(Pjesa I) Dorëshkrimi i Enverit për vrasjen e kunatit: E luftuam pa mëshirë

Aug 31, 2015 | 23:10
SHPËRNDAJE

Raportet e Enver Hoxhës me Bahri Omarin kanë qenë sa problematike, aq edhe misterioze. Së paku për aq sa ka lënë të dokumentuar në gjallje ish-kunati i këtij të fundit.

Përveç atyre që ka artikuluar zyrtarisht dhe në memoristikën historike të serisë “Kujtime” për kunatin Omari, Enver Hoxha ka koleksionuar një dosje tjetër me shënime konfidenciale, ku përshkruan ngjarje e situata të panjohura, që, me sa duket, kanë qenë të destinuara për familjen dhe rrethin e ngushtë të bashkëpunëtorëve.

Bahri Omari në gjyq
Bahri Omari në gjyq

Ndër materialet e rezervuara aty, gazeta “Panorama, duke filluar nga sot, do të publikojë të plotë dorëshkrimin “Takimi në Tiranë me pseudodemokratët, pseudonacionalistët, agjentët e pushtuesve, kuislingë dhe krerë të ‘Ballit Kombëtar’: Bahri Omari, Kol Tromara, Sejfi Vllamasi”. Në fabulën e kujtimeve është një takim i Hoxhës me këta të fundit pas rikthimit të tyre në Shqipëri, në fillimin e viteve ’40. Bahri Omari, Kol Tromara, Sheh Karbunara dhe Sejfi Vllamasi kishin qenë deputetë në parlamentin shqiptar para ardhjes në pushtet të qeverisë së Nolit dhe me rrëzimin e saj ishin larguar jashtë shtetit, ku kishin krijuar emigracionin politik antizogist.

Faksimile e dokumentit me dorëshkrimin e daktilografuar të Enverit me kujtime për Bahri Omarin
Faksimile e dokumentit me dorëshkrimin e daktilografuar
të Enverit me kujtime për Bahri Omarin

Një pjesë ishin vendosur në Bari të Italisë, shkruan Hoxha, dhe aty “uzurpuan” kafene “Stopani”-n, ku qëndronin me orë të tëra duke konsumuar politikë pa bereqet. Shkonin nga shkonin dhe pyesnin Bahri Omarin, i cili njihte disa gjuhë, po kishte kulturë konfuze. Dukej i leshtë, por ishte budalla. I kishte hedhur “trutë e gomarit” Ali Këlcyra dhe e bëri një nga njerëzit më të egër dhe më të poshtër. Pjesa tjetër e bandës së “demokratëve antizogistë”, Ali Këlcyra, Qazim Kokoshi, Rexhep Mitrovica etj., u vendosën në Paris. Në krye kishin, gjoja, Kol Tromarën, por asnjë nuk e njihte tjetrin për udhëheqës, sepse të gjithë udhëhiqnin.

Faksimile e dokumentit me dorëshkrimin e daktilografuar të Enverit me kujtime për Bahri Omarin
Faksimile e dokumentit me dorëshkrimin e daktilografuar të Enverit me kujtime për Bahri Omarin

Këtyre myteberëve, shkruan Hoxha me përbuzje, u qe mbushur mendja top se ishin antizogistët më të shquar dhe politikanët më të zotë që kishte njohur Shqipëria. Rikthimi i tyre pas pushtimit fashist të vendit dhe debatet me Hoxhën dhe të tijtë, përbën pjesën më intriguese të kujtimeve të këtij të fundit, ku pjesën më të rëndësishme e zë përballja me Bahri Omarin, të porsashtegtuar, siç shkruan Hoxha me tufën e “lejlekëve” që lanë kafenetë e Europës…

DOKUMENTI
Takimi në Tiranë me pseudodemokratët, pseudonacionalistët, agjentët e pushtuesve, kuislingë dhe krerë të “Ballit Kombëtar”: Bahri Omari, Kol Tromara, Sejfi Vllamasi

Bahri Omari, Kol Tromara, Sejfi Vllamasi, Ali Këlcyra e Qazim Koculi me shokë ishin deputetë në “Parlamentin” shqiptar para ardhjes së qeverisë së Nolit. Ata kishin qenë të pranishëm në varrimin e Avni Rustemit që u godit nga reaksioni çifligar me Ahmet Zogun në krye dhe kishin marrë pjesë në revolucionin e vitit 1924. Klika e bejlerëve dhe e feudalëve deshën dhe e rrëzuan këtë gjendje e Zogu ishte në krye të këtij koalicioni. Por natyrisht, në mes të “demokratëve” kishte nga ata që ishin zëri i agallarëve, si Sejfi Vllamasi, Bahri Omari, Sheh Karbunara. Kishte demokratë revolucionarë, si Avni Rustemi, Halim Xhelo etj., që ishin bij të popullit fukara, antifeudalë, antibejlerë.

Këta donin dhe luftonin për çlirimin e bujkut nga zgjedha e feudalëve, luftonin për reformën agrare dhe për pavarësinë ekonomike të vendit. Këta elementë mbështetën Luigj Gurakuqin që ishte kundër dhënies së koncesioneve të vajgurit fuqive të huaja, si Anglisë, Italisë etj. Avni Rustemi ishte themeluesi i organizatës “Bashkimi”, program i së cilës të kujtonte organizimin e një partie të brezit të ri dhe shprehte ide revolucionare. Ajo organizoi ndër të tjera demonstratën e popullit të Fierit, i cili kaloi përpara konakëve të bejlerëve feudalë të Vrionit me një arkivol përpara, duke hedhur parulla revolucionare se feudalizmin do ta varrosim dhe tokën do t’ia kthejmë fshatarit etj.

Feudalët, bejlerët dhe agallarët, duke parë rrezikun që u turrej, e vranë Avni Rustemin në Tiranë. Kufoma e Avniut u çua në Vlorë, ku u varros me nderime. Më kujtohet, isha i ri, në shkollë qytetëse. Po rrinim me shokë në krye të pazarit, kur vjen Bahri Omari, i cili ishte dhëndri ynë, kishte grua motrën e madhe, Fahrijen. Më heq mënjanë dhe më thotë: “Shko shpejt në shtëpi, më merr valixhen dhe ma sill e u thuaj anesë dhe Fahrijes se do të nisen në Vlorë, se bejlerët na vranë Avni Rustemin”. Unë u shtanga se Avniu ishte simbol edhe për ne të rinjtë dhe u nisa me vrap, mora valixhen e ia çova me një frymë. Bahri Omari në atë kohë ishte deputet i Gjirokastrës, përfaqësues i “Opingës”, në kundërshtim me Mufit Libohovën dhe mbështetësit e tij.

Faksimile e dokumentit me dorëshkrimin e daktilografuar të Enverit me kujtime për Bahri Omarin
Faksimile e dokumentit me dorëshkrimin e daktilografuar të Enverit me kujtime për Bahri Omarin

Vrasja e Avniut e revoltoi popullin. Nga Vlora u dha kushtrimi dhe Revolucioni i Qershorit shpërtheu. Nga të gjitha anët u nisën për në Tiranë. Zogu u arratis në Jugosllavi, kurse në Tiranë hyri qeveria demokratike borgjeze e Nolit. Me qeverinë e Nolit ndodhi ajo që ndodhi, siç dihet tashmë nga historia. Me rrëzimin e saj, Zogu dhe klika e tij, me ndihmën e Serbisë, hynë në Tiranë dhe “demokratët” e ngjyrave të ndryshme morën valixhet dhe shkuan në mërgim, ku formuan emigracionin politik “antizogist”.

Në këtë grup hynë dhe myteberët, me të cilët kam pasur kontakte: Bahri Omari, Kol Tromara, Sheh Karbunara, Sejfi Vllamasi etj. Këta lloj antizogistësh u shpërndanë në të katërta anët, që nga BS-ja, në Amerikë, Francë, Itali, Zvicër etj. Nga ata që kaluan në BS, përveç Ali Kelmentit, Halim Xhelos e ndonjë tjetri që ishin marksistë, militantë e patriotë, të tjerët morën lloj-lloj ngjyrash, që nga ngjyra trockiste e Zai Fundos, e agjentit të anglezëve Tajar Zavalani dhe më vonë deri e atyre që u doli boja, si Sejfulla Malishova e Koço Tashko.

I gjithë emigracioni “antizogist”, me përjashtim të komunistëve ose “kuqaloshëve”, siç i quanin “antizogistët demokratë”, hiqeshin si fanolistë. Por s’ishin asgjë. Ata shpejt i siguruan grazhdet ku të hanin. U grupuan në bazë të grazhdeve ku ushqeheshin, u ndanë në grupe kafenesh dhe e gjithë puna e tyre ishte të lexonin atë gazetë në të cilën ishte abonuar kafeneja ku ata rrinin gjithë ditën dhe kjo që them nuk është e ekzagjeruar. Kafeneja ishte vendi i pallavrave të kota, i diskutimeve mbi “problemet ndërkombëtare”, disa të shara Zogut, por ajo sidomos ishte vendi i kumarit, i pokerit dhe i shahut. Kush e kush përpiqej t’i grabiste tjetrit paratë në kumar.

“BABALLARËT” E KAFE “STOPANI”
Ndër kafenetë me nam të këtij farë emigracioni ishte kafe “Stopani” në Bari të Italisë, ku “deputetët-onorevolë” të “opozitës zogiste” ishin Bahri Omari, Sheh Karbunara, Muharrem Vllamasi, Qamil Çela, Lek Margjini oficer etj. Kafeneja “Stopani” ishte “parlamenti”. Jetën dhe mendimet e këtyre “onorevolëve” i njoh mirë, se kur veja dhe kthehesha nga Franca, qëndroja te Bahriu, te motra 4-5 ditë.

Kur ikja nga Shqipëria në Francë, ata më pyesnin: “Ç’kemi andej, ç’bëhet? E duan apo s’e duan Zogun, kur do të vdesë ky?”. Dhe pastaj fillonin bisedat politike. Sheh Karbunara si duket hante bukë nga Italia, po admironte Inglizin. Ky sheh i zgjuar e dinak fliste dialektin e Lushnjës, nuk kishte asnjë çikë kulturë. Ai pyeste Bahri Omarin, i cili njihte shumë gjuhë: turqisht, anglisht, frëngjisht, italisht dhe greqisht. Kultura e tij ishte pak nga të gjitha e pathelluar, ekstensive, e përhapur dhe konfuze.

Ai e hiqte veten radikal socialist, admirim të madh kishte për Eduard Herionën dhe lexonte gazetën “Le Tempos”. Bahri Omari në këtë kohë dukej njeri i afruar, i leshtë, demokrat dhe budalla, zemrën ndaj miqve dhe të njohurve nuk e kishte të keqe. Ali Këlcyra i kishte hedhur “trutë e gomarit”, por më vonë Bahri Omari u bë një nga njerëzit më të egër, më të poshtër, një kuisling që na luftoi deri në fund dhe ne e luftuam deri në fund atë dhe shokët e tij.

Njëherë, teksa kthehesha nga Franca, qëndrova në Bari dhe pyeta “onorevolët”: “Ç’kemi nga Shqipëria?”. Shehu m’u përgjigj aty për aty: “Punët shkojnë mirë”. “Çfarë ka ngjarë?”, i pyes. “Zogu, thotë Shehu, është duke vdekur, kemi lajme të sigurta, kancer të pashërueshëm, pse dy doktorë të mëdhenj kanë shkuar nga Vjena ta ekzaminojnë”.

MYTEBERËT E FËLLIQUR “ANTIZOGISTË”
Këtyre myteberëve u qe mbushur mendja top se ishin të vetmit dhe më të shquarit antizogistë që mund të ekzistonin, ishin politikanët më të zgjuar, më të zotë që kishte njohur Shqipëria. Zogu natyrisht për ta ishte uzurpator, por “me likuidimin e tij Shqipëria do të binte në gojën e tyre si një fik i pjekur, që s’e mban më dega”; këta kishin lindur vetëm për të udhëhequr popullin shqiptar dhe “përvoja” e kafeneve të Europës i kishte edukuar si të tillë.

Të ashtuquajturit nacionalistë të kafene “Stopanit”, nuk kishin lidhje me gjakatarin proitalian Mustafa Merlika Kruja, por edhe grindeshin me të. Këta kishin lidhje me bandën tjetër të “demokratëve antizogistë” të Parisit, Ali Këlcyrën, Qazim Kokoshin, Sejfi Vllamasin, Mitrovicën e shumë të tjerë. Këta kishin gjoja në krye Kol Tromarën, Ali Beun, Qazim Koculin, Mitrovicën, por asnjë nuk e njihte njëri-tjetrin për udhëheqës, sepse të gjithë udhëhiqnin. Udhëheqës “të erës”, se ishin komandantë pa ushtarë. Vetëm kënaqeshin se ishin “deputetë”, se ishin “antizogistë”, pra, demokratë të kulluar dhe njerëz “me influencë”.

Kol Tromara, që ishte nga Korça, kishte “Korçën”, mjaft të bënte thirrje dhe ajo në këmbë pas Kolës(!). Ali Bej Këlcyra Dangëllinë dhe gjithë “demokracinë” e vendit, bile dhe fshatarësinë, pavarësisht se ishte këlysh nga një familje bejlerësh nga më barbarët. Përveç këtyre, Ali Beu ishte dhe dhëndri i Vrionasve. Kështu, për Qazim Koculin ai ishte “Heroi i Vlorës” dhe popullin e saj e kishte me vete “kur të donte”.

Sejfi Vllamasi ishte ai që zëvendësoi Zylyftar Podën në Kolonjë dhe Rexhep Mitrovica ishte nga Kosova. Ah, Kosova! “Pika nervagjike” e këtyre myteberëve. Të gjitha këto ishin ëndrrat e tyre, “titujt e tyre”, “fuqia e tyre”. Por hëpërhë këto nuk shërbenin për asgjë, veç për të marrë rroga nga shtetet kapitaliste; ata ishin bërë agjentura rezervë e tyre. E kujt? E të gjithëve!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura