Dorëheqja e Elvis Roshit, reagon për herë të parë PS-ja

May 31, 2016 | 14:12
SHPËRNDAJE

Pas lajmit të dorëheqjes dhënë nga vetë kreu i bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, Partia Socialiste ka reaguar për herë të parë përmes deputetes Blerina Gjylameti.

edi-rama-elvis-roshi

 

Në një deklaratë për mediat, ajo theksoi se ligji qëndron mbi të gjithë dhe duhet zbatuar deri më një. “Pavarësisht se ai vet e konsideron veten të pafajshëm, pavarësisht se faktet për të kaluarën e tij nuk i nxorën kundërshtarët politikë që deri më sot kanë hedhur veç baltë e shpifje, kryetari i bashkisë u dorëhoq, pasi në familjen tonë politike të gjithë jemi të barabartë përpara ligjit dhe askush nuk mund të ushtrojë detyra publike për sa kohë është në kundërshtim me ligjin. Ne që e kemi mbrojtur zotin Roshi, pasi në fund të fundit ai ishte i pafajshëm për aq kohë sa nuk provohej e kundërta, sot i themi se pafajësinë ai duhet ta provojë në instancat gjyqësore”- tha ajo.

Ajo nuk ka lënë pa përmendur sulmin dhe baltën e hedhur mbi Roshin nga opozita, duke e akuzuar këtë të fundit se jo vetëm nuk e ka seriozisht deklariminalizimin, por nuk përgjigjet për personat me të shkuar me precedentë që ka.

Sa për Roshin, ajo ka theksuar se “ne respektojmë ligjin dhe dënimet që përcakton ai për shkelësit, ky qëndrim tregon moralin e forcës politike dhe se dekriminalizimin e kemi seriozisht”.

Sipas saj PD ende nuk është përgjigjur për të inkriminuarit në radhët e saj, duke kujtuar kështu deputetin Noka për deklarim të rremë, deputetin Zeneli apo edhe Ristanin.

“Në PD numri dy rezulton i dënuar me burg, por Ristani bën sikur nuk dëgjon që i ka borxh publikut shpjegim, asgjë e moralshme dhe parimore nuk pritet nga PD, që në krye ka Bashën, i cili akuzave iu shmang me një raport mjekësor”- tha ajo.

Deklarata e plote 

Sot një kryetar socialist bashkie dha dorëheqjen pasi ishte gjykuar e dënuar, në mungesë, pa dijeninë e tij, teksa ishte minoren dhe emigrant në Itali. Pavarësisht se ai vet e konsideron veten të pafajshëm, pavarësisht se faktet për të kaluarën e tij nuk i nxorën kundërshtarët politikë që deri më sot kanë hedhur veç baltë e shpifje, kryetari i bashkisë u dorëhoq, pasi në familjen tonë politike të gjithë jemi të barabartë përpara ligjit dhe askush nuk mund të ushtrojë detyra publike për sa kohë është në kundërshtim me ligjin.

Ne që e kemi mbrojtur zotin Roshi, pasi në fund të fundit ai ishte i pafajshëm për aq kohë sa nuk provohej e kundërta, sot i themi se pafajësinë ai duhet ta provojë në instancat gjyqësore.

Ligji qëndron mbi të gjithë ne, e për sa kohë ligji është shkelur, edhe pse në rrethana krejtësisht misterioze, ne nuk na mbetet asgjë për të bërë veçse ta respektojmë ligjin dhe dënimet që ai përcakton për shkelësit.

Ky qëndrim tregon moralin e forcës tonë politike dhe faktin se ne dekriminalizimin e kemi seriozisht, jo si kundërshtari ynë që ndryshe thotë e ndryshe bën.

Në Partine Demokratike ka një ish ministër të brendshëm, sot deputet, që ka bërë deklarim të rremë në formular duke fshehur ndalimin e tij nga policia. Dhe sot as Flamur Noka e as PD nuk arrijnë të japin qoftë edhe një sqarim të vetëm për rastin në fjalë.

Në Partinë Demokratike vetë numri dy i saj rezulton i dënuar me burg, për shkelje të rëndë të Kushtetutës, por Arben Ristani bën sikur nuk dëgjon e nuk kupton, se një shpjegim i’a ka borxh publikut.

E kështu me radhë, deputetë të tjerë si Alban Zeneli, të dënuar, apo kryetarë bashkish të dënuar për korrupsion apo të turpëruar publikisht për raste abuzimi seksual.

Sigurisht që asgjë e moralshme dhe parimore nuk mund të pritet nga një parti e cila në krye ka Lulzim Bashën, që akuzave të rënda për korrupsion u bëri bisht duke përdorur një raport mjekësor.

Por ky i sotmi është rasti për të bërë dallimin mes nesh dhe kundërshtarëve tanë politike. Ne që respektojmë ligjin dhe pranojmë rrjedhojat e gabimeve të bëra dhe atyre që të kapur në flagrance të plotë luajnë rolin e budallait.

Në çdo vend demokratik çdo individ përgjigjet për veten e tij. As Partia Socialiste, as Partia Demokratike, as Edi Rama e as Lulzim Basha nuk janë përgjegjës për gabimet që mund të bëjnë përfaqësues të partive. Por ndryshe nga Edi Rama që çdokujt që gabon i tregon ligjin, Lulzim Basha është përgjegjës për mbrojtjen politike që i jep të vetëve, edhe kur janë në shkelje të plotë të çdo norme e ligji.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura