Doshi para drekës së pajtimit kërcënoi Ramën: Do dridhen themelet e Qeverisë

Feb 27, 2015 | 7:06
SHPËRNDAJE

Deputeti socialist i qarkut të Shkodrës, Tom Doshi, i kërkoi Kryeministrit Rama të bëjë transparente kërkesat që ai i ka bërë për interesa personale. Doshi tha dje se do të përballet me Kryeministrin Rama, madje ai kërcënoi se nëse do të flasë, mund të trondisë maxhorancën dhe Qeverinë.

Tom Doshi deklaratë për mediat

Keni një qëndrim ndaj takimit që Kryeministri Rama ka zhvilluar me një grup deputetësh? Unë i kërkoj Kryeministrit që t’i bëjë publike kërkesat e mia personale. Shqetësimet e mia kanë qenë për problemet që janë me bazën e Partisë Socialiste, për premtimet që ai ka bërë në fushatë, që nuk ka dhënë asnjë investim për Shkodrën. I gjithë buxheti është përqendruar në Jug. Kemi premtuar në fushatë për ujitjen e çdo bime. Në Shkodër s’kanë ujë me pi. Pra janë disa komuna që i kemi premtuar bashkë dhe u kam thënë që unë nuk vij më në fushatë për t’ju kërkuar më votën, nëse ujësjellësit nuk bëhen deri në zgjedhjet e ardhshme. Do t’ia bëj me dije Edi Ramës që sot e tutje, mes meje dhe tij, nuk ka më paqe dhe do ta shohim se kush është i humbur prej kësaj situate. Çdo gjë do t’ia bëj publike, por edhe ai t’i bëjë publike ato që thotë. Kur të flas unë, do t’i dridhen themelet maxhorancës dhe Qeverisë.

Do të largoheni nga Grupi Parlamentar i PS?
Jo aspak, do të vazhdoj të jem pjesë e Grupit Parlamentar. Unë përfaqësoj të gjithë elektoratin e Shkodrës. Kam 10 vjet që jam në politikë, kam drejtuar të gjitha zgjedhjet parlamentare dhe lokale dhe dihet se çfarë fitoresh ka pasur PS në Shkodër, por Edi Rama është mosmirënjohës, bukëshkelës për mua dhe ata që e votuan në Shkodër dhe do ta shohë edhe në zgjedhjet lokale. Sapo ka filluar lufta mes meje dhe tij, nuk kam gjë personale. Ekonomia është më keq se në kohën e Berishës, por po pasurohen një grup njerëzish që ka rreth vetes. Edhe për sa i përket drejtoreshës së Tatimeve, Edi Rama duhet të japë përgjigje publikisht për lidhjet nepotike që ka emëruar ajo në Dogana, Tatime, Polici.

Do të jeni në Grupin e Partisë Socialiste?
Patjetër, përfaqësoj votuesit e PS në Shkodër. Do të jem një kritik më aktiv se me qenë në opozitë.

Jeni takuar me zotin Berisha?
S’kam lidhje me zotin Berisha. Edi Rama e di shumë mirë që edhe Berisha, edhe Topalli nuk kanë fituar luftë me mua, e jo më Edi Rama. Lufta brenda llojit është si kanceri që nuk gjen shërim.

Zoti Doshi, a i druheni një përjashtimi nga Grupi Parlamentar?
Për çfarë të përjashtohem nga Grupi Parlamentar?! Unë kërkoj transparencë prej Edi Ramës, nuk kërkoj gjë tjetër. Transparencë, sepse ka premtuar që nuk do të ketë korrupsion, lidhje nepotike të cilat për 1 vit e gjysmë e kanë kaluar 4- vjetëshin e parë të Berishës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura