDHE

“Do arrestohej e dënohej si bashkëpunëtor i Mehmet Shehut”, Qemal Lame i përgjigjet Rrapi Minos: Ti ishte njeriu “Yes”, i bindur verbërisht ndaj udhëheqjes. Mirë do ishte të reflektoje për prangosjet e…

Ekskluzive/ “Nuk e kam parë asnjëherë dosjen sekrete që thotë Qemal Lame”, kryeprokurori që drejtoi proceset më të bujshme të regjimit komunist: Për arrestimin e Kadaresë nuk…

“Ai e ka vendin në burg, por…”, ish-kryehetuesi zbulon porositë e Enverit: Si u bind të mos e arrestonte Ismail Kadarenë

Ekskluzive/ “Ramiz Alia e Hekuran Isai ishin gati që t’i vinin prangat”, ish-kryehetuesi zbardh raportin sekret: Ç’më tha Enveri për Ismail Kadarenë, pasi e lexoi…

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura