Dorëzohet blloku i parë i banesave të rindërtuara/ Rama: U realizua ideja e lagjes së re! Po ndryshohet jeta e 33 mijë familjeve që u prekën nga tërmeti

Nov 20, 2021 | 17:11
SHPËRNDAJE

Sot është dorëzuar blloku i parë i banesave të rindërtuara në Vaqarr, për familjet e prekura nga tërmeti i dy viteve më parë.

I pranishëm ishte kryeministri Edi Rama, i cili tha se kjo është një lagje e re, ku përveç ndërtimit të banesave u realizua edhe ideja e një lagjeje të re.

Sipas kryeministrit Rama, janë 33 mijë familje të prekura nga tërmeti, të cilave do t’u ndryshohet jeta.

“Përveç ndërtimit të shtëpive u realizua edhe ideja e një lagje të re, e cila ka pranë shkollën 9-vjecare, shkollën e mesme ka pranë qendrën shëndetësore dhe shërbimet administrative, duke krijuar hapësirë kushtesh të reja për të gjitha ata që në 26 nëntorin e dy viteve më parë mbetën pa çati në kokë..

Sot jo vetëm kthehen në shtëpi, por kthehen në shtëpi shumë më të mira se ato që humbën. Kanë sot më shumë sec kishin kur i goditi ajo tragjedi e  madhe

Mua më vjen mirë që kjo përpjekje po ndryshon cilësisht jetën e 33 mijë familje. Janë 33 mijë familje në hapësirën ku ka goditur tërmeti i 26 nëntorit.

Që nga ata që kanë pasur dëme të lehta, deri tek ata që humbën plotësisht shtëpinë falë kësaj përpjekje të madhe janë në kushte më të mira sesa ishin.

Nëse shohim sot listën e atyre që kanë hyrë në shtëpi, janë mijëra e mijëra që banojnë në shtëpi të rindërtuara. Janë mbi 500 fëmijë vetëm në bashkinë e Tiranës, janë shumë të tjera që banojnë në apartamente të rindërtuara”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se dorëzimi i banesave të tjera do të vazhdojë në Ndroq, Zall Herr, tek “5 maji” apo edhe në zona të tjera.

Kreu i qeverisë njoftoi se të gjitha ato familje që janë spostuar nga banesat ku kanë jetuar më parë, do të marrin titujt e pronësisë.

“Kemi filluar me blloqet, së shpejti do të hyjnë në shtëpi jo vetëm ata që janë në pritje në Ndroq, Zall Herr apo në pika të tjera, ‘5 maji’ do të jetë lagjja urbanistikisht shembullore e Tiranës.

Në ditët e ardhshme do të hyjnë në shtëpi banorët e Bubqit dhe ku në vend të një situate urbane realisht të degraduar, të gjitha ato familje do të kenë një hapësirë urbane shembullore. Më tej në Thumanë e Laç. Laçi sot po bëhet një qytet nga e para. Në Lezhë ku ka një bllok të tërë që është drejt përfundimit. Në Kavajë apo edhe në Rrëshen, apo lart në Krujë ku sapo ka nisur puna, apo në Durrës ku ishte goditja më e madhe.

Procesi ka pasur vështirësi me titujt e pronësisë për të garantuar që procesi të jetë i drejtë dhe për të garantuar që ata që spostohen nga vendbanimet e mëparshme të marrin titujt e pronësisë”, tha Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura