Doshi, i mashtruari i katërfishtë

Mar 28, 2015 | 13:53
SHPËRNDAJE

ARTAN HOXHA

  DYSHIME FILLESTARE
Tom Doshi, më 2 mars 2015, akuzoi publikisht Ilir Metën si porositës të vrasjes së tij, mbetur në tentativë. Menjëherë, Ilir Meta e akuzoi Tom Doshin edhe për sajesë, edhe për paranojë. Akuza dhe kundërakuza ishte konsumuar nën rrogoz që para gjashtë muajsh.
Sajesën e atentatit e pohoi Sajmir Tahiri që të nesërmen – konkluzion që ky e paskësh pasur që pas dëgjesave me Durim Bamin – ekzekutori që iu vetërrëfye Tom Doshit. Në unison me Ilir Metën, maxhoranca u investua në tezën e sajesës dhe paranojës, ndërsa Tom Doshi vazhdoi të këmbëngulë në të tijën.
Prokuroria, pas më shumë se gjashtë muajsh pasiviteti, ndonëse në dijeni po aq sa Qeveria dhe Policia, nisi menjëherë e kryesisht hetimin “për vrasje të mbetur në tentativë” duke arrestuar Durim Bamin në arrati e sipër.
Akuza e Tom Doshit ishte ekstreme. Si e këtillë, mbi të rëndonin disa pikëpyetje, veçanërisht ato lidhur me përfshirjen e Ilir Metës dhe motivet e tij në këtë përfshirje e që nuk morën përgjigje, as minimalisht bindëse, nga vetë Tom Doshi.
Kundërakuza e Ilir Metës ishte po aq ekstreme. Si e këtillë, mbi të rëndonin disa pikëpyetje, veçanërisht mbi sajesën që nga fillimi e në koshiencë të plotë të të gjithë ngjarjes nga Tom Doshi apo paranojën e tij ndërsa ky përfshinte në rrëfimin e vet shumë momente të përcaktuara saktësisht në kohë, hapësirë e persona, që më së shumti u konfirmuan edhe nga hetimet e këtyre ditëve.
Rregulli bazë logjik është që çdo pikëpyetje mbi dy versione të kundërta ushqejnë një të tretë. Ndaj, pikëpyetjet e mësipërme i ngrita menjëherë duke formuluar një version të tretë – bërë publik që të nesërmen, më 3 mars, në “Opinion”  – alternativën se mund të kishim të bënim me rolin e një personi të tretë X, qoftë në versionin e një atentati të vërtetë por të lënë në mes për shkak të dekonspirimit qoftë, e veçanërisht në rastin e një gjoja atentati për të mashtruar Tom Doshin si qëllim parësor, duke ngatërruar Ilir Metën e tërë dynjanë si efekt anësor.
Gjithashtu shpreha edhe dyshimin për nisjen e menjëhershme të një hetimi kryesisht nga Prokuroria me pikënisje “vrasje e mbetur në tentativë”, kur në gjashtë muaj agjencitë ligjzbatuese të shtetit – siç kanë qejf disa t’i quajnë – jo zyrtarisht e në unison kishin konkluduar se pretendimet e Tom Doshit ishin sajesa dhe, me këtë konkluzion e kishin lënë çështjen në harresë ndërsa duhej të hetonin menjëherë, sapo iu bë e ditur në shtator 2014, për mashtrimin, autorin, mënyrën, mjetet, duke shmangur kështu, që herët, dëmet mbi personat, institucionet, sigurinë publike dhe imazhin e vendit.
KËPUTJET NË VIJËN LOGJIKE TË PROKURORISË
Me një shpejtësi marramendëse, në më pak se tri javë, Prokuroria rrëzoi versionin fillestar të “vrasjes së mbetur në tentativë” dhe kaloi në versionin e inekzistencës së atentatit dhe të sajesës së tij nga Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami. Për dy të parët kërkoi dhe mori autorizimin e Kuvendit për arrestimin dhe kontrollin e banesës që Prokuroria i urdhëroi dhe Policia i ekzekutoi me një frymë, masa këto që do të vlerësohen nga Gjykata e Lartë për ligjshmërinë e tyre.
Mes këtyre dy konkluzioneve të Prokurorisë që shtjellohen në materialet që ajo i dërgoi Kuvendit, qëndron paragrafi vijues i shkruar nga vetë Prokuroria: “Nga veprimet hetimore të mësipërme, pavarësisht qëndrimit mohues që mban shtetasi Mark Frroku në lidhje me faktin, ka rezultuar e provuar se shtetasi Mark Frroku është ai që ka informuar i pari shtetasin Tom Doshi se është vënë në dispozicion një shumë e konsiderueshme parash për persona të caktuar, të cilët po organizojnë eliminimin e tij fizik. Gjithashtu, shtetasi Mark Frroku ka bërë njohjen e shtetasit Tom Doshi me shtetasin Durim Bami, i prezantuar si personi i caktuar për të bërë ekzekutimin”.
Pra, Prokuroria edhe thotë se atentati është i sajuar, edhe thotë se Mark Frroku e ka informuar Tom Doshin për atentatin (nuk thotë se Mark Frroku i ka propozuar Tom Doshit të sajojnë një gjoja atentat e ky ta ketë pranuar këtë lojë), edhe thotë se Tom Doshi është bashkëpunëtor në sajimin e atentatit. Kjo nuk kapërdihet.
Në versionin e sajesës së atentatit, bazuar te faktet, pohimet dhe konkluzionet e vetë Prokurorisë, logjika e saj do të ishte pa këputje nëse do të shkruante shprehimisht se: i) Tom Doshi është mashtruar nga Durim Bami dhe Mark Frroku (ose që Mark Frroku është mashtruar nga Durim Bami dhe, për pasojë, ka mashtruar në mirëbesim Tom Doshin) dhe ajo do të regjistronte një çështje penale mashtrimi për këta të dy; ii) ndërsa për Tom Doshin, Prokuroria duhet të shkruante që ai, duke e besuar këtë mashtrim, mund të ketë kryer disa veprime të kundërligjshme a mund të ketë futur edhe diçka nga vetja në përpjekje për ta bërë ekzistencën e atentatit, që vetë e besonte tërësisht, të besueshme edhe për të tjerët.
Pavarësisht ceneve logjike të mësipërme, që mund të korrigjohen në të ardhmen në njërin drejtim apo në të kundërtin, hipoteza fillestare se kemi të bëjmë me palë të tretë X që ka mashtruar Tom Doshin për një gjoja atentat me fije të lidhura deri tek Ilir Meta si porositës dhe se pala X përbëhet të paktën nga Durim Bami dhe Mark Frroku, duket se është edhe thelbi i versionit zyrtar të Prokurorisë edhe pjesa pa cene logjike e këtij versioni.
TOM DOSHI, KATËRFISH I MASHTRUAR
Me pikënisje pjesën pa cene logjike të versionit të Prokurorisë dhe bazuar te të gjitha të dhënat e bëra publike e që janë në harmoni me këtë version, sot më rezulton se Tom Doshi është i mashtruari i katërfishtë.
I mashtruar nga shoqëria – Durim Bami dhe Mark Frroku e kanë bindur për një atentat duke i dhënë edhe regjistrimet ne restorant “Viva”, duke i rrëfyer të gjitha momentet e atentatit dhe lidhjet e atentatorëve. Mashtrimi paska vazhduar për muaj të tërë e këtu mund të përfshihen dhe gjoja atentati me bombë ndaj Durim Bamit në mes të shkurtit edhe pretendimet e tij, të regjistruara me autorizim gjykate në mjediset e Prokurorisë, se është kërcënuar me jetën e tij dhe të familjes.
I mashtruar nga Qeveria – pasi e inkurajuan të rrëfente gjithçka dinte e t’u dërgonte në zyrat e Qeverisë edhe “atentatorin e penduar”, shokët e Qeverisë, megjithëse arritën në konkluzionin e sajesës së atentatit, as nuk u rrekën të bindin Tom Doshin për këtë sajesë, as denoncuan mashtruesit për sajesën (përfshirë edhe Tom Doshin nëse e besonin këtë version), por e lanë ngjarjen të rridhte deri në absurd e me dëme të shumëfishta.
I mashtruar nga partia – shokët e partisë që erdhën në pushtet edhe prej Tom Doshit me një sinjal të kryerilindësit e mashtruan dy herë: një herë kur e përjashtuan nga Grupi Parlamentar dhe një herë kur në Kuvend dhanë autorizimin për arrest e kontroll banese me një proces sa për të larë gojën, ndonëse në shtator 2012 kur ishin në opozitë, e kundërshtuan dhe nuk lanë të miratohej heqja e rolit të Parlamentit për këto pjesë të imunitetit parlamentar.  
I mashtruar nga Prokuroria – e cila, ndonëse në dijeni si edhe Qeveria, s’kishte bërë asgjë prej gjashtë muajsh për këtë çështje pasi, me gjasa, mendonte njësoj si Qeveria. Megjithatë, Prokuroria e nisi zyrtarisht hetimin si “vrasje e mbetur në tentativë” dhe e ftoi Tom Doshin të deklaronte ç’dinte. Tom Doshi shkoi në mirëbesim, disa herë edhe pa e thirrur, e në fund Prokuroria, fët e fët, në më pak se tri javë, i tha se “na gënjeve”. I gjithë procesi hetimor i ngjan një kurthi të paramenduar që nisi me hipotezën për vrasje dhe përfundoi me sajesën e saj. Në më pak se tri javë u xhirua me shpejtësi dhe zyrtarisht i njëjti film që u xhirua me ngadalë dhe gjysmë-zyrtarisht në gjashtë muajt pararendës.
TRAGJIKOMEDIA VAZHDON
Sa më shumë të merresh me çështjen “Doshi” aq më shumë nxjerr edhe pabesi, edhe ligësi, edhe idiotësi. Njësoj si me dyshekun që sa herë ta shkundësh aq herë nxjerr pluhur.
E vërteta, kështu siç ka nisur e ka vazhduar proçesi, do të mbetet një nga versionet e mundshme, të cilat, që të gjitha do të vazhdojnë të ekzistojnë – edhe vrasje e mbetur në tentativë edhe gjoja e këtille, edhe Ilir Meta porositës i vrasjes edhe i akuzuar padrejtësisht, edhe Tom Doshi i mashtruar edhe mashtrues – versione këto konkurruese mes tyre, gërryese të besimit publik, nxitëse të pasigurisë, dhe nxirëse të imazhit të vendit.
Ky stan këtë bulmet prodhon  – djathë të qelbur.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura