Doni të punoni në Bankën e Shqipërisë? Ja si të aplikoni dhe kriteret që duhet të plotësoni

Sep 19, 2018 | 16:57
SHPËRNDAJE

Në përfundim të mandatit të 3 prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Këshilli i Ministrave inkurajon personat që përmbushin kriteret të aplikojnë.

Në një njoftim, Këshilli i Ministrave, që është institucioni përgjegjës për propozimin e tre anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, të cilët zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, paraqet edhe kriteret, si dhe dokumentet që duhet të dorëzohen për aplikimin.

Kriteret

Aplikanti duhet të plotësojë kriteret, si më poshtë vijon:

  1. Të ketë:
  2. a) arsimin e lartë ekonomik ose juridik;
  3. b) përvojë profesionale në çështje financiare dhe bankare;
  4. c) kualifikime profesionale të profilit;

ç) përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike ose në institucionet financiare dhe bankare.

  1. Të mos ketë pengesat e mëposhtme:
  2. a) është dënuar nga gjykata për një vepër penale, për të cilën ligji parashikon dënimin me burgim;
  3. b) është në pamundësi për të paguar detyrimet monetare ose është deklaruar i falimentuar dhe nuk është rehabilituar;
  4. c) është ndaluar ose pezulluar nga gjykata të ushtrojë detyrën si nëpunës shtetëror apo në shërbimin publik ose të ushtrojë veprimtarinë apo mjeshtërinë;

ç) gjatë ushtrimit të detyrës, në mënyrë aktive merr pjesë në veprimtari politike.

Funksioni i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës është i papajtueshëm me atë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, të deputetit në Kuvend, të anëtarit të Këshillit të Ministrave, si dhe të punonjësit, të administratorit dhe të aksionarit, me pjesëmarrje ndikuese në bankën e nivelit të dytë ose në subjektet që licencohen nga Banka e Shqipërisë.

Dokumentet që duhet të dorëzohen janë:

⦁ Kërkesë për aplikim;

⦁ Kopje e letërnjoftimit;

⦁ Curriculum Vitae në gjuhën shqipe;

⦁ Dokumente të diplomimit dhe të kualifikimeve profesionale të kërkuara;

⦁ Dokument që të provojë vjetërsinë në profesion;

⦁ Formular të plotësuar e të firmosur të vetëdeklarimit për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, në përputhje me ligjin nr.138/2015, të ndryshuar;

⦁ Vetëdeklarim se nuk është në pamundësi për të paguar detyrimet monetare ose deklaruar i falimentuar;

⦁ Vetëdeklarim se nuk është ndaluar ose pezulluar nga gjykata të ushtrojë detyrën si nëpunës shtetëror apo në shërbimin publik ose të ushtrojë veprimtarinë apo mjeshtërinë;

⦁ Vetëdeklarim se gjatë ushtrimit të detyrës nuk merr pjesë në mënyrë aktive në veprimtari politike.

(Deklarimi i rremë, përveç përgjegjësisë penale sipas ligjit, sjell përjashtimin nga çdo procedurë e mëtejshme.)

Afati i dorëzimit të aplikimit, deri më 30 shtator 2018.

Adresa: Kryeministria

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 1, 1000

Tiranë, Shqipëri

Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm

Tel.: 00355 4 22 77 401

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura