“Dorëzoni gulenistët”, analistët kujtojnë këshillën e ekspertit amerikan: Kujdes se Turqia…

Oct 20, 2018 | 13:57
SHPËRNDAJE

Një ditë pas kërkesës që Turqia me zërin e ministrit të vet të Jashtëm, përsëriti në Tiranë për dorëzimin e mbështetësve të FETO që ndodhen në Shqipëri, duke kujtuar se ka dërguar tashmë edhe listat me emrat e atyre që duhet të ekstradohen, analistët Prec Zogaj dhe Lorenc Vangjeli e kanë quajtur tërësisht të papranueshme.

prec zogaj

Në emisionin “ Java” në RTSH, ata sollën në vëmendje një prononcim të fundit të David Filip, një  ekspert i shquar amerikan për çështje ndërkombëtare, ish-këshilltar i lartë pranë presidentëve Klinton, Bush dhe Obama, i  njohur si kundërshtar shumë aktiv i projektit të shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Njëherësh edhe kritik i partneritet  të ngushtë  të qeverisë  së Ramës  me qeverinë e Presidentit të Turqisë  Erdogan.  Eksperti amerikan i ka kërkuar qeverisë shqiptare  të jetë realiste për Turqinë e cila “po ndjek interesat e veta në Shqipëri dhe në  Ballkan si një fuqi antiamerikane dhe armiqësore ndaj Bashkimit Europian”.

Lorenc Vangjeli
Lorenc Vangjeli

Duke komentuar  kërkesën  zyrtare turke  për ekstradimin e gylenistëve, Lorenc Vangjeli  mbështeti qëndrimin e  ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, sipas të cilit  Shqipëria është anëtare e NATO-së dhe aspirante në BE dhe çështjen e ekstradimit do të duhet ta trajtojë konform standardeve dhe procedurave ndërkombëtare.

Vangjeli tha se ky është një problem i Ankarasë që nuk duhet të eksportohet kurrsesi në Tiranë. Ndërkohë Preç Zogaj gjithashtu e pohoi si të drejtë një gjë të tillë. Duke ju referuar ekspertit amerikan Zogaj tha se ai është një njohës shumë i thellë i zhvillimeve në rajon  dhe që vazhdon të ushqejë  qëndrimet amerikane me analizat e tij. “Këshilla e tij duhet marrë seriozisht nga qeveria shqiptare. Kam parë shumë djersë në ballin e Ramës” , tha Zogaj .

“Kryeministri ka shumë halle, jo vetëm shqetësimin e Ankarasë”, replikoi Vangjeli fill pas kësaj. Muaj më parë “ Java” ka paralajmëruar  ekzistencën e  një liste me  qindra qytetarë turq me banim në Tiranë që kërkoheshin  për t’u ekstraduar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura