Dorina Tiko: Artisti vlen më shumë se lakuriqësia, si ia dola 36 vjeç

Dec 15, 2015 | 10:00
SHPËRNDAJE

Keto dite Dorina Tiko duhej vetëm të gëzonte suksesin ndërkombëtar të këngës që e arriti pas shumë vitesh punë, në moshën 36-vjeçare. Një bashkëpunim ambicioz me të famshmin DJ Loco, që synon “MTV Awards”.

Dorina Tiko
Dorina Tiko

Në këtë kuadër ishte edhe intervista që i mori gazeta “Panorama” për suplementin “Unë, gruaja”, para pak ditësh. Por ende pa e shijuar lançimin e këngës “Kiss”, që po shfaqet në kanalin prestigjioz muzikor VEVO, ish-anëtarja e grupit “Spirit Voice” ka ndërprerë në mes festimet.

Fatkeqësisht, motra e saj, Brunilda, ndërroi jetë të enjten. Në vend të publicitetit të këngës dhe linkeve të mediave se sa mirë po pritej kënga “Kiss”, tashmë në rrjetet sociale të saj, Dorina Tiko ka vënë fjongon e zezë, simbolin e humbjes së njeriut të dashur. Ngushëllime Dorina!

Sapo keni lançuar projektin muzikor më të ri, që titullohet “Kiss”, një bashkëpunim me të famshmin DJ Loco. Si e arritët këtë bashkëpunim, sa kohë ju është dashur që ta realizoni këngën?

Kam qenë dhe mbetem fanse e muzikës së Alban Rockefeller,(Dj Loco). Isha në Miami me pushime me familjen dhe një natë, unë me bashkëshortin, Xhuljan dhe shoqërinë, vendosëm të shkonim në një nga club-et më emër, që e frekuentojnë njerëz të njohur. Club-i quhet “Mansion” dhe ndërsa po shijonim muzikën dhe shoqërinë, përshëndet DJ Loco, që kishte ardhur në club.

Duke qenë se unë jam fanse e tij, kisha dëshirë ta takoja dhe arrita ta takoj. Folëm, i tregova që jam fanse e tij, gjithashtu i thashë se isha këngëtare dhe shqiptare. Ai më ftoi te studio e tij, ku këndova këngë të ndryshme dhe përfundimi: I pëlqeu zëri im dhe kështu filloi bashkëpunimi. Ne kemi punuar me muaj dhe kemi edhe materiale të tjera gati, të cilat do të dalin në momentet e caktuara.

 

Kënga “Kiss” është realizuar me video-audio tani për tani dhe më vonë do të ketë edhe klipin. Alban Rockefeller (DJ Loco) Loco Records, dua ta falënderoj, sepse ka kuruar në çdo detaj për këngën, promovimin dhe çdo gjë tjetër që kjo këngë të jetë nga çdo aspekt gati.

dorina tiko 2

Ju nuk e keni fshehur ndonjëherë moshën dhe aktualisht jeni 36 vjeç. Keni gati 15 vite në Amerikë (në mos gaboj), por vetëm tani keni realizuar një këngë për “MTV Awards”. Pse pritët kaq shumë?

Po, unë jam 36 vjeç dhe çdo gjë ndodh për një arsye. Mendoj se mosha është vetëm një numër, çdo njeri është aq vjeç sa ndihet.

A mendoni se këngëtaret me moshë më të re janë më të privilegjuara për t’u pëlqyer nga publiku, pra, sa varet suksesi i një kënge nga mosha dhe veshja “sexy”?

Nuk ka rëndësi mosha. Nëse shikoni këngëtaret e famshme si Sia, që është 39 vjeç dhe nuk ka shumë vite që është bërë e njohur. Dhe ka një listë të gjatë këngëtaresh që kanë filluar edhe më të vjetër. Zëri, performanca, prezenca e një artisti vlen më shumë se lakuriqësia. Pa dyshim, duhet të ketë “sex appeal”. Por ke këngëtare që as nuk e nxjerrin fytyrën, por janë yje të muzikës në botë, si Sia që është një nga të preferuarat e mia si këngëtare.

dorina tiko

Para jush arriti në VEVO edhe këngëtarja tjetër shqiptare, Bleona Qereti. Madje, në “Billboard” u ngjit e treta. Si e vlerësoni këngën e saj dhe cila mendoni se ishte pika e fortë e kësaj kënge: teksti, muzika, interpretimi apo… çfarë tjetër?

I uroj suksese në karrierën e saj dhe ta shoh lart e më lart. Gëzohem, dhe jo vetëm për Bleonën, por për të gjithë artistët shqiptarë, që arrijnë të bëjnë diçka internacionale me karrierat e tyre. Unë, Bleonën e kam shoqe dhe kolege, sepse kemi bërë turne dhe kemi kënduar bashkë në koncerte me “Spirit Voice”.

Para se të publikonte këngën “Take you over”, Bleona bëri me vite publicitet, sa në media, në rrjete sociale e plot mënyra të tjera. Ju pëlqen se si e bën publicitetin Bleona?

Çdo njeri vepron në mënyra të ndryshme, jo të gjithë kanë të njëjtin mendim.

Po ju, pse bëtë një shfaqje të beftë me “Kiss”?

Unë dhe producenti im kemi menduar ta shfaqim në këtë mënyrë punën e bërë gati. Dhe kur u bë premiera, unë e nxora në rrjetet sociale një ditë përpara, për të lajmëruar fansat.

Dy vite më parë, ju morët pjesë në “Kënga Magjike”, por nuk ishit në finale. A u zhgënjyet?

“Kënga magjike” ishte një eksperiencë e mrekullueshme që pas kaq vitesh u ktheva si Dorina. Nuk kam ngelur e zhgënjyer, sepse mora pjesë për qejf dhe takova gjithë miqtë, kisha edhe mbështetjen e shoqeve “Spirit Voice” në sallë. Ardit Gjebrea është një mik që e falënderoj, sepse është njeri i mrekullueshëm dhe bën një gjë shumë të veçantë për të gjithë artistët me “Kënga Magjike”.

Si i vlerësoni përgjithësisht festivalet që bëhen në Shqipëri?

Unë ndjek me kënaqësi të gjitha evenimentet dhe ka raste që bëj tifozllëk për këngët dhe këngëtarët që më pëlqejnë. Të gjithë artistët shqiptarë mundohen t’i dhurojnë publikut dhe fansave të tyre më të mirën nga vetja. E vetmja vërejtje është që duhet të ketë më shumë koncerte. Po, koncerte të mirëfillta siç bëheshin më përpara.

Tani ju keni hyrë në tregun ndërkombëtar të muzikës. Çfarë synoni?

Synoj të jem një këngëtare internacionale dhe që këngët e mia të shfaqen në radiot amerikane dhe botërore, në “MTV Awards”, mendoj se me punë dhe këmbëngulje çdo gjë arrihet.

Të rikthehemi pak në retrospektivë. Ishit pjesë e grupit “Spirit Voice”, shumë i pëlqyer asokohe. Si vazhdoi jeta juaj artistike dhe familjare pas ndarjes nga grupi?

Kam vazhduar të këndoj për komunitetin shqiptar në të gjithë Amerikën dhe në Kanada. Jam bashkëshortja e një njeriu të mrekullueshëm, që më mbështet në çdo hap dhe më shtyn të realizoj ëndrrat e mia. Kjo dashuri e ka emrin Xhuljan dhe kemi dy djem, Nick, 13 vjeç dhe Alex, 8, që janë drita e syve tanë.

Është folur shpesh për një ribashkim të grupit. A e keni diskutuar me ish-anëtaret e tjera, a do të ndodhë?

Grupi “Spirit Voice” është dhe do të mbetet dashuria e parë. Patjetër që do të sjellim gjëra të reja, por tani, në këto momente secila nga ne është fokusuar në karrierën personale.

ELISABETA ILNICA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura