Dokumenti sekret/ “Nuk e fus në shtëpi sikur yll të jetë”, zbardhet debati i Enverit me Feçor Shehun për Silva Turdiun: Ta ndaloje ti fejesën

Oct 22, 2019 | 13:37
SHPËRNDAJE

Afrim Imaj/ Feçor Shehu ka qenë i pari nga ministrat e kohës që është thirrur nga Enveri për të shqyrtuar rastin e fejesës së papërshtatshme të djalit të Mehmet Shehut.

Silva_turdiu

Kreu i regjimit, si ka përmbyllur tri takimet kokë më kokë me Shehun dhe ka njoftuar për ecurinë e tyre dy bashkëpunëtorët më të afërt, Ramiz Alinë dhe Hekuran Isain, ka kërkuar të bisedojë sy më sy me Feçor Shehun jo vetëm për të mësuar diçka më shumë mbi biografinë e Silva Turdiut, por për t’i treguar vendin kreut të Sigurimit, që kishte lejuar të futej në vilën e Kryeministrit një vajzë që vinte nga “çerdhja e reaksionit”, me xhaxhallarë të arratisur dhe me plotë të tjerë kundërshtarë të regjimit.

Ka qenë pasditja e 21 shtatorit 1981 kur ministri i Brendshëm ka kapërcyer derën e zyrës së kryeshefit dhe ka dalë prej andej pas katër orësh.

I tronditur nga pozicioni i pavolitshëm në raport më çështjen, Feçor Shehu fillimisht ka provuar të hapë dosjen që kishte me vete, por i zoti i zyrës e ka urdhëruar ta mbyllë dhe ka filluar nga breshëritë e pyetjeve si një hetues i papërmbajtshëm. Kreu i Sigurimit i ka treguar Hoxhës se historinë e fejesës së djalit të Mehmetit e ka mësuar nga ky i fundit vetëm disa ditë para ceremonisë. Ka qenë Kryeministri, që bashkë me lajmin për krushqinë e re, e ka porositur të hetojë në konfidencë rreth biografisë së nuses.

Që të nesërmen, Feçori i ka çuar në zyrë të dhënat për familjarët e Silva Turdiut, duke i vënë në dukje dy xhaxhallarët e arratisur, por edhe pjesëtarë të tjerë kundërshtarë të regjimit. Që këtu, pastaj, Hoxha ka turfulluar dhe aty për aty e ka bombarduar me pyetje përvëluese. “Po ti, çfarë i the?” “Pse nuk erdhe të lajmëroje Partinë, të më thoshe mua që Mehmeti po bën krushqi me reaksionin?” “Po të ishe ti, a do ta merrje për nuse te djali yt një vajzë nga një familje e tillë?” E të tjera, e tjera. Mënyra si është përgjigjur ministri i Brendshëm, është sa groteske, aq dhe vulgare. Në çdo reagim të Hoxhës, Shehu përmend togfjalëshin “Kam bërë gabim”, “Më fal shoku Enver” dhe i leqendisur, siç shfaqet, është gati të përgjërohet për të dhe Partinë.

DOKUMENTI Takimi i Enver Hoxhës me ministrin e Brendshëm, Feçor Shehu, më 21 shtator 1981

ENVER HOXHA: Nuk më flet pak çfarë keni biseduar me Mehmetin për çështjen e Qazim Turdiut?

FEÇOR SHEHU: Shoku Mehmet më mori në telefon nga Durrësi ku pushonte, më kërkoi t’i shkoja atje dhe më caktoi edhe orën dhe datën e takimit. Ai më porositi të merrja e të studioja, sipas rregullave tona, biografinë e Qazim Turdiut. Për këtë nuk vura në dijeni organet e Sigurimit se kështu më porositi ai. Prandaj, pasi e mora dhe e studiova vet dosjen, që është në arkivin e Ministrisë së Brendshme, shkova në Durrës dhe ia referova gjithçka dija për këtë njeri.

letra

 

ENVER HOXHA: Çfarë thuhet në atë dosje?

FEÇOR SHEHU: Atje thuhet se Qazim Turdiu vjen nga një shtresë e pasur, ka dy vëllezër të arratisur, nga të cilët njëri ndodhet në Jugosllavi, ku ka pas shkuar për studime, por që nuk është kthyer, d.m.th. është i arratisur. Tani ai punon atje si mjek, por nuk ushtron aktivitet kundër nesh. Ka dhe një vëlla tjetër, i cili ka qenë në rininë e Ballit Kombëtar dhe tani jeton në SHBA. Ky ka aktivitet dhe punon kundër nesh.

ENVER HOXHA: Po e kujt prej këtyre të dyve është më e madhe rrezikshmëria, e këtij që më the të dytin, apo e atij tjetrit që ndodhet në Jugosllavi?

FEÇOR SHEHU: I pari është ai i arratisuri në SHBA.

ENVER HOXHA: Atëherë për këtë më të rrezikshmin duhet të më flasësh më parë.

FEÇOR SHEHU: Mirë dakord, shoku Enver.

ENVER HOXHA: Të mësohesh të vësh në dukje më parë atë që është më e rrezikshme. FEÇOR SHEHU: Drejt, shoku Enver.
ENVER HOXHA: Pastaj?
FEÇOR SHEHU: Pastaj i thashë këto gjëra që di unë për këtë njeri. Po sikur ta kishe ti djalë Skënderin, më pyeti ai, çfarë do të bëje nga ana jote. Nga sa e njohim, vajza vet është e mirë, iu përgjigja, atë mund ta miratoja ta merrte nuse djali im, kurse për babanë do vija t’ju pyesja juve, do pyesja Partinë. Mirë, ma ktheu pastaj, do ta gjykoj me Fiqretin këtë çështje dhe me kaq mbaroi biseda. Pasi piva kafen, u ktheva në Tiranë.

Më vonë nuk kam marrë vesh gjë se çfarë u bë me këtë çështje, përveçse kur dëgjova se iu fejua i biri me këtë vajzë. Unë në këtë kohë isha me shërbim në Kolonjë. Pasi Mehmeti ishte njoftuar nga ju dhe u kthye nga Korça, u ktheva dhe unë. Kur e takova, më tha se kishte gabuar me fejesën e djalit.

ENVER HOXHA: Si ka gabuar?

letraaa

 

FEÇOR SHEHU: Unë gabova rëndë, më tha, që miratova fejesën e djalit me vajzën e Qazim Turdiut, prandaj tani dua të më japësh një çikë biografinë e plotë të Turdiut, të cilën do t’ia lexoj Nelit për ta bindur së duhet ta prishë këtë fejesë.

Më tha se i kishte bërë dhe një telegram për t’u kthyer nga Athina ku ndodhej i biri. Aty për aty, i thashë se nuk mund ta bëja dot këtë punë, por duhet të angazhoja me këtë çështje organet e Sigurimit, që të studiojnë hollësisht biografinë e Qazim Turdiut.

Mirë, m’u përgjigj Mehmeti, futi në punë ata. Unë ngarkova me këtë punë drejtorin e drejtorisë së Sigurimit, i cili e bëri të plotë këtë biografi dhe sa e mora, ia çova Mehmetit. I çova kështu jo vetëm biografinë e Qazim Turdiut si person, por të krejt rrethit familjar, të vetin dhe të gruas së tij, pse sikurse na del edhe nga kjo linjë, ai e paskësh pasur rrethin fare bërnut.

ENVER HOXHA: Çfarë anësh bërnut ka kjo grua?

FEÇOR SHEHU: Ka kushërinj të pushkatuar dhe të arratisur jashtë, të cilët janë në aktivitet kundër vendit tonë. E kam thënë shoku Enver dhe tani po j’ua them edhe juve, se nuk e marr dot me mend se si ka gabuar Mehmeti, që nuk është konsultuar me Partinë. Unë nuk e gjykoj të drejt këtë veprim, prandaj kur më pyeti, i thashë që po të më kërkonte djali im në këto rrethana që është gjendur djali yt, do të pyesja Partinë.

ENVER HOXHA: Pra, kur të pyeti Mehmeti çfarë do të bëje ti po të donte djali yt të fejohej me një vajzë nga një familje e tillë, ti iu përgjigje se, për sa i përket vajzës unë do ta lejoja djalin ta merrte, por duke marrë parasysh biografinë e Turdiut, do të pyesje Partinë.

FEÇOR SHEHU: Do të pyesja…

ENVER HOXHA: Kë do të pyesje, Mehmetin?

FEÇOR SHEHU: Të kuptohemi, në këtë rast unë kam parasysh Partinë, prandaj do të vija te shoku Enver.

ENVER HOXHA: Po sikur Mehmeti të të kishte thënë ty, sikur të ishe ti në vendin tim, sikurse ta vuri ai pyetjen ty, do ta merrje këtë vajzë për djalin edhe po të të thoshte merre?
FEÇOR SHEHU: Unë nuk do ta merrja.
ENVER HOXHA: Atëherë pse nuk iu përgjigje Mehmetit që nuk duhet ta marrësh këtë vajzë për djalin, se ajo nuk duhet të futet në shtëpinë tënde, gjersa për vete mendoje se nuk do ta merrje për djalin tënd?
FEÇOR SHEHU: Unë shoku Enver i thashë…
ENVER HOXHA: Unë e di çfarë i the, por po ta bëj të qartë pyetjen: Po sikur të të thoshte Mehemti ty merre atë vajzë, do ta merrje?
FEÇOR SHEHU: Fëmijët e mi nuk i kam edukuar që të bëjnë krushqi me të tilla familje. ENVER HOXHA: Ore lëri këto, po m’u përgjigj: Ti çfarë do të bëje nga ana jote, do ta merrje një vajzë të tillë për djalin tënd?

FEÇOR SHEHU: Jo, shoku Enver.

ENVER HOXHA: Atëherë pse nuk i the Mehemtit që mos ta fuste atë vajzë në shtëpinë e tij, por i the pyet Partinë. Gjersa për vete nuk do ta bëjë një gjë të tillë, duhej t’i kishe sugjeruar Mehmetit që ti ca më shumë nuk duhet ta futësh. Atëherë, cila është arsyeja që nuk ia the?
FEÇOR SHEHU: Arsyeja është se më tha që do ta gjykonte vet me Fiqretin këtë çështje. ENVER HOXHA: Ç’më hyn mua në punë se çfarë do të bisedonte ai me Fiqretin. Ai t’u drejtua ty duke të pyetur: Çfarë do të bëje ti? Dhe ti u përgjigje ashtu si u përgjigje, po pse nuk i the drejtpërdrejt dhe hapët si shok, që nga pjesa ime unë nuk do ta merrja për djalin një vajzë nga një familje si e Turdiut.

FEÇOR SHEHU: Kam gabuar atëherë.
ENVER HOXHA: Mirë ke gabuar, po pse ke gabuar? Ti duhet të reflektosh që të gjesh shkakun përse ke vepruar gabim.
FEÇOR SHEHU: Kam besuar se shoku Mehmet do ta rishikonte këtë çështje me gjakftohtësi, do të konsultohej…
ENVER HOXHA: Me kë do të konsultohej.
FEÇOR SHEHU: Me shokun Enver.
ENVER HOXHA: As që i tha gjë shokut Enver.
FEÇOR SHEHU: Kam bërë gabim.
ENVER HOXHA: Kur e mori vesh shoku Enver këtë fejesë, i preu barin nën këmbë armiku. Se të na futet armiku në shtëpinë e Mehmet Shehut, e mendon çfarë bëhet? FEÇOR SHEHU: E kuptoj, shoku Enver.
ENVER HOXHA: Mirë e kupton ti këtë që po të thotë shoku Enver, po pse nuk erdhe ti te shoku Enver, të më informoje për atë që po bënte shoku Mehmet.
FEÇOR SHEHU: Unë mendova se do vinte vet shoku Mehmet për t’u informuar.
ENVER HOXHA: Lëre atë ti. Kur ti e more vesh që djali i atij u fejua me këtë vajzë, përnjëherësh duhet të vije te shoku Enver dhe t’i thoshe: Po ju vë në dijeni se shoku Mehmet ka bërë një gabim të madh politik, ka marrë për djalin një vajzë pjesëtare e një familjeje që ka jashtë shtetit të arratisur politik. Përse nuk erdhe ti tek unë?
FEÇOR SHEHU: E kuptoj, shoku Enver, nuk arrita dot, gabim kam bërë.

ENVER HOXHA: Mirë, mirë, gabim, po më sqaro pak për këtë.
FEÇOR SHEHU: Nuk erdha se nuk arrita dot shoku Enver, për vet mendimin që kam pasur se shoku Mehmet nuk e ka bërë këtë hap pa ju pyetur juve. Këtë ua them me zemër të çiltër, si komunist.
ENVER HOXHA: Dale, dale këtu! Do të pranoje ti pikëpamjen që edhe unë isha dakord me këtë fejesë? Të shkoi ty në mendje se dhe unë do ta bëja këtë që bëri Mehmeti?  FEÇOR SHEHU: Jo nuk do ta mendoja, por ama një gjë…
ENVER HOXHA: Çfarë gjëje?
FEÇOR SHEHU: Unë nuk e dija biografinë e vërtetë të kësaj familje.
ENVER HOXHA: Po pse nuk e dije, ai të pyeti ty.
FEÇOR SHEHU: Ai më pyeti vetëm çfarë dija unë. Sikurse më porositi, unë nuk duhej t’i pyesja punonjësit e Sigurimit për këtë çështje, por t’i tregoja shokut Mehmet vetëm çfarë dija unë.
ENVER HOXHA: Atëherë ti me të parë në dokument se Qazim Turdiu kishte të afërt dy kriminelë, nuk të bëri përshtypje? Po grua kë ka ky?
FEÇOR SHEHU: Në dosje nuk ka gjë për gruan e tij.
ENVER HOXHA: Përse nuk i sugjerove Mehmetit që të pyeste dhe për gruan e Qazim Turdiut?
FEÇOR SHEHU: Po ai më tha të mos pyesja, shoku Enver, mos vë në lëvizje punonjës të tjerë të Sigurimit, kështu më porositi, se unë do ta gjykoj këtë çështje mirë dhe madje mund të mos përfundojë fare. Kjo është vetëm një ide, përfundoi ai.

ENVER HOXHA: Vetëm një ide të tha?
FEÇOR SHEHU: Po, shoku Enver.
ENVER HOXHA: Po e shikon tani si e përfundoi fejesën?
FEÇOR SHEHU: Derisa e përfundoi, do të thotë se ka gabuar.
ENVER HOXHA: Mirë, unë e di që ka gabuar në këtë çështje, prandaj dhe iu la koka për atë që bëri. E kupton këtë?
FEÇOR SHEHU: Dhe me të drejtë u veprua kështu.
ENVER HOXHA: Medoemos me të drejtë. Si do të lëmë ne që të dëmtohet Partia? Tani po të pyes: Si është e mundur që Ministria e Punëve të Brendshme nuk di që po zien Tirana për këtë çështje dhe e dënojnë Mehmet Shehun? Si e përfundon shoku Mehmet këtë fejesë? Si ka vendosur ai të fusë në shtëpinë e vet çupën e reaksionarëve, të të pushkatuarve, të të arratisurve politikë dhe Ministria e Brendshme nuk na i ditka këto gjëra? Pastaj informacionin për këtë çështje me kaq rëndësi, pse të më vijë mua nga jashtë për të gjitha këto pyetje që bëhen e diskutohen në popullin e kryeqytetit dhe Ministria e Brendshme as di gjë dhe t’ia thotë Mehmet Shehut? Po ti pse nuk ia ke thënë vet këto shokut Mehmet? Pa më thuaj një çikë.
FEÇOR SHEHU: Çfarë t’i thosha?
ENVER HOXHA: Ja të gjitha këto që janë dëgjuar.
FEÇOR SHEHU: Unë iu them me përgjegjësi se…
ENVER HOXHA: Shiko Feçor, kam një raport që më ka dërguar një ish-punonjës i Sigurimit, që të kritikon ty dhe një grup shokësh rreth teje se keni krijuar një lloj familjariteti me njëri-tjetrin. Megjithatë, kjo është çështje tjetër. Po për rastin në fjalë, ju jeni fajtor. Ndërhyrja juaj në kohë si ministër i Brendshëm do ta kishte parandaluar këtë ngjarje…
FEÇOR SHEHU: Si t’ju shpjegoj shoku Enver.
ENVER HOXHA: Nuk je në rrugë të drejtë, prandaj vuri mendjen këtyre që të thashë. FEÇOR SHEHU: Si urdhëron. Kjo ngjarje është një mësim i madh për mua.

ENVER HOXHA: Kështu pra. Ministrinë e Punëve të Brendshme, Partia e ka për të mbrojtur vendin nga armiqtë e jashtëm dhe të brendshëm. Tani Mehmeti të thotë ty që t’i jepje biografinë e Qazim Turdiut dhe të tregoi përse e donte. Ai të porositi që mos ta bëje problem të organeve të Sigurimit.
FEÇOR SHEHU: Këtë më tha në telefon.
ENVER HOXHA: Në telefon, në zyrë apo në radio, kjo nuk hyn në punë, rëndësi ka çështja që ai të tha. Ty të binte detyrë që kur more për të studiuar dosjen e Qazim Turdiut dhe atje pe që edhe vet ky person është elementë i dyshimtë, i futur e nxjerrë disa herë në listat e Sigurimit, ti përnjëherë duhej të interesoheshe personalisht për të.
Pastaj të mendoje: Mirë vet ky, po gruaja e tij çfarë njeriu është? Pa ta shikoj një çikë edhe dosjen e saj. Pas kësaj pune, të shkoje te shoku Mehemet dhe t’i thoshe: Shoku Mehmet, atë që më kërkove po ta sjellë. Kjo ishte detyra jote, po ti nuk e bëre. E kupton?
FEÇOR SHEHU: Si urdhëron.
ENVER HOXHA: Po ti nuk e bëre dhe ky është gabim i madh nga ana jote. Kjo e para. E dyta, kur të pyeti Mehmeti se çfarë do të bëje ti po të të ngjiste një gjë e tillë me djalin tënd, ti iu përgjigje se do pyesje Partinë. Po ti nuk duhej t’i thoshe atë, por t’i flisje hapur se si kishe për të vepruar vet, sikur të të ndodhte kjo në familjen tënde, se ai ta bëri pyetjen. Prandaj të binte detyrë t’i thoshe që unë në shtëpinë time nuk e fus këtë vajzë, sikur edhe yll të jetë, për arsye se ka disa njerëz shumë të këqij të afërt. E kupton që kjo ishte detyra jote?
FEÇOR SHEHU: E kuptoj, shoku Enver.

Vijon… 

 *Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore. 

1- EKSKLUZIVE/ “Djali shkonte me një k*rvë, e njohur në gjithë Tiranën”- Zbulohet dosja sekrete në kasafortën e Enverit, zbardhet biseda me Mehmet Shehun pas fejesës me Silva Turdiun

2- EKSKLUZIVE/ Zbardhet ditari sekret i Enverit, përplasja e fortë me Mehmet Shehun për fejesën e djalit me Silva Turdiun: Sa u lirua nga burgu çau ferrën, Arshi Pipa armiku më i poshtër dhe agresor ka lidhje me…

3-  EKSKLUZIVE/ Zbardhen diskutimet sekrete mes Enver Hoxhës dhe Hekuran Isait: Faj ka dhe Fiqireti. Nusja e djalit të Mehmetit merrte ushtarakët në motoskaf, rrinte këmba mbi këmbë me cigare në gojë dhe lahet në det para…

4- “Erdhi dhe më qau në zyrë”- Zbardhet ditari sekret i Enverit: Mehmeti s’pyeti as Nexhmijen dhe as mua për fejesën me Silva Tudiun. Djali kishte lënë tre çupa, skandalet i mora vesh nga…

5- EKSKLUZIVE/ “Fiqreti që hiqet si parimore, ka bërë skandale”, zbulohet ditari sekret i Enverit për takimin e dytë me Mehmetin: Sigurimi e lajmëroi për Silva Turdiun

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura