Dokumentoi zanafillën e demokracisë në Shqipëri, kush është fotoreporteri rebel (VIDEO)

Feb 26, 2018 | 16:16
SHPËRNDAJE

Duke mos iu bindur kërcënimeve të eprorëve të tij me heqja nga puna, nëse fotografonte protestat që sollën rrëzimin e diktaturës dhe lindjen e demokracisë në Shqipëri, fotoreporteri Gani Xhengo i fali brezave një arkiv të pasur historike.

Pesë shkrepjet e fundit të filmit të fotoreporterit Gani Xhengo më 20 shkurt 1991 janë të mirënjohura për dokumentimin e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha. Ato përbëjnë një ilustrim fotografik të zanafillës së frymës demokratike në Shqipëri.

27 vjet më pas, me fotot e varura në mur si pjesë e historisë në ekspozitën e tij “Zanafillë” në qendrën kulturore Tulla, Xhengo thotë se në fillim të viteve ‘90 ishte bërë e qartë se Shqipëria do të ndryshonte rrënjësisht. Ai shton se qe koha që më të guximshmit të bënin pjesën e tyre.

“Kishte ardhur koha për të ndryshuar regjimin aktual të një gjysmë shekulli,” tha ai për BIRN.

Ai thotë se ndonëse ishin katër-pesë vetë në sektorin e fotografisë, ai qe i vetmi që i mbuloi ngjarjet e atyre viteve për shkaqe personale.

“Urdhri ishte kështu: kush fotografon, pushohet nga puna,” shton ai.

Fotoreporteri i kujton me saktësi ngjarjet e ditës së shembjes së bustit të diktatorit Hoxha, kur kulmuan protesta e studentëve, të cilët pa lajmëruan u derdhën në sheshin “Skënderbej” për të kryer aktin e rezistencës.

“Rastisa tamam në momentin kur statuja ishte deformuar dhe kishte filluar të rrëzohej,” kujton ai.

Xhengo thotë se e shkuara tashmë është shkruar dhe se ndihet i kënaqur që dha kontributin e tij. Ai megjithatë mbron idenë se i takon brezave të rinj të çojnë përpara procesin demokratik të mbetur në vend.

“Ndihem i kënaqur që arrita t’i fotografoj në mënyrë kronologjike ngjarjet, proceset demokratike. Këto fotografi që kam bërë, i shërbejnë memories së qytetarëve,” tha 75-vjeçari, ndërsa i bëri thirrje të rinjve “të marrin përgjegjësi për fatin e vendit, sepse aktualisht situata është shumë shqetësuese”.

Duke parë fotografitë e fotoreporterit të ATSH, Andi Agaraj një i ri gjithashtu i pasionuar pas objektivit thotë se ato përbëjnë një frymëzim dhe shembull për t’u ndjekur nga fotografët e rinj si ai vetë.

“Janë shumë emocionuese sepse këto janë bërë në ’91-shin, atëherë kur u rrëzua diktatura dhe erdhi demokracia,” tha Agaraj.

“Kam tetë vjet që merrem me të gjitha protestat që kanë ndodhur në Tiranë, i kam fotografuar… dhe siç ka bërë Ganiu tani që këto foto i ka nxjerrë pas 20 vjetësh, dhe unë shpresoj t’i nxjerr pas disa vitesh,” tha fotografi i ri për BIRN.

Fotoreporteri Xhengo nuk heziton të këshillojë profesionistët e rinj që të çlirohen nga censura e aktualitetit për të dokumentuar historinë sikurse është.

“Profesionistët duhet të fotografojnë në mënyrë kritike për problematikat që shohin… Mund të dalin fotografi edhe sot artistike, por mund të dalin fotografi sot problematike më shumë,” përfundoi Xhengo.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 3 mars./BIRN

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura