Dokumenti sekret/ “Po pushkatojmë nga nji në çdo fshat, që t’i frikësojmë”

Nov 9, 2018 | 12:39
SHPËRNDAJE

Dokumenti i 25 tetorit 1946: Pushkatuam një pronar në Breg të Matës, një bajraktar në Koplik, një kapadai në Bushat e Gur të Zi, një bajraktar në Pukë, një tjetër në Dukagjin, një kryetar Këshilli në Mirditë pse gënjeu…dc

Dorëzimi i armëve në gjithë Shqipërinë, por sidomos në veri të vendit dhe po ashtu dorëzimi i gjithë kundërshtarëve të komunizmit, që ishin arratisur pas vendosjes së regjimit komunist, ishin prioriteti më i madh i Enver Hoxhës në fund të vitit 1946. Pas shtypjes së kryengritjes së Postribës në shtator 1946, regjimi i Hoxhës, i trembej kryengritjeve të armatosura. Kështu, mbledhjen e armëve, sikurse edhe dorëzimin e të arratisurve, e shihte si rrugën e vetme për të siguruar dhe forcuar pushtetin.

Një urdhëresë e shpërndarë në gjithë Shqipërinë, në ditët e para të muajit tetor, kishte angazhuar gjithë strukturat e partisë Komuniste, në bashkëpunim me forcat e Sigurimit të Shtetit, për të realizuar këto dy synime. Ndërsa, në jug të vendit me pak përjashtime, ky aksion kishte ecur mirë, në veri dhe sidomos në Mirditë, regjimi komunist nuk po çante dot.

Relacioni i dërguar nga Shkodra, firmosur nga Spiro Pano, dërguar Komitetit Qëndror në Tiranë, zbulon gjithë ‘metodat’ që po ndiqnin komunistët për të çarmatosur veriun e Shqipërisë e për t’i detyruar të arratisurit që të dorëzoheshin. Relacioni shpjegon me detaje se si kishin vepruar zonë më zonë, se si kishin pushkatuar para popullit, për të bërë shembull e për të frikësuar pjesën tjetër të popullsisë, se si i përdornin metodat e spiunimit deri brenda në familje për të marrë informacione tek ata që kishin armë e nuk i dorëzonin, apo ata që kishin të arratisur në mal.

Ndër të tjera, Spiro Pano shkruan: Pushkatimi i një pronari në Breg të Matës, i një bajraktari në Koplik, i një kapodaiu në Bushat e Gur të Zi, i një bajraktari në Pukë e një tjetri në Dukagjin, demaskimi i elementit kundërshtar dhe i parullave të tyre, pushkatimi i një kryetar Këshilli në Mirditë pse gënjeu, të gjitha këto filluan të nxjerrin armët vazhdimisht”.

Më tej, Spiro Pano kujton se në Mirditë kanë dështuar, pasi nuk i kanë përdorur sa duhet masat e rrepta. “Rezistenca më e madhe është në Mirditë. Dhe këjo pse shokët këtu nguruan në fillim, nuk koordinuan veprimet me mbrojtjen, nuk dijtën të përfitojnë nga rasti e të bëjnë një goditje të rreptë”, shkruan ai.

kujto.al e sjell eksluzivisht këtë dokument të rrallë, që shpjegon mbi të gjitha se regjimi komunist në vitet e para përdori gjerësisht dhunën ekstreme dhe pushkatimet si masë terrori për të siguruar e forcuar pushtetin.

***

VDEKJE FASHIZMIT

LIRI POPULLIT

KOMITETI QARKOR I P.K.SH.

PËR SHKODRËN

Nr. 506/24

Shkodër më 25.X.1946

 

Shkurtimi: – Relacion mbi çarmatimin dhe dorëzimin e ilegalëve në qarkun e Shkodrës.

Komitetit Qendror të P.K.Sh.

Tiranë

Këtu poshtë po ju japim një relacion në lidhje me çarmatimin dhe dorëzimin e ilegalëve në qarkun t’onë:

  1. Çarmatimi. – Rëndësija e këtij problemi iu-shtrua organizatës që në fillim, iu-theksua shokëve nevoja e kombinimit të punës me seksionin e Brendëshëm, me Seks. e sigurimit dhe me shokët e Komandës së Qarkut. Bile në nënprefekturat u-krijuan disa komisione provizore për këtë qëllim (Sekr. i Partis, ai i sempit dhe ai i qarkut).

U-thirrën këtu në qendër sekretarët e Komiteteve dhe shkojtën më vonë poshtë antarë qarkori për t’i udhëzuar nga afër.

Në fillim puna nuk është marrë me seriozitetin e duhur (dhe kjo ndodh shpesh që të mos merret një problem seriozisht me një herë, por vetëm pas nxitjesh kjo iu-vu në dukje organizatës kohët e fundit), kombinimi nuk qe i mirë dhe popullarizimi i Urdhnesës nuk u-bë i fortë në bazë. Por më vonë, me daljen e shokëve të qarkorit, me udhëzimet e seksionit të brendëshëm, të sigurimit e të Komandës së qarkut, puna filloi të marri një hov dhe të na japë rezultatet e para.

Përveç axhitacionit dhe popullarizimit të Urdhnesës, organizatës (duke studiuar rrethanat e veçanta të qarkut t’onë) iu-shtrua nevoja e domosdosshme e zbulimit të elementeve parì që kanë armë të fshehura në mënyrë që goditjet t’ona t’ishin të drejta e të preknin shtypësat (bajraktarë, pronarë etj). U-shtrua me pak fjalë rëndësija e informacionit mbi mbajtësat e armëve në fshat e në qytet.

Kjo çështje e fundit dha me të vërtetë rezultate të kënaqëshme dhe do t’na japë akoma.

Në qarkun t’onë punë e vogël mund të bëhet me anën axhitative. Malsori me shumë zor dorzon armën, ose dorzon një e ruan tre të tjera. Këtë nuk e bënë vetëm agai po dhe bujku ose katundari i ulët. Ata janë të lidhur shumë me armët nga vetë edukata dhe zakonet e tyre. Prandaj këtu ishte më se i nevojëshëm kombinimi i axhitacionit me masa të rrepta, me goditje bajrajtarësh përpara popullit-duke patur informata të plota e fakte të gjalla-me kërcënime kundrejt të tjerëve dhe me një lëvizje intensive të skuadrave të policisë e të mbrojtjes.

Njikohësisht me këto masa të para filloi mbledhja e Këshillave të Pushtetit dhe vënëja e tyre para përgjegjësis me anë dekllaratash, thirje fshatarësh që ne dyshonim, për të lëshuar deklarata pë vehten e tyre ose për ndonjë tjetër (sidomos për vehten e tyre), mbledhje fronti nëpër fshatra etj. Çdo mbledhje që organizohesh, qoftë për zgjedhjet e gruas, të rinis etj shfrytzohej edhe në këtë drejtim. Njikohësisht shokët që lëviznin në teren nxitnin fshatarët për të mirën e tyre të dorëzonin armët.

Popullit me anën axhitacioni iu-shtrua në këtë mënyrë: “armët në dorë të privatëve janë kurdoherë një rrezik për jetën e tyre dhe për katundarët e tjerë. Të drejtat t’ona, jetën t’onë, qetësin dhe lirin t’onë na e garanton Qeverija e jonë me anë të Ushtris, Mbrojtjes dhe Policisë. Nuk ka asnjë arsye pra qëne të mbajmë armë. Kush nuk i dorëzon pëson rrjedhime të rënda, bile edhe pushkatohet përpara popullit”. Në fillim pati një farë pakënaqësije por më vonë panë se Qeverija ishte e vendosur t’i mblidhte armët dhe një pjesë e mirë nga ata të lidhur me lëvizjen filluan t’i sjellin vetë (Ura e Shtrnejtë, Vraka etj).

Por në Mirditë, Lesh, Pukë, Koplik, Dukagjin e Qendër (domethën në gjithë qarkun përveç atyre pak vëndeve) u-ndje rezistencë në fillim. Reaksioni (bajraktarët dhe pronarët e priftërinj) filloi të axhitoi kundra dorzimit. E paraqiti këtë si “korritje” për malsorin, si dobësi të Pushtetit që “kërkon të sigurojë krahët nga frika” si një gjë jasht zakonit e kanunit e të tjera. Parullat e reaksionit të bashkuara me dëshirën e vetë katundarit dhe me rrjetin e ngushtë të organizatës s’onë, influenconin mjaft kundra kësaj fushate t’onë.

Me fillimin e goditjeve, situata ndryshon. Populli sheh se Pushteti është i fortë dhe është gati të marri masa të rënda. Pushkatimi i një pronari në Breg të Matës, i një bajraktari në Koplik, i një kapodaiu në Bushat e Gur të Zi, i një bajraktar në Pukë e një tjetri në Dukagjin, demaskimi i elementit kundërshtar dhe i parullave të tyre, pushkatimi i një kryetar Këshilli në Mirditë pse gënjeu, të gjitha këto filluan të nxjerrin armët vazhdimisht. Të gjitha këto pushkatime janë bërë me vënd dhe me fakte. Passi njeriu që do të pushkatohesh insistonte se nuk kishte armë, shokët t’anë i tregonin jo vetëm armën që kishte por dhe numrin e armës. Kjo mënyrë veprimi (e praktikuar edhe në shumë të tjerë) futi frikën në katundarët se “këta kanë informata dhe të pushkatojnë në vënd”.

Gjer më sot janë mbledhur 3785 pushkë e revole, 16 mashina, 14 mitroloza dhe 633 bomba me një sasi të madhe municioni. Të ndarë pas nënprefekturave përafërsisht: Kopliku 830, Leshi 700, Dukagjini 600, Qendra 1655, Puka 550 dhe Mirdita 250.

Si shihet rezistenca më e madhe është në Mirditë. Dhe këjo pse shokët këtu nguruan në fillim, nuk koordinuan veprimet me mbrojtjen, nuk dijtën të përfitojnë nga rasti e të bëjnë një goditje të rreptë. Këtu shihet nevoja të vejë shpejt një përgjegjës nga Partija, Seksioni ose Komanda, për t’a shtruar edhe një herë dhe për të marrë ndonjë masë të fortë.

Sonte mendojmë të bëjmë një mbledhje bashkë me Zoin dhe me Komandantin e Mbrojtjes për të dhënë udhëzime të reja dhe për të filluar një veprim edhe më të dëndur. Në qarkun t’onë ka shumë armë dhe ne mendojmë se me një insistim e masë tjetër do të mund të mbledhim përmbi 6-7000.

  1. Dorzimi i ilegalëve. – Ky problem u-shtrua gati paralelisht me çarmatimin dhe në të njëjtën mënyrë. U-popullarizua ligji i Kuvendit, u-theksua lehtësimi që do të kenë ata që do të dorzohen dhe u-nxitën Këshillat e froontit, të Pushtetit, Populli vetë që të lajmërojë ilegalët të dorzohen.

Me theksimin e tërheqjes së reaksionit grek në konferencën e paqes, u-vrejt një ndryshim në këtë drejtim. Në fillim nisën të dorzohen ilegalë ordinerë por më vonë filluan të dorzohen edhe asish të dëgjuar si Zef Gjini në Pukë, besnik i Kol Bibës, ilegal që prej çlirimit; Mark Froku njësoj si i pari dhe më i rrezikëshëm (kriminel i dëgjuar), Xhema Naipi deputet zogist në qendër, ilegal që prej çlirimit, Musa Gjylbegaj, ish ministër i Botores dhe eksponent i Ballit, Shefqet Muka ilegal që prej çlirimit, 7 veta nga familja e Bajraktarit të Shoshit në Dukagjin, nja 35 ilegalë të tjerë në Dukagjin, 12 në Lesh, 13 në Pukë, 7 në Mirditë, gjithë t’aratisurit e Postribës etj. Dhe çdo ditë vazhdojnë të dorzohen e të kërkojnë të dorzohen.

Axhitacioni i ynë vazhdon në këtë drejtim, elementi që dorzohet popullarizohet se e kuptoi që është e kotë të qëndrojë në mal, thirjet bëhen të shpeshta në emër të Pushtetit nëpër katunde “për të mirën e ilegalëve, se më von do t’a paguajnë shtrenjtë”. Theksohet drejtësija dhe zëmërgjerësija e Qeverisë e cila bënë përpjekjen e fundit, para se të fillojë nga masat e rrepta.

Edhe këtu rezistenca dallohet në Mirditë. Prandaj vajtja e një shoku të mirë shpejt është më se e nevojëshme. Ne do t’a shtrojmë sonte dhe do të veprojmë shpejt.

Herë pas here do t’ju dërgojmë relacione mbi këto dy çështje me rëndësi.

  1. Komitetin Qarkor të Partisë

(Spiro Pano)

(firma, vula)

Kujto.al

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura