Dëshmitë e deputetëve: Doshi tentoi të godasë me grusht Bushatin në kafen e Kuvendit, ofendoi në telefon Nikollën

Mar 3, 2015 | 21:56
SHPËRNDAJE

Përjashtimi i Tom Doshit nga Grupi Parlamentar socialist lidhet me sulmin që ai u ka bërë dy ministrave të qeverisë Rama. “Panorama” duke iu referuar burimeve pranë Partisë Socialiste shkruan sot se pak ditë më parë, deputeti i qarkut të Shkodrës është shprehur me tone ofenduese dhe fyese ndaj ministres së Arsimit Lindita Nikolla, për disa problematika që Doshi kishte me sektorin e arsimit në këtë qark.

Ministrat Ditmir Bushati dhe Lindita Nikolla

Mosrealizimi i këtyre kërkesave nga ana e ministres Nikolla, ka bërë që Doshi ta fyejë atë rëndë gjatë një bisede telefonike që ka pasur me ministren. Ky incident i deputetit të qarkut të Shkodrës dhe ministres së Arsimit është raportuar te Kryeministri nga Nikolla.

Po ashtu, Doshi nuk ka kursyer nga sulmi as ministrin e Jashtëm. Mësohet se deputeti i kishte kërkuar ministrit Bushati që t’i zgjidhte një çështje që kishte lidhje me shërbimin e jashtëm, por ministri kishte hezituar që ta bënte këtë. Në seancën e fundit parlamentare, Tom Doshi ka tentuar të godasë ministrin e Jashtëm në kafenenë e Parlamentit, por ka qenë ndërhyrja e deputetëve të tjerë që kanë shmangur këtë përplasje. 

Por, deputeti i qarkut të Shkodrës, edhe pse nuk e goditi ministrin Bushati, nuk ka kursyer ofendimet ndaj tij. Këto dy raste “kanë mbushur kupën” për të detyruar Kryeministrin Rama që t’i jepte fund miqësisë së tij me deputetin e qarkut të Shkodrës, Tom Doshi dhe të propozonte përjashtimin e tij nga Grupi Parlamentar.

Gjatë mbledhjes së një jave më parë me një grup deputetësh në zyrën e tij në Kryeministri, Rama u ka thënë atyre se “do të çuditeni nëse ju tregoj se çfarë kërkon Toma prej meje”.

Dy incidentet e fundit ishin fundi i një bashkëjetese 10-vjeçare të Doshit në Partinë Socialiste dhe pse ai nuk ka kursyer as Edi Ramën që ta kërcënojë për tronditje të qeverisë dhe maxhorancës.

“Do t’ia bëj me dije Edi Ramës që sot e tutje, mes meje dhe tij, nuk ka më paqe dhe do ta shohim se kush është i humbur prej kësaj situate. Çdo gjë do t’ia bëj publike, por edhe ai t’i bëjë publike ato që thotë. Kur të flas unë, do t’i dridhen themelet maxhorancës dhe Qeverisë”, u shpreh Doshi një javë më parë, para nisjes së seancës parlamentare. Ai kërcënoi se në luftën me Edi Ramën, i humbur do të jetë Kryeministri.

“Edi Rama është mosmirënjohës, bukëshkelës për mua dhe ata që e votuan në Shkodër dhe do ta shohë edhe në zgjedhjet lokale. Sapo ka filluar lufta mes meje dhe tij, nuk kam gjë personale. Ekonomia është më keq se në kohën e Berishës, por po pasurohen një grup njerëzish që ka rreth vetes. Edhe për sa i përket drejtoreshës së Tatimeve, Edi Rama duhet të japë përgjigje publikisht për lidhjet nepotike që ka emëruar ajo në Dogana, Tatime, Polici. Edi Rama e di shumë mirë që edhe Berisha, edhe Topalli nuk kanë fituar luftë me mua, e jo më Edi Rama. Lufta brenda llojit është si kanceri që nuk gjen shërim”, u shpreh po atë ditë Doshi.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura