Ilir Meta dhe Tom Doshi replikojnë live’, deputeti: Pyete Spartak Brahon për tabulatet telefonike me Tonin

May 29, 2015 | 9:00
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë një interviste televizive mbrëmjen e së enjtes në “TCH”, replikoi me deputetin Tom Doshi për akuzat e ngritura më parë nga ky i fundit, lidhur me inskenimin e një atentati kriminal ndaj dy deputetëve. Gjatë emisionit “Top Story”, gazetari Sokol Balla lexoi një mesazh “SMS” të ardhur në telefonin e tij nga Tom Doshi, ku i kërkonte ta pyeste Ilir Metë për zbardhjen e tabulateve telefonike mes kryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho dhe Tonit të Kombinatit. Për këtë të fundit, Tom Doshi ka thënë se ka pasur dijeni për atentatin kriminal që ishte planifikuar ndaj tij me urdhër të Ilir Metës.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta ne emisionin “Top Story”

“Përshëndetje Sokol! Pyete zotin Meta se si i shpjegon komunikimet e Spartak Brahos me Tonin e Kombinatit dhe Ymer Lalën që kanë dalë nga tabulatet telefonike, ndërkohë që ai para prokurorit ka thënë se unë nuk i njoh.”,-tha Sokol Balla, duke lexuar mesazhin e deputetit Doshi. Ndërsa në përgjigjen e tij, kryeparlamentari Meta tha se për këtë çështje le të fliste drejtësia. “Unë them që të mos e ulim nivelin e emisionit në nivele banale pasi qëndrimi im është shumë i qartë. Çdo njëri që ka shkel ligjin të përgjigjet para ligjit. Qoftë Tom Doshi, qoftë Spartak Braho, qoftë cili do tjetër.”,-deklaroi Meta. 

Më herët, kryetari i Kuvendit Ilir Meta tha se akuzat e PD-së për sulme ndaj biznesit të miellit ndaj kandidatit të opozitës në Bashkinë Vorë, Fiqi Ismailit, nuk qëndrojnë dhe se nga inspektimet e kryera, produkti që ai tregton rezulton të ketë përmbajtje të substancave kancerogjene. Në intervistën televizive për “TCH”, Meta theksoi se Shërbimi Informativ Shtetëror kishte zbuluar se në magazinat e Fiqiri Ismailit tregohej miell me përmbajtje Aflatoksine dhe për këto informacione ishte njoftuar edhe ministri i Bujqësisë. 

Ilir Meta ne duke treguar fabriken e miellit te kandidatit te PD-se

“Shërbimi Informativ iu dërgoi ministrit të Shëndetësisë që ekziston trafik mielli më probleme, me aflatoksinë. Dhe për këtë arsye janë bërë kontrolle dhe kanë dalë probleme tek ky subjet, tek subjektet e tjera dhe kjo nuk ka lidhje me këtë zotërinë që kandidon në Vorë nga Partia Demokratike.”,-deklaroi Meta. Ndërsa tregoi edhe disa foto ku shiheshin kushte jo të përshtatje të ruajtjes së miellit në ambiente të papërshtatshme në magazina. “As kafshët nuk rrinë në këto kushte se edhe ato kanë të drejtat e tyre e jo mielli.”,-tha Meta.

Ilir Meta duke treguar fotografin qe sipas tij, magazina nuk ploteson standardet

Më herët, për këtë çështje përfaqësues të Partisë Demokratike kanë sulmuar mazhorancën për sulme politike ndaj bizneseve të kandidatëve të PD-së, me qëllim ndikimin në zgjedhjet e ardhshme lokale të 21 qershorit.

Ndër të tjera kryetari i Kuvendit Ilir Meta, u shpreh se kreu i Partisë Bashkimi për Të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, është pjesë e koalicionit të majtë. Pas afrimit të PDIU-së në koalicionin qeverisës, Dule u dorëhoq nga posti i nënkryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa vendin e tij e zuri Shpëtim Idrizi i PDIU-së. “PBDNJ mendoj se është brenda koalicionit. Shpresoj se zoti Dule ta rishikojë deklaratën e tij. Secili ka vendin e vet”,-deklaroi Meta.

Kreu i Kuvendit kritikoi ashpër qëndrimet e opozitës për çështjen e dekriminalizimit të Parlamentit, duke thënë se edhe vetë termi dekriminalizim është bërë qëllimisht nga pakica parlamentare për të dëmtuar imazhin e vendit. “Pjesë e përpjekjes banale të opozitës për të dëmtuar imazhin e vendit. Jemi gati të bashkëpunojmë me opozitës, por edhe këtu ka standarde të dyfishta. Kur i dënon gjykata kandidatët ajo thotë se i bën për arsye politike. Por hajde ta zgjidhim. Ata thonë që do të quajmë të dekriminalizuar ato që duam ne”,-tha Meta. 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura