Donika Mustafaj: Prindërit s’dinë të interesohen, e kanë mendjen tek 10-at

Sep 15, 2014 | 14:14
SHPËRNDAJE

“Shkolla… pse duhet?” Një pyetje që në fillim të viteve ’90, me ndërrimin e sistemit dhe hapjen e kufijve, ishte thjesht retorike. Sot nuk vihet në dyshim. Duhet, por se si, ende nuk është zgjidhur nga politikëbërës, mësues e prindër. Duam të arrijmë standarde europiane, por me metoda të vjetruara, si nga ana e mësuesve dhe nga vetë prindërit. Donika Mustafaj ka shkelur shkollë më shkollë, për të parë nga afër problematikat e për të folur me vetë nxënësit… Një kujtesë e vogël përpara ditës së parë të shkollës

“Shkolla, pse duhet?” Nëse mendoni se pyetja duhet shpërfillur, se s’është e denjë për përgjigje, sepse shkolla duhet që çke me të, bëni mirë të ndaloni. Ok, shkolla duhet, por si duhet të jetë? A është shkolla që po bëjnë fëmijët, ajo që do të donit për ta, ajo që duhet. Po ju vetë, a do mund të bënit më mirë që të përmirësohej i gjithë zinxhiri?! Mbase këto pyetje duheshin bërë ca më parë e jo një ditë përpara fillimit të shkollës, por nuk është asnjëherë vonë. Përmirësojeni të gjithë bashkë! Donika Mustafaj, në dokumentarin e saj, ca probleme ua nxjerr në dritë. Suksese të gjithëve!

Që shpresa është alternativa e fundit, duket prej kohësh të jetë një klishe me të cilën të rriturit vetëm do të qeshin. Por që, po të njëjtin reagim të shohësh edhe te fëmijët e shkollave 9-vjeçare a të mesme, për të qeshura, nuk është më vendi. Ndofta me prindërit nuk e ndajnë këtë ndjesi, ama është shija që i ka lënë regjisores së filmit dokumentar “Shkolla… pse duhet”, Donika Mustafajt, pasi ka shëtitur në shumë prej tyre në kryeqytet. Ka folur me prindër, ka folur me mësues e fëmijë po nuk e ka parë askund shkëlqimin e syve të paditur. Së paku, të palodhur e të pakonsumuar. Ata ende nuk njohin asgjë e megjithatë, edhe aty ku janë, po mësohen të jetojnë me të keqen, ngase rrugë tjetër nuk shohin…

Pjesë nga dokumentari “Shkolla… pse duhet?”
Nesër është dita e parë e shkollës dhe gjëja e fundit që duam të bëjmë është të demoralizojmë palët. Por as duke shpërfillur problematikat, nuk zgjidhim gjë. Prandaj, edhe pse i realizuar ca kohë më parë, është i vlefshëm rivënia në vëmendje të edukuesve të dokumentarit të Mustafajt. Dokumentar që, edhe pse u mundësua nga Televizioni Publik Shqiptar, vetëm në të nuk u transmetua, për shkak të problematikave e shqetësimeve që ngrinte. Sot, Donika është në biseda të reja për ta rishfaqur për shkak të nisjes së sezonit të ri shkollor. Ndërsa nga Ministria e Arsimit e ka marrë tashmë miratimin për ta vënë në kinema “Millenium” për mësues shkollash e për senatet e tyre. Pritet vetëm dita e nesërme t’i bëjë bashkë të gjithë, për t’i udhëhequr drejt një rruge në të cilën, së paku, duhet të shpresojnë…

Donikë, pse i hytë temës së shkollave, sa e njihje e ç’shpresoje të nxirrje?
Jam e lidhur mjaftueshëm sepse kam qenë mësuese vetë. Sado që problematikat konkrete mund të mos i dija pa shkelur vetë shkollë më shkollë, të gjithë ne e dimë si janë. Mjafton të flasësh me nxënës, mësues e prindër. Ata vërtet mund të t’i përmbledhin të gjitha pakënaqësitë pa e përfshirë veten, por në fakt janë të gjithë, edhe prindërit, pjesë e çalimit që u është bërë shkollave.
Në ç’mënyrë? Nuk interesohen?
Jo, interesimi është, madje në nivele të larta. Është mënyra se si interesohen, e gabuar. Ende sot, e vetmja e mirë konkrete e prindit për fëmijën në shkollë është nota e lartë. Ky interes nuk është fare bashkëkohor, nuk i tregon të gjitha. Njoh shumë ish-nxënës mesatarë që kanë zgjedhur rrugën që kanë dashur e që sot shkëlqejnë, edhe pse nuk kanë qenë të mirë në nota, në lëndë që nuk e kanë gjetur veten. Pra prindërit nuk dinë të interesohen. Insistojnë ende te 10-ta.
Megjithatë, të mos ua lëmë prindërve. Duhet të ketë problematika të tjera, më serioze…
Natyrisht, i pari është hartimi i teksteve në Shqipëri. Politikat e hartimit të teksteve kanë ndryshuar shumë dhe ndryshimet e herëpashershme prodhojnë defekte të konsiderueshme në realizimin dhe përdorimin e teksteve. Nga organet kompetente çështja e hartimit të teksteve nuk konsiderohej parësore. Një pjesë e mësuesve të rinj ishin të çorientuar nga tekstet e dobëta. Shpesh, ato janë o përkthime të këqija, ose të tilla që përpiqen të reflektojnë rrethanat subkulturore të grupimeve sociale në shoqërinë tonë. Këto tekste ishim të realizuara më shumë për të përfituar ekonomikisht, sesa për ecurinë e nxënësve në shkolla. Nuk është nevoja të bësh një studim për këtë; gjithkujt mund t’i ketë qëlluar të takojë prindër të fëmijëve në klasat fillore që janë krejt të çuditur nga gjërat që hasin te ndihmojnë fëmijët.
Mësuesit, si pozicionohen në gjithë këtë situatë?
Kjo ngelet problematikë që nuk e shoh fort të lehtë për t’u përmirësuar. Në komunikimin mësues-nxënës, nuk zinte asnjëherë vend argumenti apo mënyra individuale e riprodhimit të njohurive a ideve. Kishte vazhdimisht një tension psikologjik midis dy palëve. Nëse mësuesit do t’i parashtronin idetë në mënyrë origjinale dhe jo urdhëruese, tensionet do të zbuteshin dhe do të kultivohej aftësia e të komunikuarit, sepse këtë gjë ka për detyrë të bëjë e jo të të urdhërojë të mësosh përmendësh tekstet problematike.
A ua shprehën nxënësit këtë gjë? Pra, përveçse mund ta keni vënë re ju nga jashtë, a u pohua edhe nga ata?
Kam qenë e detyruar që disa fëmijë t’i nxjerr pa fytyrë në dokumentar, pikërisht për këtë arsye. Ata i kanë pranuar si problematika, por kanë ende frikë të flasin hapur, për shkak të penalizimit që mund të kenë prej mësuesve.
Po mësues që i pranojnë problemet, por që kanë frikë nga dikush tjetër a ka?
Patjetër, por në këto raste nuk rrezikojnë të dalin as me fytyrë as pa. Nuk janë aq besues sa fëmijët.
A mendoni se programe a dokumentarë të tillë problemorë çojnë drejt një rruge përmirësimi apo mjafton të realizohet plani dhe asgjë nuk ndryshon?
Uroj që po, të shërbejnë në përmirësim. Nëse do ishte vetëm çështje plani mund të zgjidhnim gjëra më të lehta, pa kokëçarje nëse TVSH do ta transmetojë apo jo, se është brenda politikave të saj apo jo. Kushdo që është prind e di mirë se këtë gjë nuk mund ta bësh për të kaluar radhën, kushdo do të përfshihej, këtu janë e rriten fëmijët e të gjithëve. Le t’i kenë në shkolla private, realiteti është ky, mësuesit janë ata që janë, gjithandej, të edukuar në të njëjtat shkolla.

Të bëjmë bashkë detyrat, edhe keq…
Nuk kam dëgjuar asnjëherë, askënd, në Shqipëri, t’i thotë fëmijës “Nuk ka gjë; do ta bësh më mirë nesër… lërë sot atë gabim se do të shkojmë bashkë te mësuesja nesër…”. Përkundrazi, me një fytyrë të vrazhdë (mbase mamatë kanë të drejtë për shkak të asaj që mund të kenë kaluar në pjesën e parë të ditës, por sidoqoftë…) ajo që përsëritet gjithnjë është: “Grise, grise fletën…”. Janë të gatshme t’i bëjnë ato vetë detyrat, se sa të mësojnë fëmijët që edhe mund të gabohet, nuk ka pse të jesh gjithnjë OK! Dikush ta mësojë. Le që, sot, prindërit, pikërisht për shkak të atyre teksteve që folëm më lart, mund të gjenden vetë në situata të panjohura, mund të gabojnë vetë dhe të justifikohen me fjalinë “Epo mirë, unë shkollën time e kam bërë tashmë, dhe nga këto tuajat nuk marr vesh!”. Nuk ka nevojë të jesh as psikolog e as mësues me përvojë për të kuptuar sesa e mirë është e gjithë kjo. Merrni pozicionin tuaj, atë që ju takon, dhe mos u bëni superheronj të shtirë. Mësoni të qetësoni fëmijët tuaj. “Ora e mësimeve për sot ka përfunduar, le t’u lëmë kohë gjërave të tjera, njësoj të rëndësishme, nesër, do të përpiqemi më shumë që të arrijmë në kohë”. Çfarë është më e rëndësishme se mësimet?! Një bisedë me ju për shembull, një orë fizkulturë në vend të petullave që u jepni për t’u mbyllur gojën. Ndërkaq, nga ana tjetër, mund të flisni pa praninë e fëmijës me mësuesit nëse shumë detyra në aq pak kohë, janë apo jo të pranueshme për të… Sidoqoftë, problemi më i madh, është dhe do të vazhdojë të mbetet fakti që ju i dini të gjitha vetë dhe kot sa i lexuat edhe këto!

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura