Doshi i qëndron akuzave për ministrat: Janë konsumuar, duhen ndryshime në Qeveri. Shqetësimet s’janë të miat, por të bazës

Feb 25, 2015 | 11:19
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Në vijim të akuzave të djeshme për qeverinë, bërë në mbledhjen me dyer te mbyllura të grupit të PS-së, deputeti Tom Doshi ka pohuar sot edhe para mediave, se ka ardhur koha e ndryshimeve në qeverinë “Rama”.

Edi Rama dhe Tom Doshi

Sipas deputetit socialist te Qarkut te Shkodrës, Doshi, shqetësimet që ai ka ngritur për performancën e ministrave, nuk jane konstatime të tijat, apo personale, por shqetësime të bazës.

“Unë s’kam një ankim. Deklaratat e mia lidhem me ankimet që ka baza. Shqetësimet janë në bazë. Baza është lënë pas dore…Kam komunikime shumë të mirë me ministrat…Për ndryshimet dihet që ka ardhur koha, shumë ministra janë konsumuar, por s’ka ardhur ende koha për t’i bërë publike”- ka thene sot Doshi, nga kryesia e Kuvendit, jashte Komisionit te Ligjeve. 

Doshi, akuza Qeverisë: Të ikin ministrat që abuzojnë me pushtetin. Mungon Rama

Deputeti i qarkut të Shkodrës, Tom Doshi, kërkoi ndryshimin e disa ministrave të qeverisë Rama, ndërsa akuzoi dhe për korrupsion në disa drejtori. Gazeta “Panorama” ka zbardhur të plotë debatin në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist, ku mungonte Kryeministri Rama, mes deputetit Doshi dhe kryetarit të grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, në lidhje me performancën e qeverisë. 

“Qeverinë duhet ta analizojë grupi parlamentar ai që e ka votuar. Por, këta ministrat tanë nuk i përfillin më deputetët, madje nuk i hapin as telefonin sepse u duhen deputetët vetëm për fushata që të mbledhin vota. Këtë arrogancë, nuk e kanë pas as ministrat e Berishës. Ata ministra që nuk kanë mbështetjen e grupit parlamentar duhet të ikin. Nuk punuam dhe sakrifikuam që të kemi këtë qeverisje sot dhe këta ministra”, mësohet të jetë shprehur Doshi në mbledhjen e grupit parlamentar.

Kritikat e forta ndaj qeverisë brenda grupit parlamentar vijnë në një moment kur Kryeministri Rama dhe kryetari i Kuvendit Meta, janë duke përfunduar listën e kandidatëve të përbashkët për 61 bashkitë e reja të vendit. Deputeti socialist i qarkut të Shkodrës, i cili “shpërthen” rrallë në mbledhjet e grupit parlamentar, akuzoi disa drejtuese të rëndësishme, për të cilat kryeministri Rama nuk harron t’i përgëzojë sa herë që i jepet mundësia si gjetjet më të suksesshme të tij në këto dy vjet qeverisjeje.

“Si do të dalim para qytetarëve për të kërkuar votën? Varfëria është shtuar, ndërsa ministrat abuzojnë me pushtetin e tyre. Me këta drejtorë që abuzojnë do të fitojmë zgjedhjet vendore?! Drejtoresha e tatimeve, Griselda është bërë si “Vejusha e zezë” e Eskobarit e cila ka vënë nënën, motrën dhe vëllain si sekserë që punojnë për përfitimet e tyre. Drejtoresha e doganave ka burrin e saj sekser. Kjo është e vërteta”, mësohet të ketë thënë Doshi para deputetëve, ndërsa asnjë nga kolegët e tij nuk është çuar ta mbështesë.

Sipas Doshit, mendimet e tij kanë gjetur mbështetje tek shumica e grupit parlamentar gjatë bisedave që ata bëjnë me njëri-tjetrin, por do të jetë analiza e qeverisë në grupin parlamentar mundësia për t’i shprehur.

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, e ka lënë të flasë deputetin e Shkodrës pa e ndërprerë, dhe pse në fillim i ka kërkuar që mendimet e tij t’ia shprehte Kryeministrit Rama, kur ai të ndodhej në mbledhjen e grupit. Doshi, gjatë fjalës së tij iu rikthye dhe premtimeve elektorale që qeveria sipas tij, nuk i ka mbajtur.

“Ne në fushatë dolëm para njerëzve dhe u premtuam shumë gjëra. Madje, u premtuam se do t’u çonim ujë në çdo bimë në mënyrë bashkëkohore. Kurse, qytetarët tanë që na dhanë votën nuk kanë ujë në shtëpitë e tyre për të pirë. Si do të dalim para qytetarëve për të kërkuar votën? Varfëria është shtuar, ndërsa ministrat abuzojnë me pushtetin e tyre”, mësohet të ketë thënë Tom Doshi në mbledhjen e grupit parlamentar.

PANORAMA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura