Domethëniet e fjalimit të Lu për gjyqtarët

Dec 16, 2015 | 12:04
SHPËRNDAJE

Mentor Nazarko

MENTOR NAZARKO

Fjalimi i fundit i ambasadorit amerikan Lu ishte pa diskutim fjalim epokal, për nga të vërtetat e pranuara në këtë ligjërim, autori i tyre, konteksti i përgjithshëm politiko-institucional, salla ku tubohej elita e pushtetit gjyqësor shqiptar, efektet e pritshme të këtij fjalimi. Për nga tematika, për nga distanca nga tema-korrupsioni në gjyqësor, këtë fjalim mund ta mbante Presidenti i Republikës.

Me siguri ai do të hynte në historinë e shtetit shqiptar, pavarësisht sakrilegjit të madh institucional që do të kryente. Do të fyente publikisht, megjithëse në mënyrë jonominale, një pushtet të tërë, atë të Drejtësisë, ndërkohë që detyra e tij kushtetuese është që të koordinojë të gjitha pushtetet, me kompetenca të rëndë- sishme emëruese në pushtetin gjyqësor. Mund të ketë edhe arsye të tjera pse Presidenti nuk mban fjalime të tilla, por s’është ky qëllimi i shkrimit.

Fjalime të tilla nuk i ka mbajtur as ndonjë politikan vendor i njërit krah apo tjetrit, aq më tepër mu në hundën e atyre që ishin subjekt i kritikave të forta. Fakti që detyrohet ta mbajë ambasadori amerikan është tregues i asaj që, përballë korrupsionit në Drejtësi kanë dështuar të gjithë faktorët e brendshëm: ka dështuar politika, mekanizmat e brendshëm vetërregullues, ka dështuar shoqëria civile, mediat brenda saj, madje dhe shoqëria civile e financuar prej vetë amerikanëve.

E tani, pasi ambasadori foli, të gjithë këta faktorë do duhet të motivohen për të ecur në këtë frymë denoncuese dhe pastruese. Fakti që fjalime të tilla mbahen në shekullin e 21-të, 103 vjet pas shpalljes së pavarësisë, mund të mos i pëlqejë sovranistëve. Po ç’është sovraniteti në të vërtetë? A nuk është ushtrim i të gjithë fuqive të rregulluara për të mbrojtur interesin kombëtar në të gjitha fushat? Nëse dështojnë këto fuqi, ç’ndodh me interesin kombëtar?

Duhet të humbë dhe ai, apo të mbrohet me çdo mjet edhe nga jashtë? Po jetojmë në kohë kur sovraniteti po e humb gjithmonë e më shumë kuptimin, kur interesi kombëtar mund të shndërrohet në interes global dhe këtu jemi në rastin e Shqipërisë. Përparimi i saj, modernizimi i saj, stabiliteti i saj është interes perëndimor në këtë periudhë konfliktualiteti global, dhe kjo është arsyeja pse SHBA-të së bashku me Bashkimin Europian janë sinkronizuar si kurrë më parë, jo thjesht në fjalime përfaqësuesish të nivelit të lartë të tyre, por në reforma rrënjësore. Fjalimet ishin vetëm shfaqja e dukshme e një reforme si ajo në Drejtësi, për të cilën SHBA-të dhe Bashkimi Europian kanë marrë autorësinë e tyre.

A nuk ishim ne, shqiptarët, të paaftë ta bënim për kaq vite? A nuk dështuan bashkë me ne dhe miqtë tanë perëndimorë, të cilët na asistuan në një mënyrë ose në një tjetër, në një zinxhir strategjish të financuara mirë për të kryer reforma kaq themelore si kjo? Po, por kjo s’do të thotë se ne, se miqtë tanë duhet të dështojmë sërish. Sot, edhe me këtë reformë, si na u tha dhe me këtë fjalim, jemi në rastin kur ambasadorët kapërcejnë atë që është mënyra e tyre klasike e sjelljes, qasja apo vizioni tipik personal i tyre, apo i shumicave politike që ata përfaqësojnë, e që është përgjithësisht i lidhur me mandate tre apo katërvjeçare.

Pra ambasadori amerikan, që përfaqëson një shtet të veçantë, është futur kokë e këmbë, madje dhe me fjalime të tilla “xhelatësh që kërkojnë shprehjen e dëshirës së fundit”, në një reformë me frymëzim afatgjatë. Si zakonisht, kundërshtarët e reformës, të fshehur mbas gjoja sovranizmit, do thonë: e po kështu ka ndodhur dhe më parë. Do të dështojnë, siç ka ndodhur me reforma të tjera të shpallura bombastikisht. Jo, sepse kurrë më parë në historinë pluraliste të këtij vendi nuk ka pasur sinkronizim kaq të madh të dy faktorëve vendimmarrës ndërkombëtarë, si BE-ja dhe SHBA-të.

Ky sinkronizim lidhet me interesin e këtyre shteteve dhe faktorëve për stabilitet, për modernizim, për përparim të Shqipërisë dhe ankorim përfundimtar të saj në sferën perëndimore të ndikimit. Pra interesi i tyre kombëtar përputhet me tonin. Ka më në fund, si kurrë më parë, për shkak të kontekstit ndarës ndërkombëtar, një interes të madh perëndimor që kjo pjesë e rajonit të jetë përfundimisht një vend normal, ku funksionon drejtësia, ku luftohet krimi që s’duhet të zhvendosë frytet e veta nga territori ynë në atë të tyrin.

Ka një interes të fortë dhe vendimtar për shkëputje të shpejtë të Shqipërisë nga historia tragjike e zvarritjes në kënetën e regjimeve të korruptuara të ngjashme në botë. Ndërkaq, kjo që po ndodh nuk është një reformë e shpikur ad hoc, nga OJQ të specializuara për përdorim elegant fondesh perëndimore, por një reformë fotokopje e dëshmuar si e suksesshme në vende të ngjashme me tonat, si Kroacia dhe Rumania. Pra suksesi i një reforme kaq radikale si kjo, është i testuar në një realitet shtetëror dhe nuk pritet të testohet për herë të parë ndër ne, siç ka ndodhur shpesh.

Kundërshtarët e kësaj reforme, të fshehur nga frika e kundërvënies hapur SHBA-ve -që mbajnë flamurin e autorësisë së reformës siç pranoi ambasadori, përdorin në tavolina pjesërisht argumente të drejta. Si do të bëhet reforma? Nga politikanët? Po dhe ata vetë janë të korruptuar! Kjo është një dilemë e ngjashme me atë të vezës me pulën, por radha e veprimeve është e qartë.

Në fillim dekriminalizimi, domethënë shkëputja dhe nxjerrja jashtë radhëve e ligjvënësve dhe të zgjedhurve në përgjithësi, të atyre me të kaluar të qartë kriminale, dhe pastaj miratimi i reformës gjyqësore, që në fakt është edhe reformë kushtetuese. Pastaj gjyqtarët dhe prokurorët, të pastruar sipas parimeve të rrepta të reformës, do të vazhdojnë pastrimin e politikës.

A nuk është radhë krejt e arsyeshme kjo? Nuk ju duket se miqtë tanë perëndimorë e kanë menduar mirë, dhe në afat të gjatë këtë rrugëtim të pritshëm progresiv të shtetit të shqiptarëve në shekullin e 21-të?

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura