Doracaj flet pas shkarkimit: I ktheva dinjitetin e munguar ZRPP-së

Nov 24, 2017 | 23:01
SHPËRNDAJE

Gjatë fjalës së saj në takimin me ministren e Drejtësisë, kryeregjistruesja Blerina Doracaj, mësohet të ketë kërkuar vazhdimin e reformave të nisura nga ajo në zyrat e Hipotekave që prej muajit gusht kur mori detyrën. “Postet dhe karriget s’janë të përjetshme, dinjiteti dhe karakteri janë ato që e shoqërojnë njeriun deri në vdekje. Ka njerëz që bëjnë reforma të thella, siç është rasti im në ZRPP, të tjerë duhet t’i çojnë përpara me të njëjtin ritëm dhe profesionalizëm”, është shprehur zonja Doracaj.

Hipoteka
Hipoteka

E pyetur nga “Panorama” si cila është gjendja në të cilën ajo e la zyrën qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pas 4 muajve në krye të saj, zonja Doracaj tha se institucionit iu kthye besimi i qytetarëve.

“Detyra që m’u ngarkua në situatën e emergjencës ku ishte ZRPP-ja u përmbush me sukses. Vetëm në 4 muaj i kam dhënë këtij institucioni dinjitetin e munguar prej 25 vitesh dhe përmbushjen e detyrimit që kanë nëpunësit e shtetit ndaj qytetarit, në mënyrë dinjitoze dhe pa para nëndore. Kam larguar mbi 68 punonjës të korruptuar, të paaftë dhe jo profesionalë. Një analizë më të detajuar të këtyre katër muajve në krye të ZQRPP-së do ta bëj në ditët në vijim”, tha zonja Doracaj.

Ajo kishte dhe një këshillë për pasardhësin e saj në këtë detyrë.

“I uroj pasardhësit tim të jetë një derë e hapur për qytetarët dhe të mbajë besimin e fituar prej pak muajsh prej tyre. Përsa më sipër kam marrë vlerësime pozitive nga partnerë, përfaqësi diplomatike e institucione publike me të cilat kam bashkëvepruar si asnjëherë më parë si dhe nga qytetarë të thjeshtë, të cilët më kanë mbështetur dhe bësuar që ditën e parë”, tha zonja Doracaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura